Showing posts with label "Tregime të padukshme". Show all posts
Showing posts with label "Tregime të padukshme". Show all posts

Gur në fuqi të lotit


Në këtë fis emrat sikur janë prerë nga ndonjë shpallje e Kombeve të Bashkuara, ose nga ndonjë fletërrufé, pat qeshur njëri prej shumë stërnipërve. Merrej me poezi dhe prandaj shkoi për lesh, qe ngërdheshur njëri nga kushërinjtë e tij të panumurt, duke ngulmuar se kjo hale botë nuk është as poezi e as për poezinë. Mund të bëje gallatë më kë e çfarë të doje, por me emrat dhe me numurat kurrë, përjashto rastin kur të qe neveritur jeta. Në një kthinë kujtese që mezi shquhej, matanë breznive me Lindita, Mirdita, Hana, Bashkim, Parti, Shpëtim, Partizan, Dritë, Trim, Luftim, Çlirim, Gëzim, Pajtim, Urim, Fitore, Blerim, Kangë, Shkëlqim, Kujtim, Burim, Mbarime, Krenar, Arsim, Lavdie, Pëllumb, Lule etj, mbështetur nga një brezni me Kreshnik, Marenglen (shartim i Marksit dhe Engelsit dhe Leninit), Ben, Tan, Gon, Mon, Zan, Tos, Mol, Çim, Gim, Elvis, Xhilda, Merlin, Suzi, Moza etj, emri i stërgjyshes Jetnore dukej i huaj, a thua se ata të gjithë nuk rridhnin nga barku i saj. E patën ripagëzuar Jetnore, që t’i zgjasnin jetën, sipas një bestytnie të moçme, sepse emri i parë gati ia kish gëlltitur foshnjërinë qysh ditën e parë. Më vonë, sidomos pasi mbeti vejushë, nuk munguan ata që thanë se mund t’ia kishin vënë më mirë Vdeknore, ose Lotore.

Pak vetë braktisën qytetin për një botë më të dhimsbur pa u vajtuar prej vargjeve të Ma Jetnores. Nuk qe shquar as për hijeshi të veçantë, as për ndonjë zë që ngjeth njerëzinë, as për shtat turbullues, as për ndonjë mençuri të pazakontë, por dinte t’i vajtonte të ndjerët me kujdes, me ndershmëri, pa parti, si i thonë llafit. Nuk kish pranuar si shpërblim as një thërrime floriri a dhuratë a veshje, me përjashtim të një kothereje nga buka e përshpirtjeve të secilit. Por ishte thatime dhe pa uri, dhe kotheret zakonisht mblidheshin në magje, ngurtësoheshin, si ca vezme fishekësh nga pushkët e vjetra.

Ditë e marrë, ditë e lënë


Orën e saktë kur vdiq Udhëheqësi i pavdekshëm e ditën shumë pak vetë, ndërsa çastin kur ra sahati për shpirtin e Xha Gurit nuk e ndryshonin dot. Për herë të parë, - dhe kjo u mbajt e fshehtë, për mjaft kohë, - nuk kish rëndësi kur pat vdekur i pari, por i dyti.

Xha Guri nuk nxori pikë zëri, nuk bëri asnjë shenjë. Koka iu përplas mbi tryezë dy minuta pasi radioja njoftoi zbrazëtinë që do të linte mes nesh mungesa e Udhëheqësit. Kush mund të llogariste ku dhe sa vend do të zinte i pavdekshmi në një botë tjetër, po të gjykoje sa lirshëm mund të merrej frymë pas ikjes së tij?!

Zbrazëtia nisi të bëhej e përjetshme. Po të kish qenë gjallë, tek shihte rrëmujën dhe makthet e farefisit të vet, por sidomos turpin që kish guxuar të vdiste në një ditë me udhëheqësin, xha Guri do t’i kish bërë shoshë me çifte, që të kujisnin, të kafshonin buzkat, të shkulnin leshtë e të grahnin “bah, pikë e zezë, sot e gjeti…” me arsye, jo si pula kokëshkulura që ngarendin nëpër oborr.

- Si nuk duroi edhe një ditë, virani, - shkrofëtinte dhëndrri i madh nëpër dhëmbë. E dinte njeri që është për vdekje ky, se sikur qe i fortë si guri?!

Ndëremra*

 

Prej këtij timit nuk e nxjerr lotin as me plumb, sikur ta kem pjellë vetëm me gjak. Mamaja ime thotë se është më mirë kështu: në këto kohëra, ai që qan, qan kokën dhe fatin e vet. Më vjen ca keq që ndofta as kur të vdes unë nuk do derdhë pikë loti, por nuk i dihet.

