A glorious and dying Tribe – the epos of an oblivion [onLine]
Romanzi allo specchio
Nder / nga romani "Sy" [2003]
Zyra ishte e tëra
ar, mermer, qelq kundër plumbit dhe dru arre i shtrenjtë. Në skajin ku gjysma e
vështrimit tim arrinte, ngrihej Vegla e Mamasë, e pastruar, e lyer me llak, pa
jetë. Pjesa e padukshme për mua e zyrës qe e stërngopur me trofé të vetat
fotografike: syshkruara Flutura në mbi njëqind pamje, tokje duarsh të tij me
qeveritarë nga e gjithë bota, me tregtarë e themelues korporatash, buzëqeshje
nga maja e Tour Eiffel-it, nga Binjaket, buzë liqenesh e detrash me famë,
mbështetur pas shtatoresh të lashta greke, romake...
Të gjithë e dinin se ish-Koçon e Vanthies, ish-Koço Puthjen, tani: Koço Stërputhjen kaherë e pat ndjekur gropave leku e dyfeku. Dyfekut i kish bërë bisht me burrëri e dinakëri të rrallë, kurse leku e kish kapur keqas për zverk të fatit e s’kish ndërmend ta lëshonte, ndofta gjersa mania për t’u hekurosur mbi letra t’i kalonte...
Kufij
Endrita po tregonte një barcaletë me ulokun që pat
hipur në shpinë të të verbrit, kur Home Çkena, në vend që të qeshte qoftë edhe
sa për miqësi, tha mendueshëm:
- E
ç’të duhet jeta ndonjëherë?! Ata që kishe në atdhe kanë vdekur, ndërsa ti je mëse
i vdekur për të gjithë ata që kanë ngelur atje… Je si ndonjë shpikje…
Endrita
dhe ne bëmë sikur s’ia vumë veshin. E dinim që kishte një përfytyrim të veçantë
rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar gjatë një takimi qesharak me njërin nga
ministrat e panumurt që vinin të na bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me
gjunjët tanë të capaluar hallet që ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë
ishte çunak, faqekuq, një nga ata që shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me
bollëkun, qivuren në kostume të zinj, venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin
e mbajnë fjalime si nga rropullitë e rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të
dashur bashkatdhetarë, të dashur vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…».
Në sallë, padukshëm, kish plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh
dhe që nuk para humb hidhërim, po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen
e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i
ndrojtur nga natyra, ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe
të cilën s’ishte asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte.
Pat ngulmuar aq herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta
në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë
e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se
do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ».
Papritmas qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:
- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të
bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.
Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e
qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të
zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të
shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë –
si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».
- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas
mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do
ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin
vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa
atdhe nën shputa…
E në mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit. (...)
Ç-ja, mendja dhe apostrofi
- Po ish-Jugosllavia? - kish pyetur tjetri.
- Shleu borxhin, - ia preu dijetari. E shleu të tërin menjëherë. Kurse ne
të tjerët kemi filluar ta shlyejmë me këste. Qysh në kohë të katragjyshërve...
- Po ata që, edhe pas luftrave, janë prapë në tranzicion?
- E, atyre siduket u duhet të shtyjnë edhe një luftë!
Iliri me një sy qe larguar i zhgënjyer. I dukej sikur të gjithë bënin çmos për të mos e lënë të ikte. Përdornin të gjitha marifetet vetëm që ai të ngordhte aty, si merimanga në vrimë të qenefit.
Një kartë malli e çmalljeje
Sivëllait tim Rubin Shkreta, nizam shqiptar
Pranë Urës së Qabesë
Shkretëtirë
I dashur vëlla,
Së pari uroj të jesh sa më mirë me shëndet, se shëndeti s’matet me gjë në këtë dynja. U bënë shumë mote që kur ke ikur së këtejmi dhe shpirti na është zhuritur për ty. Lusim të Madhin Zot që të të mbrojë nga egërsirat e shkretëtirës, nga ligësia e njerëzisë e nga zametet e tjera të nizamísë. Po të shkruaj sërish për të ta qetësuar zemrën e përvuajtur. Nga shtëpia i ke të tërë si kokrra e mollës. Pasi shkove nizam, jot ëmë vuajti nja dy vjet, të qau me shtatë palë lotë, po tashti është mirë. Tërë ditën e Perëndisë gatuan, thur triko, jelekë e dorashka për ty e për të afërmit e miqtë, lan e shplan, e mban shtëpinë dritë. Përditë lutet që të kthehesh shëndoshë e mirë. Me anë të kësaj karte, edhe jot ëmë të dërgon shumë të fala, të puth sytë e të lutet ta mbash veten, të durosh si burrat, gjer të kthehesh. Ky paska qenë fati ynë i hidhur: ca jashtë, ca brenda, asnjëherë të gjithë jashtë, ose të gjithë brenda.
