Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë


Adem Abazi: A guxoj t’ju quaj një shkrimtar i çuditshëm? Në radhë të parë për faktin se cilësitë tuaja krijuese e shkencore gjejnë vend jo në atdhe, por në Rumani edhe pse "jeni pjekur" në Shqipëri?

Ardian-Christian Kyçyku: Mund të më quani si të dëshironi, sepse çdo çudi që mbështjell punën time nis pikërisht aty ku kjo punë mbyllet. Me sa duket, kur shkruan sikur të jesh shumëkund dhe nxjerr nga loja rëndësinë e të qënit diku, zgjon njëfarë shqetësimi, ndonëse për lexuesin dhe kritikën vendndodhja e autorit s’ka pse të ngrejë peshë. Duhet t’ju them edhe se çudia e mësipërme, - që për mua është një metaforë, me të cilën, miqësisht, një gjendje e panatyrshme duhet paraqitur si hëpërhë e pashmangshme, - nuk kufizohet vetëm në pranimin e një krijimtarie diku dhe mospranimin e saj në atdheun e shkrimtarit, për shembull, sepse atdheu i vërtetë i një shkrimtari është në librat e tij dhe mes mureve ku shkruan. Vlerësimi i atdheut klasik është tjetër gjë dhe s’ka lidhje, por as nuk varet nga shkrimtari. Ndoshta në rastin tim shtresa e çudive vjen si një mbrojtje. Kur isha njëzet vjeç, disa ma dyfishonin moshën, ose për të më çuar më afër vdekjes (që pasuron të shkruarën), ose për të më thënë “Hap sytë!” se koha rrjedh shumë më shpejt nga sa pandehim. Tani që po mbush të dyzetat*, ka zëra që ma pjestojnë moshën më dysh, mbase për të theksuar risinë apo freskinë e atyre që shkruaj. Por ka edhe gjëra krejt të natyrshme, që duken si çudi. Jo të paktë janë ata që më njohin si autor kosovar e këtu s’ka kurrfarë të pavërtete, sepse librat e mi, të cilët mund të mos i gjesh kurrsesi në Tiranë apo në Pogradecin tim të lindjes, i gjen pothuajse të gjithë në Prishtinë. Ndonjë tjetri i vjen për mbarë mungesa ime nëpër tubime e kongrese dhe tjerr fije të një mitologjie që më bën krejt të ndryshëm... Por them se jam mësuar tashmë me të gjitha çuditë dhe nuk më duken të dëmshme. Kur nuk merresh me çuditë, fiton kohë të kulluar për të bërë letërsi.

Adem Abazi: Stili juaj krijues është tipik, veçmas një “armik” i realsocializmit, ka diçka refuzuese ndaj këtij stili apo është fusha ku ndjehesh prej së vërteti?

Ardian-Christian Kyçyku: Stilin nuk e bën armiqësia ndaj një tjetër stili, të ndryshëm apo krejt të kundërt. Stili i realizmit socialist, për shembull, nuk e duron dot stilin e lirë, shpirtëror, por kjo hasmëri nuk e ndihmon të dalë nga vetja. Stilin e bën fryma dhe thelbi i një kumti letraro-artistik. Ngaqë mbështetet prej një propagandë ende mjaft të fuqishme, realizmi socialist i josh dhe i shtyn disa autorë që të përvetësojnë stilin shpirtëror dhe shkruajnë libra të cilët, në fakt, për nga idetë dhe synimet, i përkasin dhe madje i shërbejnë metodës diktatoriale. Këtu edhe ndahen stilet: njëri merr urdhëra e direktiva nga njerëzit, kurse tjetri jo. Njëri i nënshtrohet çenzurës së shumëfishtë njerëzore, tjetri përpiqet të mos cënojë me asgjë ligjet arketipale të frymëmarrjes. Kuptohet, ka një dallim të madh midis socializmit si doktrinë dhe realizmit socialist si metodë. Në letërsinë e këtyre kohërave, dukuria e vazhdimësisë së maskuar, apo e shartimit të panatyrshëm ide-stil të kujton një teatër ku aktorë me talent recitojnë mahnitshëm njëfarë mallkimi, ose një blasfemi të vargëzuar. Mund të matet lehtë dëmi që shkaktojnë, ngaqë dëgjuesit priren vetiu të ngatërrojnë dhuntitë e aktorit me ato që ai nxjerr nga goja... Sa i përket stilit në vetvete, më duket e goditur shprehja që përsëriste Jon Luka Karaxhale: “Stili jam unë”. Stili është ai rresht oazesh në të cilat shkrimtari ka fatin të gjejë vetveten dhe Hyun pas rropatjesh nëpër shkretinë e së përditshmes. Është ajo trajtë e autorit ku pakësimi i vdekjes së brendshme dhe i shtirjes duhet ta mposhtë njeriun brenda shkrimtarit dhe ku, sa më natyrshëm, ky i fundit duhet të prekë, ose të njësohet me të përjetshmen e gjithsecilit prej nesh.

Adem Abazi: Letërsia sot është në “defensivë” sidomos në vendet e tranzicionit, një përkufizim i juaji?

