Showing posts with label Lasgush Poradeci. Show all posts
Showing posts with label Lasgush Poradeci. Show all posts

Pushtet


… synimi im nuk ka qenë e as besoj se do të jetë ndonjëherë që libri të bëhet sa më i besueshëm për lexuesin. Libri duhet të jetë sa më i vërtetë. Çështja e besueshmërisë i përket e gjitha lexuesit. Me vete e kam quajtur roman me fëmini, për shijen që ka fati - dhe kjo mendoj se u jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve teorike e kritike. Ashpërsia e zakonshme ndaj mangësive të vetes ma bëri më të qartë fëmijërinë. Ndodhi, jo pa dhimbje, zhvendosja e një bote të tërë nga gjeografia në letërsi. Pogradeci i hershëm, Tirana e gjimnazit, malli dhe pengjet e aq njerëzve që ikën pa dashuruar aq sa ëndërronin, mallëngjimet dhe hidhërimet vetjake, pamundësitë, lumturitë dhe arritja e disa qëllimeve në jetë etj. Gjeta madje disa përgjigje edhe për krisjen e madhe që pat ndodhur në fatin tim pas largimit nga atdheu. Dyzimi i Gined Enkelanës, më fuqishëm se ai i Home Çkenës tek „Home”, më qartë se i shqiptarit tek „Ëngjëjt e tepërt”, më poetik se sa ai i Ilirit me një sy tek „Sy” etj, më ndihmuan të stërvitem me një gjendje që mund të përshkruhet si koha kur vdekja të mban ndarë nga klasikët, kurse jeta - nga miqtë dhe nga smirëzinjtë, por sidomos të mban larg vendlindjes. M’u fal një pamje më e përsosur e pjekurisë, e pleqërisë së mundshme, ose e vdekjes së parakohshme. Të gjitha janë shprehur me shqipe shpirtërore në roman. Autori

