"Në afrim të vjeshtës, Poradeci zbrazej. Përhapej rreth nesh, si ndonjë mjegull shpirtrash të përmallur, një heshtje që të bindte se, kur kapërcen një sinor të caktuar vetmie, nuk të nevojitet mbrojtja e askujt. Asgjë, askush s’të shkatërron, s’të vret dot në aq përmallje e vetmi, që mbase e bën njeriun të padukshëm për sytë e fatkeqësisë dhe të mortit.
Ndihesha i lindur në e me atë lloj vetmie.
Shumica dërrmuese e Kokave qenë kthyer në Tiranë e nëpër rrethe, ku duhej të flisnin gju(hë) më gju(hë) me popullin e thjeshtë, që të mund të shkruanin kryevepra, kur ne nisëm fushatën „Të lexojmë ata që ruajmë”.