Ardian-Christian Kyçyku: Në tërheqje duket sikur është edhe Shpirti. Por, në përgjithësi thelbet, gjërat që kanë në vete pak, ose aspak vdekje, nuk janë të zhurmshme. Lumenjtë e thellë s’bëjnë gargarë, por përkryejnë heshtjen. Kjo heshtje i le gjërat e rëndomta, të mbrujtura me lakmi e nerva, të kalojnë. Tranzicioni ka edhe një kuptim vegimtar: bota po ndryshon me një shpejtësi të paparë. Ajo do të jetë në thelb mjaft e ndryshme nga ç’e përfytyrojmë tani, ngaqë ne përfytyrojmë zakonisht me trutë e të tjerëve, të atyre që, falë një pushteti të caktuar mediatik (që s’ka si të jetë i përhershëm) janë vazhdimisht të pranishëm në shtyp, të dukshëm, të zhurmshëm me çdo çmim. Hëpërhë na duket sikur vendin prej princeshe a zane mrekullibërëse letërsisë mund t’ia kthejë vetëm një Apokalips, një shndërrim i cili t’ia rrëmbejë furishëm e pa të drejtë kthimi të gjitha sendet dhe lëndën kohëvjedhëse njeriut dhe ta detyrojë, si në njëfarë burgu, t’i kthehet leximit. Por kjo mund të vijë edhe falë stërngopjes dhe zvjerdhjes nga materializmi. Nga ana tjetër, fjala apokalips ka si kuptim të parmë zbulesë, jo shkatërrim etj.

Adem Abazi: Rruga e letërsisë shqiptare (Shqipëri, Kosovë e më gjerë) nëpër botë, gjasat?

Ardian-Christian Kyçyku: Mendoni që më shumë se treçereku i fuqive tona, - dhe jo vetëm i fuqive, - deri më tash janë shpenzuar për t’u bërë të njohur në botë e jo aq për të hapur në letrat evropiane e më gjerë një hulli krejt shqiptare, e cila të sjellë risi mes ideve dhe formulave të të shkruarit. Shkrimtarët e viteve '30 i shihnin gjërat më qartë dhe shumë më hijshëm. Ata synonin ta ngrinin fillimisht letërsinë shqipe në vetvete e pastaj ta përcillnin në hapësira të tjera. Sa herë më kërkohet pjesëmarrja në ndonjë bisedë, përjetoj hidhërimin që pothuajse askush s’u kujtua t’i merrte intervista Lasgushit, Mitrushit e sa e sa të tjerëve që padyshim do të na kishin besuar të fshehta jetike. Gjatë dhe pas gjysmëshekullit të errët që emërtohej i lavdishëm, u shemb dhe u përdhos ideali i mirëfilltë letrar. Vendin ia zunë mllefet e tipit „kush jam unë / kush je ti”. Kjo bëri që emrat të rreken të ngrihen mbi frymën e letërsisë dhe që sherre të herahershme e pa bukë të sundojnë mediat tona, grindje që s’kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ecurinë e letërsisë. Mbase prandaj edhe një pjesë e madhe e vështirësive mbeten ende të pazgjidhura. Në radhë të parë mospranimi i disa autorëve të pazakonshëm që kanë jetuar e krijuar në Mërgatë. Apo autorët që janë ndëshkuar pa të drejtë, shpesh për vite me radhë, për arsye jashtëletrare. Duhet të pasojë njësimi i veprës së tyre me Veprën e krejt letërsisë që shkruhet shqip. Më tej, besoj se nuk do të ndodhë që disa emra t’u zenë vendin padrejtësisht emrave të tjerë, por që një lloj kumti të zëvendësojë natyrshëm një kumt të tejkaluar.

Adem Abazi: Shekulli 21 dhe letërsia, pikëlargesë edhe e mëtejme, apo e kundërta?

Ardian-Christian Kyçyku: Po sikur ky shekull të jetë i artë për artin dhe letërsinë pikërisht ngaqë tani beteja mes arit dhe Shpirtit, mes pamjes dhe Fjalës është në kulmin e vet? Jetojmë në epokën e dyndjes së imazhit mbi fjalën, mirpo nuk ka asnjë traditë të denjë fetare a kulturore që të hyjnizojë pamjen (imazhin) duke i hyrë në hise Fjalës, apo çdo mjet tjetër në dëm të Librit. Po të kishte qenë ndryshe, nuk do të përgjunjeshim sot para Librash të Shenjtë e Fjalësh Hyjnore, por para telajosh, televizorësh, kompjuterësh, kinemash etj. Edhe ne shqiptarët betohemi për fjalë të nderit, duke njësuar natyrshëm nderin me më-shumë-se-jetën, pra me një gjendje mbi vdekjen, dhe themi „Të jap fjalën”, jo „Të jap portretin tim të nderit”. Fjala mbetet shtylla kryesore dhe çelësi i pazëvendësueshëm i artit të madh. Është si nëna, të cilën nuk e lind dot asnjëri nga fëmijët e vet... Përndryshe, le të rikujtojmë se libri s’ka nevojë as për rrymë elektrike, as për priza, as për “paterica” të tjera. Mjafton një flakë qiriri, ose një hënë „zemërgjerë”, dhe puna kryhet. Njeriu është ngjizur në mënyrë të atillë që të mund të përcjellë shpesh pa gabime, gati përsosmërisht, fjalën, fjalinë dhe vargun, jo pamjen, qoftë kjo edhe më e thjeshta. Sa i përket letërsisë, roli i pamjes përfundoi qysh në çastin kur të gjitha vijat dhe figurat e tjera u shndërruan në hieroglife dhe gërma. Ai çast i dha artit të pikturës atë që s’e kish pasur ndonjëherë, kurse shkrimit atë që s’do të vdiste më.
* Prishtinë - Bukuresht, dhjetor 2006
me titullin "Pogradecari që njihet si autor kosovar"