"Dija vetëm se atë vit kur varreza më fali trëndafilin, Komandantit i qe tekur ta pagëzonte Enkelanën Qyteti i Luleve, (mbase i qenë veguar para kohe malet me lule që do të rropateshin t’ia davaritnin kutërbimin e krimeve) dhe shyqyr që s’i pat rënë udha nga varret, se do ma kish këputur trëndafilin fatsjellës. Asgjë më tepër, por as më pak. Përndryshe, kalëroja drejt thelbeve, drejt përfundimeve dhe aty ku mbaronte një djegie, një lumturi, niste tjetra. Ose ndodhnin të gjitha njëheresh. S’mund të jem i saktë. E gjitha më kujtonte fatin e thëngjijve në mangall: digjeshin, shndërroheshin ngadalë në hi, dhe s’mund të përcaktoje se cili digjej më shumë, para a pas të tjerëve. Thëngjijtë ishte jeta ime, kurse hiri – mbijeta. Sepse hiri m’i mbante fshehur thëngjijtë, me gjithë dhembjen, dhimbsurinë, mallin, mallëngjimin dhe ëndrrat e tyre nga sytë e të tjerëve e sidomos nga pështymat. Një thëngjill mund të cilësohej shajnia ime mes varreve, me trëndafil në dorë, duke e gdhirë si puna e fëmijëve të dikurshëm, që, për të dhënë sprovën e parë të burrnisë, viheshin ta gdhinin mes varrezës. U ktheva në Enkelanë edhe më i dashuruar, me trefish më shumë miq në botën tjetër, se sa në këtë botë. Thëngjilli tjetër vezulloi mes liqenit dhe sheshit para hyrjes në parkun e Drilonit, ditën kur Komandanti bujti si përvit të shpinte kokallat dhe të mufaste kujtimet. Kisha dalë me Arielën për piknik dhe autobuzi na kish ndalur mes misrave e ferrave ndanë rrugës, sepse po vinte Komandanti. Dy javë më parë qenë dyndur në qytet toga ushtarësh të zgjedhur, topa, mortaja, tanke dhe dy nëndetse të vogla. Kur Komandanti po na përshëndeste si puna e atij sazexhiut që flladit kakofonitë e një gazele, isha gjendur mes veturës së tij dhe Lasgush Poradecit që ndodhej në shesh bashkë me vajzën e madhe. Krokama e parrullave, përbetimeve dhe urimeve më kish topitur. Edhe Komandantin, edhe Lasgushin i shihja për herë të parë gjallë. Pata qënë ca kohë bebëza e njërit prej syve të Komandantit, mirpo më kishin pushuar nga heroizmi, sepse më pat zënë gjumi nga kapitja dhe nuk e pata hapur bebëzën në kohën e duhur. Isha ende i magjepsur nga muzika dhe përndritjet e verbit lasgushian. Në përputhje me vegimet e mia prej xhindi bibliotekash e kinemash, librat e Lasgushit ishin stër-libra. E shndërronin letrën e vet në atllas ngjyrë qielli vjeshtor dhe mbanin era mysk, unap e hënë pesëmbëdhjetëshe edhe sikur t’i shfletonin parreshtur qënie me dhëmbë të prishur, me ndjenja të mykura, dështakë e papagaj që ishin zënë jo me lot, najrí* e spermë, po me jargë, edhe sikur t’u vije flakën apo t’i burgosje në ndonjë nga shumë depot e atdheut e të vëmendjes. Thëngjilli im pipëtiu në shesh. Komandanti zbriti nga vetura dhe u kthye me sytë largpamës nga mileti. Lasgushi sapo qe kthyer në drejtim të Enkelanës. Ja, më foli thëngjilli: historia, poezia dhe ti. Po, ia ktheva: ja dy pushtete, njëri me sot – me nesër, tjetri me nesër – me përjetë, mirpo është edhe një pushtet i tretë këtu, ndofta i treti – i vërteti. Një pushtet që s’e njeh ende askush, por që do të ndihet një ditë. Sepse ky është pushtet njerëzish që vdesin të rinj e me shumë pengje e malle, një pushtet që vetëm ndihet, nuk flet shumë, nuk mban shënime, nuk mburret, nuk zë vend as në kujtesën e njerëzve, as në vëmendjen e tyre. Ky pushtet vetëm vepron. Në heshtje, me përkushtim të frikshëm, pa mëshirë, njëlloj si arti, njëlloj si sëmundjet, si shpresa, si vdekja, si ngjallja, si diplomacia a triplomacia e të shumtëve. Hëpërhë ky pushtet më ka mua, jeton, vepron dhe shprehet përmes meje. Më vonë, shohim e bëjmë. (...)


* Duhet të jetë fjala për lartimin, fluturimin, pezullinë mbinjerëzore. Shqipërim, ose sajim i imi.
________

Fragment nga Ki$land - roman me fëmini, Librarium Haemus 2014
Një dëshmi e autorit
Foto: A.-Ch. Kyçyku

Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune


Përmbajtje

Synopsis. 2
Fjalë-kyçe 
  • Gadishull që ngjiz një kontinent
  • Rilindja jashtë trojeve, ose Atdheu ngjizet më parë në letërsi
  • Interbellum
  • Diktatura – një diktat pa ura
  • Kaosi që ngulmon të zëvendësojë arsyen dhe vlerat
  • Revista Haemus ose Esse non videre
  • Librarium Haemus 

Bibliografi e përzgjedhur 
Listë e pjesëshme alfabetike e autorëve të Revistës Haemus* 
Curriculum Vitae [FR] 


Synopsis


Historia e botimeve shqip në Hapësirën Rrumune është shumëvjeçare dhe tejet e pasur. Botimet e disa prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe zhvillimi i pazakontë i shtypit qysh nga gjysma e dytë e shekullit XIX, dëshmojnë se hapësira rumune mund të këqyret si një gadishull nga i cili ngjizet një kontinent i tërë. Gjatë periudhave të ndryshme historike, botimet shqip iu nënshtruan synimesh që kulmuan jo vetëm me krijimin dhe forcimin e Shtetit Shqiptar, por edhe me ruajtjen dhe pasurimin e shqipes së gjithëkohëshme, që, përmes librash e autorësh të zgjedhur, zhvillohet edhe sot në të njëjtën hulli. Kësaj shqipeje, të përfshirë tashmë me të drejta të plota në vargun e gjuhëve të tjera evropiane e më gjerë, të aftë për vepra me vlera të përbotëshme edhe nëse nuk përkthehen në gjuhë të tjera, i shërben edhe Revista Haemus, themeluar në Bukuresht në vitin 1998.

