Showing posts with label Ina Tirana. Show all posts
Showing posts with label Ina Tirana. Show all posts

Nizamë


"Asnjё tjetёr nuk synonte ta shtinte nё zemёr, si unё, prandaj tё gjithё donin e madje mund ta shtinin nё dorё, sepse unё e kisha stёrvitur qё tё (mё binte) nё zemёr. Tri ditё me radhё, qysh nё sabah, vajta bёra gozhdё tek stacioni i trenit, me mendjen t’ia mbath drejt Durrёsit, por mbajta patkonjtё, se ajo mund tё kish vajtur nё Vlorё, nё Dhёrmi, nё Sarandё, nё Pogradec etj. Bezen e tryezёs sime tё ballkonit e pat mbuluar njё hartё e madhe e atdheut dhe unё rrija pёrkulur mbi tё dhe goja mё lёshonte lёng, mё vinte ta haja pjesё-pjesё, pastaj platitesha, se mjaft na e kishin ngrёnё tё huajt. Ato ditë u shfaq në jetën time një qënie e dhembshur e plot përkushtim të heshtur, qënie që rrëmbeu, si të thuash, lëvizjet e mia të tepërta, dufin e të qënit ende burgosur në trup, dhe ma preu vrrullin që më shtynte a më tërhiqte drejt këmishës së forcës. Ishte kalë, i bardhë, me nga një trëndafil të kuq tek tëmthi, i pastër si drita. U hasëm tek punishtja a ndërmarrja e materialeve të ndërtimit, afër Ambulancës, pak pasi kisha vizatuar me urinë një hartë çlirimi nga ankthet. Këmbora e tij tingëlloi si përshëndetje. Ndoshta dija pa ditur gjuhën e kafshëve, e atyre që vuanin në heshtje, larg vëmendjes së vdekatarëve, si puna ime. I zoti quhej Toni (ndonëse qe më fort i askujt se sa toni), ishte një jevg i çelët e i paqmë, që pranoi ta shoqëroja dhe të kujdesesha për kalin saherë ndaleshim gjëkundi e ai duhej të shkarkonte mallin. Malli ishte një kalá me tulla të bardha, me thasë çimentoje, me qeresté, qeska, litarë, listela, gozhdë etj. Sipas meje kjo botë kish marrë tatëpjetën dhe çmeritesha që ca njerëz ende merreshin me ndërtime.

- Nizam e ka emrin! - i thashë Tonit.

Idera - nga "Ki$land - roman me fëmini"

"VIII

Pasi u stërvita shpirtërisht që t’i flisja, i shkrova nja dyqind letra që mund të quhen letra dashurie, ose, më saktë: letra pushteti të pamarrë. Qeshë përzjerë në një betejë të padëgjuar me letrën dhe bojën e shkrimit, aq sa shpesh i merrja heshtjet e Inës si hakmarrje, apo edhe si mallkime të letrës dhe bojës. Kur ndodhte të hyja në kinkalerinë e lagjes, (dhe kjo ndodhte përditë), shishkat e bojës më ngjanin me ca vezë që ngjethen e thonë lutjen e fundit pak para se ndonjë zëngjirur t’i pijë me fund. Zbulova me ëndje të veçantë se të shkruarit m’i rriste flokët me shpejtësi, ndonëse dyshimi për morra nuk më bezdiste. Për dashurinë mund të zija jo vetëm morra, por edhe plumba po të qe nevoja. Aq më tepër që flokët m’u rritën të verdhë, pak më të muzgët se të Inës. Letra e mbrame që i qëndisa ndrynte në rreshta vetë thelbin e frymëmarrjeve të mia. Pra: Fjalët janë shumë të dobëta për të shprehur atë që ndjej ndaj teje. Po të them vetëm TË DUA! Mendohu dhe vendos! Këtë letër e ndava mendjen ta mbaja me vete e të mos e përfshija në Thesar, ndonёse faktet e mёvonshme historike mё bindёn se nuk qe kopja e vetme. Mund të thuhet me plot gojën e plot bojën se ato fjalë nuk i kisha shkruar, por lindur. I kisha hartuar me durim burgaxhiu e murgu, me heshtje varri, me mall të vdekuri e gjení kaligrafësh nga ata të lashtësisë. Po t’i hidhje një sy kalimtar asaj letre të rëndomtë fletoreje aritmetike, mund të betoheshe se autori kish zgjedhur nga një album fluturash të rralla e të thara kockëzat e tyre, i pat prerë me gërshërëzë, i pat ngjitur me pështymëzë fëminie a gjak djali të përkorë dhe kish shkruar. Mbeta me bindjen se Ina do të kish rendur drejt dhomës sime e do të më qe hedhur në krahë thjesht edhe vetëm po ta shihte atë letër, pa lexuar fare ç’përmbante. Gjatë hartimit të letrave zbulova edhe thelbin e fjalës duarartë.