Një skaj që i duron të gjitha
(...)
22. Sonila shtrihej lakuriq pranë meje dhe kjo nuk më çudiste. Ndihesha i qetë, sepse asgjë, madje as mungesa e plotë e çudisë, nuk më çudiste më. Fqinji më pat tërhequr vëmendjen se po bëhej gati një javë a më shumë qysh kur qe plevitosur, po shqepej me kanamicina, dhe unë, merre me mend, unë fqinji i tij më i afërt, nuk i kisha thënë as të shkuara, asgjë, madje, merre me mend, kisha bërë sikur nuk dija gjë. Njerëz ishim, dhe një të shkuara mund ta thoshim. Veç kësaj, merre me mend, ai nuk mbante mend të ishim grindur ndonjëherë, për asgjë, dhe nuk shihte asnjë arsye, për të cilën të grindeshim në të ardhmen. Dhe kishte të drejtë. Si gjithmonë. Dhe më bënin për të vjellë njerëzit që kishin gjithmonë të drejtë.
Çmimi / fragment nga romani "Kristali dhe hienat"
Loja e fjalëve dhe e gjërave / Nga romani "Mortët"
Kuja e erës i ravijëzoi
në kujtesë, me dy-tri njolla të vakëta, fytyrën e ligur, me atë lëkurë ngjyrë
pluhuri, të Viron Tobës, rrethuar nga sy vetullpaqethur bufërish. Sy, sy, syyy, fishkëlleu me vete. Shpesh
Viron Toba ankohej se s’i punonin mirë sytë, megjithatë, pa rënë në sy, ua
bënte oreçast me sy grave të botës, ndërsa Lola Mortit ia shkelte syrin në një
mënyrë të posaçme, pavarësisht se të njohurve u thoshte se ajo, me krenarinë e
saj dhe me qëndrimin e paepur, i vriste sytë. Ngaqë ia pat vënë syrin me kohë
dhe ngaqë ish zvarritur qençe për ta shtënë në dorë, ai gati e përpinte me sy;
ndonjëherë, kur ajo, sa çel e mbyll sytë, ia shkelte syrin si me shpoti ndonjë
rioshi, të cilin Toba e kishte halë në sy, ai hiqej sikur s’i trembej syri. Por
ngaqë nuk e kishte (akoma) krejt të
vetën Lola Mortin dhe ngaqë rivalët
nuk ia mbushnin syrin, mbyllte njërin sy, të paktën sa për sy të botës, dhe
sillej sikur s’ia kish zënë syri tradhtitë e sajuara të asaj që betohej se e
donte sa sytë e ballit. Pa i thënë as hap
sytë, as hiqmu sysh, Toba
vazhdonte ta kish me sy të mirë dhe dukej se, sa i përket dashurisë së tyre, e
kish vënë festen mbi sy.
- Fragment nga "Mortët", roman (1988 / 2020), botoi Naimi, Tiranë 2020
- Romani "Mortët" onLine
Çelësi i një kulle / Nga "Home"
- Urdhëroni çelësin e kullës, të
dashurit e mi, - thoshte, dhe: “Kulla është plot me libra”.
Pastaj na kish buzëqeshur, na kish përkëdhelur flokët, kish mbështetur atë kokën e madhe herë në gjoksin e njërit e herë në supin e tjetrit, dhe qe përmbysur nën tryezë për të nxjerrë shumë më tepër vrer nga sa bart një njeri i rëndomtë. Ishte vreri i mbledhur brenda njeriut që s’ka mundur ta nisë pijen në kohën e duhur, ose, siç ngulmoi njëri prej nesh: vreri i një brezi që s’kishte ku të kthehej.
Ajo që është shkruar / nga "Incógnito..."

28.
