Showing posts with label Ion Creangă. Show all posts
Showing posts with label Ion Creangă. Show all posts

Mitrush Kuteli, ose Kulme dhe cepa në Ilirinë e Poshtme

Lidhjet mes letërsive rumune dhe shqiptare ishin gjithashtu të thella. Veç Poradecit dhe Emineskut që mund të këqyren si binjakë shpirtërorë të lindur në epoka e gjuhë të ndryshme amtare, gati e njëjta lidhje (marrëdhënie) mund të vërehet edhe ndërmjet Mitrush Kutelit dhe klasikut të prozës rumune Ion Creangă (1837-1889). Prozator, eseist, poet, kritik letrar dhe shqipërues i shquar, pasi kalon nga Manastiri (Bitola) e Selaniku, Kuteli dëshmon në kujtimet e veta se nisi të shkruajë për të fashitur mallin ndaj vendlindjes dhe gjuhës amtare. Po rijap disa copëza që përfaqësojnë rrëfimin e fshehur të nëntekstit:
1. „Kjo që po lëçitni është jeta ime. Vetë e rrojta, vetë e shkrojta. Me gazet e saj, me helmet e saj. Të gjitha të perënduara sot e kaqe të larguara sa më duken sikur s’patnë qënë kurrë. Por dyke i shkruar tani, në vitin e tridhjetë e shtatë të jetës, i rrojta edhe një herë. Dhe qesha, dhe qava[1];
2. „Neve, kur dëgjuam shqipen e shqipëtuar, mbetmë të velur e të tronditur edhe përgjigja na u pengua në gurmaz[2];
3. „Si pata shënuar në botimin e parë, rrëfimet e mbledhur në këtë vepërzë janë shkruar midis 1925 dhe 1930 edhe plotësuar më 1938. Disa prej tyre janë filluar në Pogradec dhe mbaruar në Selanik e Bukuresht dhe pjesa m’e madhe janë shkruar drejt për drejt në këto vise, me mallin e shqipes dhe të Shqipërisë në zembër“[3].