Fjalë-kyçe


Gjuha shqipe, botime shqip, Hapësira Rumune, Rilindja Kombëtare Shqiptare, libra shqip, shtypi shqip në Rumani, Revista Haemus, Librarium Haemus


Gadishull që ngjiz një kontinent


Historia e botimeve shqip në hapësirën rumune është shumëvjeçare, tejet e pasur dhe padyshim njihet mirë jo vetëm nga historiografia franceze, por edhe nga degë të caktuara të historisë së letërsisë dhe të shtypit, për më tepër që një pjesë e autorëve të shquar shqiptarë me banim të përkohshëm në Rumani kishin lidhje të thella me kulturën dhe qytetërimin frëng. Por mbase njihet më pak e vërteta që Hapësira Rumune (e cilësuar shpesh si “hapësira mioritike”), me një elitë dikur gati krejt frankofone e frankofile, ka qenë për shqiptarët e mërguar dhe sidomos për letërsinë shqipe njëra nga qendrat themelore të frymëzimit e të arritjeve, njëlloj sikur të ndodhej në libra e jo në realitet. Fjala “mioritic” rrjedh prej baladës popullore rumune „Mioriţa” (Shqerrkëza) – një kryevepër e ndjeshmërisë artistike dhe e gërshetimit të së këtushmes me të përtejmen. Nga pikëpamja artistike, kjo hapësirë, falë këmbimit shajnitës të maleve me honet, të kodrave me luginat, të detit me liqenet e lumenjtë, të vapës me thëllimin etj krijon një baraspeshë, një dhimbsuri dhe një gjendje të veçantë përmallimi e besimi në botën e padukshme, një përftim befasues të jetës, dramave, vdekjes, përjetësisë, me vlera të pangjashme sidomos për poezinë.

“Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…”

Lasgush Poradeci - 30 vjet pas “kthimit” (12 nëntor 1987)

"Liriku më i shquar i shqipes dhe njëri nga më të panjohurit shkrimtarë të Evropës, u lind më 27 dhejtor 1899 në qytetin e Pogradecit, në Shqipëri, buzë Liqenit të Ohrit. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur fatin të linden në një hapësirë kaq të bukur. Duke njohur mërgimin qysh në fëmini, fillimisht nëpër Manastir (Bitola)[1] e Athinë, poeti i ardhshëm do ta shndërronte mbiemrin në hapësirë dhe anasjelltas, për të shmangur çdo ndarje të Bukurisë lindëse nga Vuajtja krijuese. Llazar Gusho do të bëhet Lasgush Poradeci. Në Qytezën e Zotave, i rrethuar nga fantazma të lashta që pëshpëritnin në të hamendësuarën gjuhë mbarëballkanike, Lasgush Poradeci përvetësoi mënyrën e të jetuarit sipas Ataraksisë[2] - parimi filozofik i Sextus Empiricus-it të Romës së lashtë. Mësoi të rronte i shkëputur edhe nga vuajtjet e veta të përditshme, nga himerat, nga mallet dërrmues; u stërvit të jetonte mbi ta, përndryshe ndjeshmëria e jashtëzakonshme mund ta nxirrte mendsh. Kjo ishte e papranueshme, përderisa ai ende nuk i pat shkruar kryeveprat. Ataraksia[3] e mbronte nga vuajtjet tepër vetjake dhe joprodhimtare, por edhe e detyronte të vuante bukur në vend të atyre që nuk janë në gjendje ta shndërrojnë vuajtjen në jetë të epërme / letërsi. Shpirti i tij u zhvillua aq shpejt, saqë do t’i lypte një gjobë të hidhur trupit: një tuberkuloz eshtrash. Me vdekjen e shkallëzuar të lëndës në trup dhe me pavdekësinë e fjalës në mendim, Poradeci mbërrin në kryeqytetin e botës trako-latine, në Bukuresht - një tokë e premtuar për shqiptarët e breznive të ndryshme. “Kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet mban emrin më bujar të të folurit shqip”[4] e pret sikur të ishte një mërgimtar i thjeshtë, pa emër. Me gjithë sprovat dhe shijet jo përherë të këndshme[5], Bukureshti do të mbetet vazhdimisht për poetin si një lot malli, me madhësinë e zemrës, e me këtë zemër të dytë, nga largësitë, ai do të rijetojë çastet më të bukura të të gjitha trojeve të huaja nëpër të cilat pat kaluar e ku, me mund pa fund, pat shndërruar çdo vuajtje në art magjie. Heraherës merr arratinë drejt Câmpulung Muscel-it, qytezë gati përrallore, ku bashkëshortja e të vëllait, Vangjel Gushos, Lucia, kishte shtëpinë e prindërve[6].