Ky i imi qan vetëm në gjumë. Habitet im shoq, se qan sidomos pasi pi qumësht sa për dy.

Kjo imja di të puthë si e madhe. Mbeta pa gojë kur e pashë për herë të parë. O, Zot, thashë: sikur e ka mësuar njeri. Ose sikur vjen e mësuar nga një botë tjetër. Gati më vjen t’u besoj rrëfenjave me rimishërime. Ose rishpirtërime, se na mbyti mishi, na mbyti. As një gram të vetëm nuk më rrëzoi ai çaji që më dhe. Pagova edhe qimet e kokës për të.

Si nën qiell

 

DËSHMITARI – pseudonimi i një djali
nga mosha 13-vjeçare deri pak pas vdekjes


Zërat e tyre dëgjoheshin si nën ujë. I përfytyronim të mbyllur në flluska si ato të sapunit, ose edhe si ato që përshkruajnë ëndërrat në vizatime, dhe buzëqeshnim.

Buzëqeshjet tona largoheshin pó si flluska, po zor se ua vinte njeri veshin. 

Për vite me radhë, asnjëri prej tyre nuk pati kurreshtjen e as mori mundimin të përkthente buzëqeshjet tona të çiltra. I pandehnin flluska të mbrame, nga ato që braktisin vdekatarin para se të japë shpirt, ose njëheresh me daljen e shpirtit, a thua se shpirti qënkej ajër i mbyllur në bula e nuk u përzjeka dot me ujin. 

Dorashka për dritë e hije

Dritat e venitura të sallës zmadhonin pastaj hijen time mbi rrugicën para shtypshkronjës dhe roja vejevinte brenda hijes si ndonjë skllav i mësuar me vdekje pa pikë shprese. Fjalë të zbrazëta më bymeheshin në kokë, falë varfërisë së xhepave, njëheresh me hijen, në shqip, dhe ndonjëherë i thoja me zë, se askush s’ma dinte gjuhën. Ashtu largoja sadopak trokamën e mbytur të tastjerave, që ngjasonte me një ushtri karkalecësh të padukshëm e të uritur. Po hynte një pranverë tjetër, me gjëmën e shndërruar në ngjyra e bindje fluturake se njerëzit në përgjithësi, ose në thelb të tyre, nuk janë aq të poshtër sa duken, ose sa hiqen. Si jeta, mendova pa zë. Si pas një nate të zjarrtë në shtrat, pasuar nga makthi se asaj s’po i vijnë, po i vonohen, nuk do t’i vijnë për nja nëntë muaj e ca zakonet, - ashtu m’u duk vetë jeta, mirpo ajo jetë as nuk mbetej shtatzanë, e as nuk lindte gjë për të qenë. Jo rrallë pata dyshuar se mes shtypjes së shkrimeve, kalimit të bojës përmes plumbit, vulosjes në letër dhe jetës sonë kishte një lidhje të errët, që na shkretonte duke na bindur se po mbushemi me shkëlqim. Tundimi për të vrarë veten më sulmonte veçanërisht në këto ditë, në atë orë, kur roja binte në hijen time si në një çarg, si në një rrjetë peshqsh, a si në një qese për kapje fluturash, dhe ndihej disa herë më mirë sesa unë që isha, në mos vetë hija, të paktën ati i hijes.

Si nën qiell


Zërat e tyre dëgjoheshin si nën ujë. I përfytyronim të mbyllur në flluska si ato të sapunit, ose edhe si ato që përshkruajnë ëndërrat në vizatime, dhe buzëqeshnim.

Buzëqeshjet tona largoheshin pó si flluska, po zor se ua vinte njeri veshin. 

Për vite me radhë, asnjëri prej tyre nuk pati kurreshtjen e as mori mundimin të përkthente buzëqeshjet tona të çiltra. I pandehnin flluska të mbrame, nga ato që braktisin vdekatarin para se të japë shpirt, ose njëheresh me daljen e shpirtit, a thua se shpirti qënkej ajër i mbyllur në bula e nuk u përzjeka dot me ujin. 

Pika që qan

Kur vdiste perandori i radhës, një si e vjellë gëzimi, prej gjaku e lotësh të parrjedhur, llokoçitej brenda robërve. Pasardhësit në pushtet nuk kishin kohë as të gëzoheshin, as të hidhëroheshin, as të lebetiteshin nga e ardhmja e afërt, ose e mesme, se duhej të hanin shoshoqin. Vetëm kasnecët, secili në qelinë e vet, binin në gjunjë dhe luteshin të ngashëryer:
- O, Zota, jepini gjithçka atij që vjen, vetëm poezi jo!
Kasnecët ishin të vetmit që, edhe pa i njohur sivëllezërit e tyre, luteshin gati njëlloj që perandori i ri të ishte gjer edhe më i pashpirti ndër gjallesa, më gjakpirësi, më përbindëshi, vetëm dhunti, apo etje për poezi të mos kishte.

