Showing posts with label "Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë". Show all posts
Showing posts with label "Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë". Show all posts

Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë


Adem Abazi: A guxoj t’ju quaj një shkrimtar i çuditshëm? Në radhë të parë për faktin se cilësitë tuaja krijuese e shkencore gjejnë vend jo në atdhe, por në Rumani edhe pse "jeni pjekur" në Shqipëri?

Ardian-Christian Kyçyku: Mund të më quani si të dëshironi, sepse çdo çudi që mbështjell punën time nis pikërisht aty ku kjo punë mbyllet. Me sa duket, kur shkruan sikur të jesh shumëkund dhe nxjerr nga loja rëndësinë e të qënit diku, zgjon njëfarë shqetësimi, ndonëse për lexuesin dhe kritikën vendndodhja e autorit s’ka pse të ngrejë peshë. Duhet t’ju them edhe se çudia e mësipërme, - që për mua është një metaforë, me të cilën, miqësisht, një gjendje e panatyrshme duhet paraqitur si hëpërhë e pashmangshme, - nuk kufizohet vetëm në pranimin e një krijimtarie diku dhe mospranimin e saj në atdheun e shkrimtarit, për shembull, sepse atdheu i vërtetë i një shkrimtari është në librat e tij dhe mes mureve ku shkruan. Vlerësimi i atdheut klasik është tjetër gjë dhe s’ka lidhje, por as nuk varet nga shkrimtari. Ndoshta në rastin tim shtresa e çudive vjen si një mbrojtje. Kur isha njëzet vjeç, disa ma dyfishonin moshën, ose për të më çuar më afër vdekjes (që pasuron të shkruarën), ose për të më thënë “Hap sytë!” se koha rrjedh shumë më shpejt nga sa pandehim. Tani që po mbush të dyzetat*, ka zëra që ma pjestojnë moshën më dysh, mbase për të theksuar risinë apo freskinë e atyre që shkruaj. Por ka edhe gjëra krejt të natyrshme, që duken si çudi. Jo të paktë janë ata që më njohin si autor kosovar e këtu s’ka kurrfarë të pavërtete, sepse librat e mi, të cilët mund të mos i gjesh kurrsesi në Tiranë apo në Pogradecin tim të lindjes, i gjen pothuajse të gjithë në Prishtinë. Ndonjë tjetri i vjen për mbarë mungesa ime nëpër tubime e kongrese dhe tjerr fije të një mitologjie që më bën krejt të ndryshëm... Por them se jam mësuar tashmë me të gjitha çuditë dhe nuk më duken të dëmshme. Kur nuk merresh me çuditë, fiton kohë të kulluar për të bërë letërsi.