Mitrush Kuteli, ose Kulme dhe cepa në Ilirinë e Poshtme

Lidhjet mes letërsive rumune dhe shqiptare ishin gjithashtu të thella. Veç Poradecit dhe Emineskut që mund të këqyren si binjakë shpirtërorë të lindur në epoka e gjuhë të ndryshme amtare, gati e njëjta lidhje (marrëdhënie) mund të vërehet edhe ndërmjet Mitrush Kutelit dhe klasikut të prozës rumune Ion Creangă (1837-1889). Prozator, eseist, poet, kritik letrar dhe shqipërues i shquar, pasi kalon nga Manastiri (Bitola) e Selaniku, Kuteli dëshmon në kujtimet e veta se nisi të shkruajë për të fashitur mallin ndaj vendlindjes dhe gjuhës amtare. Po rijap disa copëza që përfaqësojnë rrëfimin e fshehur të nëntekstit:
1. „Kjo që po lëçitni është jeta ime. Vetë e rrojta, vetë e shkrojta. Me gazet e saj, me helmet e saj. Të gjitha të perënduara sot e kaqe të larguara sa më duken sikur s’patnë qënë kurrë. Por dyke i shkruar tani, në vitin e tridhjetë e shtatë të jetës, i rrojta edhe një herë. Dhe qesha, dhe qava“[1];
2. „Neve, kur dëgjuam shqipen e shqipëtuar, mbetmë të velur e të tronditur edhe përgjigja na u pengua në gurmaz[2];
3. „Si pata shënuar në botimin e parë, rrëfimet e mbledhur në këtë vepërzë janë shkruar midis 1925 dhe 1930 edhe plotësuar më 1938. Disa prej tyre janë filluar në Pogradec dhe mbaruar në Selanik e Bukuresht dhe pjesa m’e madhe janë shkruar drejt për drejt në këto vise, me mallin e shqipes dhe të Shqipërisë në zembër“[3].

Sikur bota të mungonte…



Lasgush Poradecit
në 20-vjetorin e Kthimit
Bukuresht
, 12 nëntor 2007

Gjuha amtare e poetit ka një qarkullim aq të ngushtë, saqë jo pak vetë e pandehin dhe e shpallin të vdekur, ndërsa ajo i mban peng shumë nga bijtë e saj viganë, duke mbetur vetëm e lashtë dhe “e pamëshirshme” si vetë Përkryerja. Sa më mirë ta shkruash, aq më gjatë do të qëndrosh i mbyllur në të. Kjo gjuhë i ngjan një nëne e cila parapëlqen ta mbajë foshnjën në bark, që të mos ia shqyejë bota.

