Foto: Afroviti Gusho |
Lajmi se vëllimi “Perla” sapo ishte botuar në vendlindjen time, në Pogradec, më gjeti buzë Detit të Zi, që ka të zi, si për çmësyshje, vetëm emrin. Një lajm i tillë nuk mund të më gjente larg ujrave, të ëmbla, a të kripura qofshin. Ishte 15 qershor, një ditë e thellë për mua. Në një ditë të tillë, me numurin që sjell ndërmend hënën pesëmbëdhjetëshe, por edhe të përmallshmin pesmediç, në vitin 1889 ndërronte jetë në Bukuresht mishërimi i epërm i poetikës rumune dhe evropiane, Mihail Eminesku, por sidomos ndërronte jetë në Tiranë, plot 100 vjet më vonë, im gjysh, Llazi Kyçyku, mishërim i panjohur i të vuajturit, i të duruarit dhe i të rrëfyerit shqip. Një pjesë e shkrimeve që botohen në “Perla” janë hedhur në letër në Bukuresht, teksa shumicën e fijeve të rrëfimit i ndjej vazhdimisht të trashëguara prej tim gjyshi, i cili, siç më ka ardhur të shprehem diku, “nuk tregonte, por ndodhte”. Dhuntia e të rrëfyerit ishte aq e natyrshme tek im gjysh, saqë ngjarjet e tij më faniteshin ashtu siç thuhet se i faniten njeriut pak para se të ndërrojë jetë, mbështjellë me atë vello humori që u jep qënieve dhe sendeve një vlerë shumë afër thelbit. Prej tij mësova, veç të tjerash, atë që do ta gjeja të shkruar më vonë nga Shën Maksim Dëshmitari: “Përdorimi i gabuar i gjuhës çon në përdorimin e gabuar të gjërave”. Edhe e anasjellta mbetet gjithaq e vërtetë, dhe me “gjëra” mund të nënkuptojmë “njerëz”, “jetë”, “art” etj.
Më 15 qershor 2012, pra, u gjenda i rikthyer në Poradec, tashmë në trajtë letre, pas 43 vjetësh, me një vëllim që titullohet “Perla” jo për të magjepsur a trandur lexuesin, por thjesht si metaforë e njërës prej prozave ku perlë është Dashuria, dhe mort krejt pjesa tjetër e ngjarjeve, guacka, e cila, megjithë mungesën e jetës, ka një rol shpesh vendimtar në jetën e perlës. Parë nga brendësia e asaj perle, unë nuk jam larguar asnjëherë nga Poradeci dhe asnjëri nga paraardhësit, sidomos gjyshërit, nuk kanë vdekur e nuk mungojnë atje ku duhet të jenë. Gjatë çmalljes së vitit të kaluar, bie fjala, mbërrita në të ngrysur në varreza, ua kërkova varret dhe nuk ua gjeta, mbeta me lule e qirinj në duar, krejt sikur të isha personazh i ndonjë libri që synon të bindë lexuesin se disa qënie vërtet nuk ikin nga kjo botë. Përndryshe, në secilin prej librave të mi, në shqip e rumanisht, varret e tyre gjenden me lehtësi, por nuk ke pse i kërkon, ngaqë ata janë gjallë, më të gjallë se në realitet.
Poradeci i përhershëm (emërtuar Enkelana) mori në librat e mi përmasa të çuditshme dhe u zgjerua fillimisht në Bukureshtin e Emineskut, të Lasgushit, të Mitrushit dhe sidomos në Bukureshtin e tim eti, që, teksa unë mësoja rumanishten, pat kryer disa shqipërime të jashtëzakonshme nga Eminesku, duke ngjizur për mua një gjuhë të ndërmjetme, shqip-e-rumanisht, që mbase kish për kapërcyell iliro-trakishten e lashtë. Pa synuar që të bëj nga Poradeci një qendër të rruzullit e asisoj të tërheq vëmendjen e lexuesit ndaj shkrimeve të mia, por thjesht për të nxjerrë mallin (dhe / ose hidhërimin e mungesës trupore), në më pak se 15 vjet u gjenda i rrethuar nga një rruzull - Poradec dygjuhësh - dhe s’kish si të ndodhte ndryshe kur pikërisht në atë Poradec, në moshën rreth 4-vjeçare, mbi një tapitá (“qilim” muri) të familjes Misto e Afroviti Cici (njëra nga tetot e tim eti), pata shkruar së pari në shqip, me gishtin tregues. Pak para se të shkruaja, më 15 mars 1972 (ditëlindja e gjyshit tim rrëfimtar!), aq i dhembshuri dhe i shtrenjti Misto Cici, më ka bërë fotografinë që tani gjendet në ballinën e pasme të “Perla”-ve. Më vonë, mbi njërin prej syve ngjita syrin tim të “huazuar” prej një fotografie të bërë në Bukuresht në vitin 1997, mbase si dëshmi se ato që pata parë gjatë asaj periudhe nuk do të ndryshonin më, të paktën në librat e mi. Dhe pó në Poradec, në dimrin e shenjtëruar të 1985-ës, shkrova prozën time të parë, frymëzuar nga jeta e Lasgush Poradecit. Lasgushi, djali i Kostandina Kyçykut dhe daja i gjyshes sime nga ana e nënës, Marianthi Kocit, jetoi disa vjet në Bukuresht. Mitrush Kuteli, kushëri i parë me pó atë gjyshe timen, jetoi edhe ai në Bukuresht, ku, siç e dëshmon hapur, dhembjet