Ana tjetër / Nga “Ki$land - roman me fëmini“ (1992-2014)


“Si t'ia dal të hyj qoftë edhe një herë, për disa çaste, në drithmat e mëngjesit që pasoi?! Vitet vanë, mbushur me çikërrima që i pandehim perla, dhe pjekuria na vodhi, ose na e vrau shkallë-shkallë varfërinë, e kjo mund të merret edhe si përdhosje e dashurisë së kulluar. S’kishim asgjë krejt tonën, por Shpirti mbante vetëm anën tonë, atë anën tjetër. Në fakt, kur humbëm varfërinë, humbëm edhe virgjërinë e vërtetë. Pasoi një gjendje që mund të pagëzohet vonim i vdekjes ose vdekje që shtyhet. Hyra në oborrin e shkollës si më i varfëri ndër bashkëkohës, por edhe si më i dashuruari ndër ta. Ina mungonte tek muri pranë portës, nën parrullën “Kursim, kursim, në çdo gjë dhe vazhdimisht”. Nga shikimet nënqeshës e madje përbuzës të djemve, si dhe nga tiparet munxosës të vajzave, kuptova se të keqen ishte e kotë ta ndillje. Ajo vinte vetë: të gjithë na e dinin të fshehtën. Gjithë ai kursim i përbindshëm që na rrethonte nuk na kish kursyer. Kur hyra në klasë, sikur hyri fantazma e ndonjë keqbërësi, ose ndonjë nga ato ngërdheshje shtrigane që çartin trutë e njerëzve nëpër ëndrra.
- He, ke hedh grepat, e? - më zgërdhesheshin dy gjëmues të Inës.

Romani me fëmini ose "Kur Shenjti puth leprozin"


Ditë më parë, në Bukuresht të Rumanisë, në edicionin “Librarium Haemus”, pa dritën e botimit romani voluminoz me 375 faqe, “Puthmë skelet”. Autorin e këtij romani, shkrimtarin e ri pogradecar, Ardian-Christian Kyçykun, që tani e disa vjet jeton dhe krijon në kryeqytetin rumun, në emër të lexuesve të gazetës sonë dhe të shumë e shumë lexuesve që besojmë se do t’i ketë, në ditët që vijnë, kjo vepër e tij monumentale letrare, e lutëm që të bëjë një zbërthim, ose një si dëshmi, ekskluzivisht lidhur me këtë roman të madh. Gjithnjë të vetëdijshëm se, si për akëcilin shkrimtar, edhe për Ardianin, një gjë e tillë është e mundimshme. Megjithatë, për hir të lexuesve të veprës se tij, në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo tjetër, në botën shqiptare a të huaj, ky shkrimtar i shquar shqiptar iu përgjigj pozitivisht lutjes sonë. Në rrëfimin e tij nuk ndërhymë me pyetje në asnjë shteg të rrjedhës se tij. E lamë të ecë, si një lumë vërshues..., ashtu siç është edhe vetë romani “Puthmë skelet”. (Bajram Sefaj)