Varrosja për së vdekuri


Varrimi i Poradecit u zhvillua në më të rëndomtin mjedis plot gafa e situata të pakëndshme, tipike në të gjithë regjimet ku vrasja dhe shkatërrimi zenë vendin e vdekjes natyrore, derisa arrijnë ta shndrrojnë këtë të fundit gati në një vepër arti. Telefonatat u lidhën zinxhir gjatë gjithë ditës e natës: zyrtarët shqiptarë nuk vendosnin dot nëse Poradeci duhej varrosur me qivur ngjyrë blu, - si të gjithë njerëzit tanë dhe intelektualët e riedukuar, - apo me qivur të kuq: privilegj i luftëtarëve për ngadhnjimin e komunizmit. Pa qënë i vetmi paradoks i kësaj jete, e kuqja (që synohej njëheresh nga dashuria, e cila pat humbur një nga Kalorësit e saj më të hijshëm) dhe nga komunizmi (që mund të fitonte, në ditën e vdekjes, një idhtar, të cilit nuk ia kish dhënë të drejtën e zgjedhjes gjatë jetës), mbeti në anën e komunizmit, dhe Lasgush Poradeci u vendos në një arkivol ngjyrë blu, u rrethua me lule e kurora, dhe u ruajt nga të dy anët prej shkrimtarësh të realizmit socialist, me shirita të zinj në krah.
Pjesa tjetër e varrimit, sikurse fati i poetit në faqet e kritikës zyrtare, u udhëhoq po prej tyre. Në fakt, nuk kishin humbur pak. Drejt cilit do ta drejtonin ata tani e tutje atë heshtjen e sëmurë, rrënuese, e të mos merrnin asnjë përgjigje të të njëjtit lloj harbutllëku?! Cili mund të ishte tash e mbrapa aq elegant, i qetë ndaj makthit të tyre për t’i dëshmuar oreçast Lexuesit se ai nuk gjallon më, ka vdekur me kohë, njëheresh me poezitë e rinisë dhe me dashuritë e asaj kohe?! Kushedi sa u duhej të prisnin derisa toka shqiptare t’iu bënte dhuratë një tjetër të gjallë kaq të çmuar. Se vërtet komunizmi ishte i pavdekshëm, por ata ishin të vdekshëm. Matanë nuk i priste asnjë jetë tjetër, asnjë botë tjetër, prandaj asnjëri syresh s’mund të pranonte të humbte një fat të tillë: shkatërrimin e një poeti të lindur. Shkatërrimin e përditshëm, të ngadaltë, të vënë në jetë me më të mbrapshtin sadizëm stërgjyshor. E kanë varrosur aq herë me mend, sa tani s’janë më në gjendje ta varrosin nën tokë. Se cila është toka ku mund të varroset Poradeci?!

Hapësira që vazhdon të mbahet peng


[Ex Oriente lux. Kur jeta trëndet mbi kokë. Jemi “në Portat e Lindjes, ku asgjë s’merret seriozisht”. Mbështetës të Jetës së Epërme në “Fuçinë me Barut”. Xhelatë dhe të flijuar. Atje ku hahet më mirë dhe atje ku vuhet më bukur. Nga vuajtja vetjake – tek vuajtja e dhe në vend të të pagojëve. Vuajtja nxjerr emrin nga numuri. “Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…” Përkthime nga Jogjuha / Mbigjuha. Më thuaj për çfarë vuan, të të them cili je; sepse do të kuptoj çfarë dashuron dhe si dashuron. Një Shekull i ri, apo vetëm njëqind vjet të tjerë… Vuajtja që, përmes tekstit, njëson kohët dhe qëniet, duke ringjizur kontinentin e dikurshëm. “Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet”. Kakofonitë shpirtërore, ose ligjërimi i ngurtësuar i egocentrizmit në Fuçinë me Metafora.]

E rishmi jeta
M’u trënd mi kokë
Dh’u shemba e mbeta
Si shkëmb përtokë.

