“ZANI (Me të qeshur)
Do pendohesh
që erdhe, ta dish! Se nuk të ndahem tani. Roje më ke edhe në gjumë. (Përqafohen
sërish). Plot njëzet vjet kemi humbur; duhen mbushur. Siç shikonim dikur kalecët,
ose hafijet e mundshme, tani do më shohësh mua. Dhe unë ty. U teprua shumë…
Njëzet vjet. Njëzet e ca, bilé!
INDRITI
Ajo ‚ca’-ja
është më e hidhura…
ZANI
Atë ‚ca’-në
do ta mbytim të parën me fërnet… (Qesh me të madhe). Tani më thuaj planin që ke
dhe roja do ta verë në jetë. Vetëm
disa kushte do t’i plotësosh medoemos, se gjërat nuk janë siç mund t’i kesh
mësuar nga gazetat.
INDRITI
(Buzëqesh)
Roja të
dëgjon me përkushtim.
ZANI
Një – nuk ke
të drejtë të futësh dorën në xhep, as po pate ndonjë vrimë dhe synon të kapësh
diçka, ha-ha-ha; nuk ke të drejtë të marrësh taksi, të paguash motelin,
celularin, cigaret, drekat, darkat, gocat…
INDRITI
Duhet të
jenë bërë gra ndërkaq…
ZANI
Gra dhe nëna
gocash si thëllëza...
INDRITI
Besoj je
kujdesur që të mos pleksesh me tët bija.
ZANI
As me të
miat, as me të tuat. Se ti s’para le goca
kur ike…
INDRITI
Rrezikoj të
më hedhin në gjyq që plaka popullsinë?!
ZANI
Në luftë,
byrazer, se paqja vetëm rrit thonjtë dhe leshtë!
