Showing posts with label Libra në format virtual. Show all posts
Showing posts with label Libra në format virtual. Show all posts

Roje falas dhe ujdira

Pa mbërritur ende tek gushkuqi[1] - zogu, apo shpirti që më ndihmon më tepër se çdo libër të udhëtoj në kohë, - e rraha çështjen me shokët dhe ndërmorëm një veprimtari që ishte vendimtare sa ç’ishte edhe e fshehtë. Ai që tradhëtonte, gjer edhe pa dashje, bënte hak jo vetëm t’i hahej koka (si ndëshkim, jo si shprehje adhurimi), por edhe t’i pritej gjuha. Se ç’ma doje jetën me kokë e pa gjuhë, pa kokë e me gjuhë, me kokë e gjuhë, por pa nder e rrjedhimisht jetë?! Për ne jeta ishte nder dhe nderi – jetë. Jetonim në një truall me bukuri të lartme, por ku, siç thoshte im gjysh: „Po të kishe bisht, ta prisnin; po mos kishe, ta ngjitnin”. Tërthorazi i binte që, po të kishe kokë, ta prisnin; po të mos kishe, s’të ngisnin. Rrëfenjat dhe sajesat e Poradecit (qytetit, jo poetit) kishin nganjëherë aq nektar ose aq helm, me përqindje që mund të të bënin shurdhmemec, sa nuk të mbetej veçse të ndiheshe askush, t’i fshiheshe gjer edhe ndërgjegjes, që Bukuria, si Vdekja, ose të dyja bashkë, të mos shihnin sa i pafuqishëm e pafajnisht i mangët je. 

Në behar, veç çifteve që vinin për muaj mjalti (si armatosje kundër helmit jetëgjatë që thuhej se u kanosej martesave) rrugët e klubet ishin plot me shkrimtarë, shumica të realizmit socialist. Vite më vonë, pasi kuptova se në fillim kish qenë Krijimi, pastaj krimi dhe i treti (i vërteti) shkrimi, do të mendoja se aq bukuri i detyronte (a i ndëshkonte) të mblidheshin si autorët në vendin e shkrimit. Bujtnin të vetmuar, por më shpesh në tufë, mbase me shpresën se gjenía dhe pushteti janë ngjitëse. Mes Udhëheqësit tashmë Legjendar, - që trashte vëllimet me kujtime, - dhe Poradecit (poetit, jo qytetit), - që endej si mes dy botësh, i vrarë për së gjalli në njërën dhe i pavdekur në tjetrën, - shkrimtarët e kohës, bij të kohës së tyre, stërviteshin fshehtas, apo pa e kuptuar, të merrnin pushtetin si etër të kohërave që mund të vinin, por pa i ndalur botimet, për të cilët më vonë u stërbetuan se i bënin nga zori.