Dhe ishim puthur në të gjithë parqet e kryeqytetit atë natë. Dhe ishim puthur në të gjitha rrugicat, në të gjithë klubet, në të gjithë autobusët e vonuar, mbështetur pas të gjithë mureve që ende nuk qenë shembur nga shurra e nga parullat. Dhe u puthëm edhe pranë shtëpisë së saj, rrëzë një pallati të sapondërtuar ku nuk banonte njeri. Mundoheshim t’i jepnim zemër njëri-tjetrit, ndonëse zemrat nuk na dilnin as për vete. Ia mora fytyrën në duar. E mban mend? Të kam parë gjatë dhe thellë atë natë. Buzëqeshnim me sy të shkëlqyer. Po të rrinim edhe pak, do të dilnim mendsh, edhepse nuk ishim krejt brenda. Eteshim të ndaheshim sa më parë. E putha në ballë, në faqe, pastaj në buzë. Në faqe, pastaj në buzë, u ndamë. U ndamë një çast. Një çast ajo më mbërtheu. Ajo më mbërtheu për qafe qeshëm. Qeshëm prapë iku. Iku. Më përshëndeti me dorë. Pohova dhe i dhashë një puthje me dorë, me frymë. Në ballë, në faqe iku. Nuk di sa frymë më mbeti. E ndoqa me sy tek ecte drejt hyrjes. I shkova pas i trullosur. Hipa mbi një bordurë. Ajo ecte drejt hyrjes së saj. Shtrëngova nofullat. Por asgjë nuk kafshojmë dot. M’u drodh ashti i trupit. Në faqe në buzë me cigaren në njërën dorë. Me cigaren në njërën dorë e me çakmakun në tjetrën e vështrova për herë ndoshta të fundit. Iris, Iris, thashë. Dhe duke qeshur me sy, lëpija lotët, - se ndarjet nuk janë femërore, apo mashkullore, - që më mblidheshin në mustaqe. I thashë me vete: “Për një gjë do të të lutem…” Drita e shtëpisë së saj kërceu para hyrjes së pallati. U mundova t’ia puthja me mend hijen që iu shformua. Isha stepur. Me atë hije ngjante tani dashuria jonë. Me gjakun që u bë pellg mbi mure. Një gjak si hi i përzjerë me dritë hëne. I thashë pa zë: “Mos e vrit veten, shpirt... Mjafton kjo ndarje...”. Siurdhëron! Gjithçka në rregull. Hiqmu sysh, kërmë! Do të të bëj fërtele, gërmadhë, o dështak! As Zoti s’do të të njohë për krijesë të vetën. Ashtu do të të bëj. As Zoti nuk të njeh pasi të kem vepruar unë. Siurdhëron! Kam një mi në zemër që kur u ndava nga Irisi. Nuk besoni?! Ndoshta keni të drejtë: ndoshta kam dy minj. Siurdhëron!… Endeshin qindra xixëllonja atë natë mbi lumë. Pasqyroheshin zbehtë mbi ujërat e hirta, unë lahesha. Dola në bregun tjetër, lakuriq. Doja të ngjitesha deri te kisha. U ngjita. Muret e gdhendura në gur vezullonin butë. Ishin shandanët e vjetër, kthinat për qirinj, altari, të gjitha të gdhendura në gur. Kjo ishte njëfarë zemre në thelb të gurit. Nuk di se si ndjehesha ashtu. Doja të shtrihesha aty, të plasesha si i vdekur. Rashë në gjunjë. Vërtet më vinte rëndë t’i rrëfehesha një Zoti të njohur nga të gjithë, si me thënë: të botuar, por gjithsesi rrëfehesha në një drejtim. Deri atë çast nuk më qe dukur vendimtar besimi në Zot, se dukej sheshit sa vdekatarë e pa rëndësi ishim. Po atë natë ndjeva se Zoti ishte tek unë, kurse unë isha i qetë. Mëkatet e mia nuk më dukeshin kurrë të llahtarshme apo të padëgjuara dhe nuk vuaja nga ideja se mos, duke ia rrëfyer, do ta lebetisja. E dija tashmë se dashuria falas nuk lebetitet nga asgjë: është ajo që është shkruar. Lakuriq siç isha, dola jashtë dhe u ula te pragu i shpellës. Nuk kisha ftohtë. Cili nga ne është oshënari, pyeta. Një mendim më preu më dysh, dhe njëra nga dy pjesët e mia dha shpirt me një lehtësi që desh më çmendi: i pata fshehur thellë e më thellë mrekullitë e mia, i ngutur nga frika qesharake dhe e pështirë se mos kushedi, në dalldi e sipër, do të isha i detyruar t’i ndaja me derrat, - “Mos u hidhni derrave xhevahire”, siç thuhej në Bibël, - dhe, pa e ndjerë, atje, “thellë e më thellë”, atyre u qe zënë fryma, qenë fikur.
