Showing posts with label "Happygram". Show all posts
Showing posts with label "Happygram". Show all posts

Happygram


"Nuk qe gdhirë ende. Po ç’gjë që ndërtohet mund të përligjë kaq ngut, kaq punë në këtë orë, u habit çunaku. Tani vetëm shkatërrimet nguten. Dhe nuk gaboi. Kamioni ishte cit me arka druri dhe në arka kishte kuti nga ato të llokumeve, dhe në kutitë e llokumeve kishte llokume, dhe llokumet ishin prej dinamiti. Toka vuan urie, mendoi ai. Toka nuk ngopet. As me dinamit, as me skelete. Ngarkuesit e llokumeve të dinamitit dukej sikur ishin të rastësishëm, por secili qe zgjedhur me kujdes, që, po të linte kockat në ajër e në zjarr skëterre, t’u dhimbte sa më pak vetëve. Ishin të vetmet çaste kur ata të paemër fitonin njëfarë vëmendjeje, dhe shlyenin me të qënët askushë një çmim të ngjashëm me atë që paguanin të vlefshmit. Linin pas gëlbazat e vrerit, dhe ato thaheshin e nganjëherë pastruesja ia tregonte të nipit dhe i thoshte: “Ja, të keqen nëna, janë glasa fati, i kanë bërë sgalemët…”.
- Jo, - ngulmonte fëmija. Nuk i kanë bërë sgalemët! I kanë bërë koranët!