Mark Simoni: A mendoni se letërsia shqipe është çliruar nga psikologjia e vjetër e të bërit letërsi, nga klishetë, reminishencat dhe konceptet e letërsisë së kaluar?
Ardian-Christian Kyçyku: Hëpërhë s’ka se si e, sado ters të tingëllojë, s’ka as pse. Ndodh si me moshat e njeriut. Letërsia shqipe është e re dhe, meqë iu desh të kalonte përmes sprovës së realizmit socialist (periudhë pak, ose shtrembër e njohur në Perëndim), ende vazhdon të shlyejë atë që quhet “çmimi i gjakut”. Paguajnë edhe ata që shtypën lirinë e të shkruarit dhe të botuarit, por edhe ata që heshtën, ose thjesht u lindën në atë kohë. Se vlerën e ca gjërave që bëjmë edhe thjesht duke marrë frymë e kuptojmë nga ndëshkimet apo arritjet e mëvonshme. Kam përshtypjen se, edhe për nuk dihet sa kohë, të paktën në shtyp e qëndrime zyrtare, do të vijojë përsëritja e veseve që dikur ishin gati krime dhe që tani paraqiten si risi. Mjafton të përmendet zakoni që, duke shfrytëzuar ideologjinë, dikur sulmohej apo ndëshkohej shkrimtari për shkak të mënyrës si shkruante dhe / ose libri për të ndëshkuar autorin. Por ata që kanë dhuntinë e të shkruarit e dinë se, sa më mirë të shkruash, aq më i lehtë bëhet durimi i gjendjeve të mbrapshta. Sidomos kur aktorët dhe rolet e tyre shihen më qartë se kurrë. Ata që dje lëvdonin me gojë e me shkrim jetën e keqe, sot shajnë ose shpërfillin letërsinë e mirë. E cila vërtet s’do t’ia dijë.