Si shkëmb i rrëzuar
Në vrull shtrëngate,
Pa ndrysj në duar
Kaq mall që vate.
Lasgush Poradeci, Flaka[1]

Căci te iubeam cu ochi păgâni
Și plini de suferinți,
Ce mi-i lăsară din bătrâni
Părinții din părinți[2].
Mihai Eminescu, Pe lângă plopii fără soț

Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet.
Ioan Es Pop[3]

”Perëndimi nuk është interesuar asnjëherë për shkrimet tona, përveçse përmes ca gazetarësh që marrin urdhër nga një kryeredaktor, i vetëdijshëm se duhet të japë çdo muaj, çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj (...) nga një lajm për ne. (...) Përndryshe, çfarë t'i joshte në shkrimet tona, kur këto, në shumicën e rasteve, ishin kopjime nga shkrimet e tyre?! (...) Sytë e perëndimorëve janë edhe ata sy si gjithë të tjerët. Sy teleskllevërish”
Marian Popa, Avokati i të paudhit

"E kam humbur krejt krenarinë time prej shtetasi,
krenarinë shoqërore, etnike, fetare; më është zvjerdhur kombi,
ndërsa Ballkani më duket si një tas i thjeshtë pështymash për fuqitë e mëdha.
Vetëm besimin në Gjuhë, në Mirësi e në Flijim nuk e kam humbur.
Përmes tyre, si ndonjë fëmijë, ribëj përditë edhe këtë lodrën që quhet Shpresë".
I. D. Sîrbu

”Rruga ime prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!”
Hiqmet Meçaj

Ex Oriente lux[4]

Duhet thënë se, në një masë të madhe, përfaqësuesve lindorë të Evropës nuk u rritet më fama, nuk u rëndohet gjoksi me medalje e as nuk u bymehet xhepi nga viktimizimi i vetvetes. Kur numuri i viktimave dhe i kalvareve kapërcejnë çdo përfytyrim, pakkush mbetet i prirur t’i besojë, ndoshta ngaqë pranimi i tyre e rrit padurueshëm përgjegjësinë. Kurse në Lindje, marrja përsipër e gabimeve të së kaluarës nga ana e disave dhe zbutja e frymës ndëshkuese nga të tjerët nuk na ndihmojnë të kuptojmë nëse bëhet fjalë për një rikthim të Moralit, apo për një tjetër goditje imagologjike, si zakonisht mjeshtërore dhe e pamëshirshme, e ish-ëve. Këta të fundit e urrenin vuajtjen krijuese dhe, gjatë një gjysmëshekulli, u orvatën ta zëvendësonin me një vuajtje kryekëput lëndore, duke ndihmuar tërthorazi, të vetëdijshëm, ose jo, përhapësit e mëvonshëm të globalizimit dhe të shekullarizmit. Sindroma e stomakut që përçmon zemrën, fatkeqësisht mbizotëron edhe sot. Kjo gjendje faktike dhe shpirtërore i detyrohet kryesisht zgjerimit të mendësisë ateiste. Një zhbirim i thjeshtë mund të na bindë se ateisti e do aq pashëndetshëm vetveten, saqë beson se askush dhe asgjë s’mund ta mbrojë, s’mund ta nxjerrë nga telashet e aq më pak t’i shpëtojë shpirtin. Shpirti i tij nis njëheresh me trupin dhe zhduket bashkë me të. Për ateistin nuk ekziston përveçse kjo botë dhe vetëm kjo jetë. Ai kundërshton me përbuzje çdo grishje për vuajtje pastruese e shpëtim, sepse beson në një kozmos të vetëqënë, në një kohë dhe hapësirë në miniaturë, që vijnë nga mosgjëja dhe shkojnë drejt asgjësë. Ai rron (aq sa rron) i bindur se është shfaqur në botë rastësisht, do të ikë së këtejmi njëherë e përgjithmonë dhe u cakton të njëjtin fat edhe të tjerëve. Duke qënë kësisoj më i ulët se demonët (“të cilët besojnë e dridhen në ferr” – Dhjata e Re), ateisti gjithsesi e nuhat se pse ferri është “parajsa” e të këqinjve, siç pohon Constantin Virgil Gheorghiu[5], dhe vjel nga ky këndvështrim një shpresë të vogël për amëshim. Sepse kur edhe ferri del si shprehje e një Dashurie të papërfytyrueshme për njeriun, mund të merret lehtë me mend se ç’dashuri bart pjesa tjetër e botës.