Showing posts with label "Gjaku asnjanës - Jetë suflerësh". Show all posts
Showing posts with label "Gjaku asnjanës - Jetë suflerësh". Show all posts

Gjaku asnjanës - Jetë suflerësh [teatër]

"Nuk dihet edhe me sa të vdekur do ta paguajmë këtë betejë, derisa të vijë mirëkuptimi dhe paqja. Nuk dimë me sa të ligështuar, të coptuar shpirtërisht, të plagosur për vdekje, të dalë mendsh. Kush mund ta dijë? Edhe në e dittë, sa bindshëm mund ta shpjegojë, që kjo e gjitha të jetë e pranueshme, për njeriun e kam fjalën. Se mund të jetë e pranueshme, madje mëse e natyrshme, por jo për njeriun. Vallë, s’kishte një mënyrë tjetër për t’u plakur?! Nuk u gjet diçka tjetër, ose krejt tjetër, që të harxhonte këtë kohë e të plakeshim si qëmoti, pas shumë punësh, dhembjesh njerëzore, hallesh e ëndrrash?!"


Gjaku asnjanës - Jetë suflerësh / teatër

Motto: „Këtu rrinë të palëvizshme / Rrotat katrore / të zemrave tona” 
Nichita Stănescu


I.

Trokitje në dyer e porta, trokitje të lehta, të forta, larg, afër, të ngutura, të ngeshme, treten në ajër, rikthehen. Trokitjet do të ngjallen shpesh gjatë ngjarjes, duke ndërhyrë edhe mes bisedave, mes pamjeve, mes të qeshurave, vajtimeve, ofshamave, mllefeve dhe grahmave të lumturisë (kur fanitet këtejpari). Disa nga trokitjet i merr era, ose shndërrohen në erë. Por ndodh edhe që copëza ere të shndërrohen në trokitje.
Mugëtirë. Llampa e moçme, mbushur me pluhur e mushkonja të ngordhura e kafenesë ”Erdh’ sahati” përpëlitet mbi sheshin me pak gurë dhe me dy trungje të çarvalitur pemësh. Në vend të apostrofit, mes pjesëzave „Erdh” dhe „sahati”, është vizatuar një biçak me myll kocke. Përreth ngrihen porta dhe dyer madhësish të ndryshme, si të gërvishtura në shkëmb, dhe disa oxhaqe pa çati. Llampa fiket njëheresh me daljen e diellit. Ulur në karrike druri mezi shquhen hijet e katër burrave të moshuar që rrufisin kafe. Presori, Vasili, Zyberi dhe Hasani do të faniten njëri pas tjetrit, pak para se Miri Memeci t’i përshkruajë. Dy herë me radhë, Miri Memeci do të ndreqë „syrin” e dritës, që nxjerr në pah Zyberin kur flitet për Hasanin dhe anasjelltas.
Rrezet e para të mëngjesit bien mbi Miri Memecin dhe e paraqitin si ndonjë skelet që nis e mbushet ngadalë me mish. Rrobet e tij janë të thjeshta, ngjyrë hiri, pa kurrgjë të veçantë. Në sup mban varur një stekë që të kujton petsin e byrekut.
Miri Memeci avitet deri në zgrip të oborrit dhe hap duart me një gjest që mund të shqipërohet „s’kemi ç’bëjmë…”.

Miri Memeci
Të gjithë e dinë, por asnjëri nuk pranon se këtu ka më shumë porta e dyer, se sa gjitarë. Ka shumë më tepër gji-tharë, se sa gjinj – dhe shumë më tepër gjinj se sa qumësht. Të gjithë fëmijët janë rritur. Asnjë prind nuk e ka vrarë veten. Ju bren kurreshtja edhe për ndonjë hollësi tjetër të kësaj natyre? Po: lindemi të rrethuar nga porta e dyer të të gjitha përmasave. Mirpo asnjëra nuk ka më tepër se anën e jashtme dhe anën e brendshme. (Hijet vërtitin kokat anembanë, sikur të numurokëshin dyert dhe portat). Jeta jonë rrjedh matanë dyerve, por edhe më-këtanë. Dyert na ndajnë, dyert na mbajnë bashkuar. Kemi lidhur një pakt, si i thonë, që as prindërit, as pjellat e tyre të mos kërkojnë më shumë se aq. Se çfarë, do të pyesë ndokush. E më mirë t’i përgjigjem unë, se sa kjo jetë. Se kjo jetë ka një gjuhë si gërshërë, që ta pret gjuhën. Ju kanë ardhur gjë gjuhët në majë të hundës, byrazerë?! (Kthen shpinën. Mendohet pak, pastaj ngre kokën drejt dritës dhe nis të rrokëzojë) D-y-y fjalë për gjakun e keq dua të shtoj. Mos pandehë kush se kjo s’ka lidhje me ngjarjet. Po kush je ti, mor pusht, mos buzëqumësht, do të hidhet ndonjëri, për cilin e mban veten që guxon të na hapësh sytë?! Do t’ia pres shkurt: U bëfsha zëri yt! Dhe s’do të jetë as i pari, as i fundit.
Dëgjohet një bori, me tinguj të pikëlluar, vajtimtarë.