e mallit e shtynë të rikrijojë në letër hapësirën e bekuar, (ose “cepin e Ilirisë së Poshtme”, siç e quan Shekspiri), për të cilën gjeologu frëng Ami Boué, tek dilte në Qafë Thanë, pat thënë: “Ah, këtu Perëndia paska punuar me hatër!” (Shih librin e tij “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe”, botuar në Paris, më 1821). Edhe Lasgushi, edhe Mitrushi ishin adhurues të kulluar të Emineskut, shqipëruan nga vepra e tij dhe nuk u stepën para hamendjes se në rrembat e Emineskut rridhte gjak shqiptari, ose edhe gjak shqiptari, për më tepër që Eminesku, sipas kujtimeve të Titu Majoreskut, pat thënë se “Shqipja është gjuha më shprehëse e universit”.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit që shkoi, 15 vjet pasi pata mërguar nga Pogradeci në Tiranë, m’u desh të mërgoja nga Tirana në Bukuresht. Dhembja qe e tmerrshme, por isha sadopak i regjur nga mërgimi i parë, dhe zgjodha si vetiu mënyrën e hershme të mbijetesës: mbajtjen gjallë në Kujtesë të Poradecit (qytetit ku vdiset më bukur - kështu më erdhi ta quaja në një roman shkruar pjesërisht në Poradec gjatë verës së vitit 1992). Pastaj nisa ta “mërgoja” në letër. Ndonëse qysh atëhere arritjet dhe bash mrekullitë u lidhën si perlat në një gjerdan, unë nuk dola nga poradecari i dikurshëm. U ktheva rrallë në qytetin zyrtar, duke u kujdesur të mbetem sa më në hije, - se jo për gjithkënd hija është e ftohtë dhe verbane, - dhe vazhdova ta përsosja me aq sa mundja qytetin prej e në letër. E si në çdo akt letrar të kryer me gjithë shpirt, - ndonëse plot anonimë, nga smira a nga padija, më pyesnin “pe nga je ti, mo?” dhe unë ua ktheja “pe atysh”, jo “pe këtush”, siç thuhet në të folmen poradecare, se Poradeci im nuk është “këtu”, por “aty”, pra tjetërkund, - nuk cënova as kohën, as hapësirën e ndokujt, a thua se isha lindur dhe gjalloja vetëm në qytetin prej letre.
Nuk kam ndërmend të dal që ATY!
Pas një numuri të caktuar librash, di se mjaft autorë nuk përjetojnë dot më gëzimin e parmë. Në kohën e sotme, kur nuk heqin dorë së botuari as ata që janë shterur qëmoti e as ata që s’kanë gjë për të thënë, librat u ngjajnë gjithnjë e më shumë ca konservave, të cilave u ka kaluar kaherë afati dhe që mund të përdoren vetëm atëhere kur, veç tyre, ushqim i vetëm mbetet helmi. Ngarendja çarmatosëse e teknologjisë, por sidomos mendësia ekonomike, që, për hir të fitimeve, u jep mundësi shkrimi e botimi gati të gjithëve, ka dyndur trutë e njerëzve me një sëmundje që mund të emërtohet “homo competentum”. Vesi i larmisë me çdo kusht e ka mbushur sheshin e ideve me klishé batërdisëse, duke sajuar një kulturë vërtet shumëngjyrëshe, ku, me një lexim të vëmendshëm, përtej shumicës së debateve, ditirambeve, shkumëzimeve të paranojës etj, zbulon lehtë smirëzinjtë, smirëgrinjtë, smirëbardhët, smirëkuqtë, smirëverdhët, smirëgjelbrit, smirëkaltrit e ashtu me radhë.
Është mirë që letërsia këqyret sot si mjet i fuqishëm mbijetese shpirtërore, por ajo nuk mund të jetë kurrsesi një mjet shpëtimtar për shpirtin e as çek, apo card, që të siguron pavdekësinë. Në kushte të tilla, gjesti i shtëpisë botuese DIJA - Poradeci më ka prekur thellë, se vështirësitë dhe andrrallat e një botuesi të përkushtuar i njoh nga përvoja në Librarium Haemus. Për shkak të një paradoksi që mprihet pas çdo arritjeje në fushën e botimeve, vazhdimisht ke përshtypjen se amullinë e sotme zor ta mposhtë ndonjë botues, mirpo Afroviti Gusho (nga Gushot e Poradecit), poete dhe themeluese e revistës «Nositi», tok me Ilirin, bashkëshortin, e bëjnë pa fjalë të tepërta, pa bujë, me flijime që nuk lypin lëvdata e dekorata, duke ndihmuar që një poradecar me banim në Poradecin prej letre të sjellë një copëzë nga ai Poradec edhe në qytetin e tanishëm. Se kaq i bukur, i bekuar dhe i vogël është Poradeci ynë, brenda e jashtë letrave, në këtë e në atë rruzull, saqë ka gjithmonë vend e kohë edhe për një si unë, por sidomos për nderimin ndaj aq njerëzish të hijshëm e të fisëm, që ishin e nuk janë më veçse në zemrat dhe në librat tanë.
Dhe gjërat janë ngjizur në mënyrë të atillë që shpesh libri më i dobët rron pak më gjatë edhe se njeriu më i fortë.
Poradeci prej letre,
qershor 2012