Ata dhe Aty

Photo & Copyright Iulia Enkelana
Nuk e dija që kisha një kockë pikërisht aty. Apo më shtrëngon ndonjë dorë e zezë, që synon të më marrë frymën? Më dëgjon?
Po, zemër.
Edhe zemra kështu më përgjigjet, më ka ardhur në majë të hundës. Gjej ndonjë ledhatim tjetër, se jemi bërë si në kasaphanë.
Po ‘shpirt’ të duket ca si shumë. Edhe mua.
Atëhere hiqi fare dhe bjeri shkurt: po – jo, se fjalët e tepërta vijnë nga i paudhi.
Do ngrihem të bëj kafenë. E martë është sot?
E hënë. Po pasditja e së hënës është tashmë e enjte.
Tënden e ke këtë?
Kë?
Shprehjen.
Jo, po ç’rëndësi ka?! Po të rrish të zgjedhësh se ç’kemi tonën e ç’kemi nga të tjerët, i bje që vetëm ca po e ca jo janë tonat. Edhe ato…
Ehe, po e jo kanë të gjithë.
Po, por i thonë rrallë e më rrallë. Disa vdesin pa i thënë kurrë.
Paska gdhirë. Po kur u gdhi kështu?!

Shkrim & këndim

A.-Ch. Kyçyku, 2012
Jeni të bindur, - tha Hija kur doli nga shpella, - se jeta ime ka rrjedhur më kot në terr, atje ku ca jetojnë Zotin e ca ndjekin verbimin e tyre; në lagështi e gazmende që vdekatari i sajon duke nxjerrë bojë nga gjaku e gjak nga boja; atje ku duhej të fshihja diçka e jo rrallë gjithçka, që të mbetej qoftë edhe një perlë për pritjen tuaj. Jeta ime rodhi, teksa çmimin perlave ua vinit gjithmonë ju – e mund të ndodhte që perla më e bukur të çmohej thjesht sa, a më pak se një guriçkë, dhe anasjelltas.
Por edhe sikur për një guriçkë të qe bjerrur jeta ime,
mjafton(te).

E vështronin me habi e përçmim, por edhe me një adhurim që fshihej nën përbuzje e çudi, sikur ai të kishte njëqind palë sy e gojë në vend të syve.

Por po shoh me dhembje, - shtoi Hija e shpellarit, - se keni pushtuar çdo qosh, çdo skaj, çdo kthinë zbrazëtie, kurse të tjerat, përfshi ca shpirtra e ca sende, i keni marrë me qira. Aq sa më duket sikur secili jeton sot në atdheun e tjetrit. Paskeni mbushur plotin me bosh dhe boshin me vetvete; të gjithë paskan vend brenda jush e mes jush, madje edhe unë, mirpo një grimë kohë e vend për librin, për copat e shkëmbinjve e gurëve ku kam shkruar, për perlën a guriçkën që shlyeva me një jetë në shpellë, - që të mos them në hije, brenda, ose jashtë verbimit, - nuk po e gjej. Rri pyes veten: doni perlën në vend tim, apo mua në vend të perlës?! Apo as njërën, as tjetrin...

Mos, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘mos’
Na, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘na’
E, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘e’
Merr, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘merr’
Për, tha ai që dinte vetëm fjalën ‘për’
Keq, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘keq’
Por, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘por’
Është, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘është’
Praktikisht, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘praktikisht’
Dhe, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘dhe’ (lidhëzën, jo tokën)
Teorikisht, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘teorikisht’
E, shtoi ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘e’
Pamundur, tha ai/ajo që dinte vetëm fjalën ‘pamundur’
ne
(të)
lexojmë
ato
që / që
shkruan / ke shkruar ti
për
ne
,
sepse
secili
prej
nesh
di
vetëm
nga
një
fjalë
dhe
po
nuk
qemë
bashkë
siç
na
sheh
nuk
marrim
vesh
asgjë
pra
i
bie
kesh
jetuar
vërtet
pa
pikë
kuptimi

Bukuri, u gjegj shpellari.