Idera - nga "Ki$land - roman me fëmini"
Pasi u stërvita shpirtërisht që t’i flisja, i shkrova nja dyqind letra që mund të quhen letra dashurie, ose, më saktë: letra pushteti të pamarrë. Qeshë përzjerë në një betejë të padëgjuar me letrën dhe bojën e shkrimit, aq sa shpesh i merrja heshtjet e Inës si hakmarrje, apo edhe si mallkime të letrës dhe bojës. Kur ndodhte të hyja në kinkalerinë e lagjes, (dhe kjo ndodhte përditë), shishkat e bojës më ngjanin me ca vezë që ngjethen e thonë lutjen e fundit pak para se ndonjë zëngjirur t’i pijë me fund. Zbulova me ëndje të veçantë se të shkruarit m’i rriste flokët me shpejtësi, ndonëse dyshimi për morra nuk më bezdiste. Për dashurinë mund të zija jo vetëm morra, por edhe plumba po të qe nevoja. Aq më tepër që flokët m’u rritën të verdhë, pak më të muzgët se të Inës. Letra e mbrame që i qëndisa ndrynte në rreshta vetë thelbin e frymëmarrjeve të mia. Pra: Fjalët janë shumë të dobëta për të shprehur atë që ndjej ndaj teje. Po të them vetëm TË DUA! Mendohu dhe vendos! Këtë letër e ndava mendjen ta mbaja me vete e të mos e përfshija në Thesar, ndonёse faktet e mёvonshme historike mё bindёn se nuk qe kopja e vetme. Mund të thuhet me plot gojën e plot bojën se ato fjalë nuk i kisha shkruar, por lindur. I kisha hartuar me durim burgaxhiu e murgu, me heshtje varri, me mall të vdekuri e gjení kaligrafësh nga ata të lashtësisë. Po t’i hidhje një sy kalimtar asaj letre të rëndomtë fletoreje aritmetike, mund të betoheshe se autori kish zgjedhur nga një album fluturash të rralla e të thara kockëzat e tyre, i pat prerë me gërshërëzë, i pat ngjitur me pështymëzë fëminie a gjak djali të përkorë dhe kish shkruar. Mbeta me bindjen se Ina do të kish rendur drejt dhomës sime e do të më qe hedhur në krahë thjesht edhe vetëm po ta shihte atë letër, pa lexuar fare ç’përmbante. Gjatë hartimit të letrave zbulova edhe thelbin e fjalës duarartë.
“Ati” ose Poezia e mbijetesës - Gazeta "Dielli", New York, USA
![]() |
| [Ardian-Christian Kyçyku, “Ati”, roman, Botimet Poeteka, Tiranë 2017, Çmimi i Akademisë Kult "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit", 2018] |
Gazeta “Dielli” - Për ne do të
kishte interes të shkruajmë diçka rreth librit tuaj “Ati”...
Ardian-Christian Kyçyku: Ngaqë në kohën e sotme lexohet pak, autori ndihet
shpesh si ndonjëri nga ata mashtruesit tek “Rrobat e reja të mbretit”. Ndaj
edhe jam i detyruar të them dy fjalë për ngjarjen. Një baba shqiptar, i varfër
dhe i trajtuar si shumë “askushë” të tjerë, befas blindon derën, i thyen këmbën
djalit të vetëm, Adriatikut, dhe e mbyll në shtëpi, duke i dhënë të përkthejë
në anglisht, sipas porosive të një urdhëri të fshehtë, “Kanunin” e Lek
Dukagjinit. Ndërkaq, Ati lyen flokët, vishet dhe sillet si i biri, duke ua bërë
të njohur sa më shumë vetëve rrugët ku do të endet çdo ditë, kafenetë a
dyqanet, ku do të ndalet, orët kur do të ndodhet në një vend a në tjetrin.
Vazhdimi mund t’i japë secilit lexues një “çelës” të vetin për zbërthimin e
kësaj tragjedie që, në trajta të ndryshme, vijon të rrënojë kudo fate familjesh
e farefisesh.
Çmallje / Nga "Ki$land - roman me fëmini"
"Mortët" - romani
![]() |
| Botoi Naimi, Tiranë 2020 |
Romani "Mortët" onLine
"Mortët" - roman (Tiranë, Pogradec, korrik 1988 / Bukuresht 2020)
* Ballina:KÜdesign, sipas punimit „The place where characters stay before they are born” nga Iulia Enkelana©
Happygram
“I fiumi del Sahara”, romanzo. Lettura d’autore 2019
la congiunzione e, la parola dopo, la parola ogni, la parola parola, la parola così, la parola imparare, la parola nuova, il gruppo di parole gruppo di parole, la parola più e tante altre ancora e ancora. Altrimenti come avrei potuto parlare, anche se da solo? In realtà, le parole erano sempre le stesse, solo che a me sembravano diverse, completamente diverse e quindi le imparavo da capo, come se fossero realmente nuove.
Aprii gli occhi, non so come, e riuscii a scorgere cinque pareti bianche, escluso il pavimento – al quale avevo voltato le spalle, visto che ero sdraiato; nella stanza c'erano cinque pareti bianche, ed era una fortuna che non fossero più di cinque, perché anche se fossero state di più, sempre pareti erano.
Iniziarono a manifestarsi alcuni problemi complicati”. (…)
Traduzione: Kamela Guza
Besa Edizioni 2019
www.ardiankycyku.info
www.kuciuk.blogspot.ro


