Dhe ai që dinte vetëm fjalën ‘bukuri’ kërkoi me një vështrim shurdhmemeci ndihmën e atyre që dinin vetëm fjalët ‘i’, ‘shpjegoi’, ‘çfarë’, ‘kuptimi’, ‘mund’, ‘të’, ‘kishte’, ‘përgjigjja’, ‘e’, ‘hijes’.
2010

Nga  vëllimi Perla

Atdheu dhe ata që e bënë

Photo: Gentian Kyçyku, Exile, 2010



Të përshëndes, mik i shtrenjtë, dhe flm për tag. Jam ulur në një bar të famshëm, ku kanë ndenjur viganë të artit, dhe po e ngre një gotë për ne, për dhembjet e kurbetit dhe për vendin tonë të mjerë, që ende ka mbetur peng i horrave. Gëzuar. Paçim fat e mbarësi, nga ky bar ku është frymëzuar Van Gogu, Shagali, Pikasoja, Maneja, Moneja, Hemigueji, Ficxheraldi, Bunjueli, Dalìa e të tjerë. Nuk e di cili prej tyre ka bërë gëzuar nga karrikja ku unë po të bëj gëzuar. Po mbase të gjithë janë ulur nga të paktën një herë në këtë karrike. Se në këtë bar, i dashur mik, asnjë karrike nuk është e lirë për nga lavdia.
Përshëndetje, mik i vyer, edhe prej meje. Po e trokas gotën me ty, nga larg, jam ulur në një bar ku tuboheshin çdo mbrëmje Dantja, Petrarka, Ticiani, Rafaeli, Mikelanxheloja, e më vonë Ungareti, Pazolini, Felini, Antonioni, Montalja, Kuazimodoja e plot të tjerë. Kuptohet, në kohë të ndryshme, se këtu kohët bëhen lëmsh, por disa tuboheshin në të njëjtën epokë. Më kish zënë malli për një gotë si qëmoti. Kamarieri thotë se edhe Da Vinçi hante këtu ndonjëherë. Gëzuar, mik, paçim shëndet e pare, se pa ato të shkreta kushedi në ç’strofull minjsh do të përpëliteshim tani.
Pranoni një gëzuar edhe nga unë, të dashur miq. Jam ulur në një han të moçëm, ku e kish për zemër të hante Servantesi. Po, po, në kohën kur ende i kishte të dyja duart, por edhe pasi mbajti burg si burrat në Ulqin. Në murin pranë meje, bash mbi kokën time, në vend të atyre brirëve a krerëve të balsamosur, kanë vendosur plot sqimë njërën nga duart e mjeshtrit të madh, babait të Don Kishotit. Gëzuar. Më duket se është dora e prerë, ajo me çengel në vend të pëllëmbës, por jetojmë në botën e metaforave. Edhe Lope de Vega, thonë, bujtte këtu heraherës. Edhe Lorka i madh…
Gëzuar, u ndezën llampadarët në rrugicën anës barit, janë ndezur edhe qirinjtë brenda në katedrale. Këtu, në këtë orë, thonë, i vinte frymëzimi secilit prej tyre. Bodleri, Rëmboja, Malarmeja, Prusti, Gertrude Shtajni, Ezra Paundi, se mos i harrova… mbusheshin me metafora në këtë kafene. Ndoshta e shkel ndopak, të dashur miq, ama sikur nuk kanë të njëjtën magji vendet ku kanë ndenjur artistë që ende janë gjallë. Se, meqë ra fjala, në këtë barin ku pi përnatë, kanë pirë nga një teke edhe Markezi, Kundera, Rothi… e plot të tjerë që nuk kanë vdekur. Se kur robi është gjallë, s’para ka shije, si me thënë, edhe në qoftë më i madhi i të mëdhenjve.
Gëzuar, Bari i Gjenive i thotë njerëzia këtij barit tim. Sa për të gjallët që përmende, mjafton të kthej kokën, në çdo drejtim, gjer edhe qorrazi, dhe ndesh të paktën njërin syresh. Shpesh hijet e tyre, të padukshme për vendasit, janë më të kapshme se sa vetë vendasit për mua… E keni parasysh: të gjithë bëjmë sikur nuk e njohim shoshoqin, sikur nuk na bën përshtypje që në këtë bar mblidhet ajka e qytetërimit evropian e më gjerë. Por në fakt, shumica e këtyre bashkëkohësve as që janë gjallë. Këta vetëm gjallojnë, ose mbijetojnë. Rrinë si glasat mbi një pllajë floriri dhe s’e kanë haberin me ç’thesare i ka lumnuar Zoti. Po nejse, punë e tyre! Gëzuar! Ta pimë me fund. Ku guxonim ne të ëndërronim se një mbrëmje do pinim në bare të tillë! Kurse tani bëjmë muhabet e pimë online sikur me qenë ke klubi i lagjes…