Showing posts with label Teatër. Show all posts
Showing posts with label Teatër. Show all posts

Dinamit / nga "zv.Libri - copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri"


Fanitet Ikua i Parë me gjeminë e kopjuar sipas gjemisë së Ikos, me libra të stivosur, me llampë të ndezur peshkimi, me peliçe minatorësh, me kokore, me armë gjahu, me një çadër plazhi të zbërdhylur, me një mushama të gjelbër ushtrie.

 

Ikua i Parë (ish-Ushtari 1)

Iko! Iko-o-o-o!

 

Ikua

Ëëëë…

 

Ikua i Parë

Më dëgjon?

 

Ikua

Jo vetëm të dëgjoj, por edhe të njoh.

 

Ikua i Parë

Me gjithë mend?

 

Ikua

Nuk je ti ushtari i popullit ushtar, që më lexoi dënimin me vdekje në mungesë?

 

Ikua i Parë

Unë?!

 

Ikua

Me vendim të posaçëm të datës… ëëë…, the, i pandehuri Iko ëëëë… dënohet me vdekje në litar, në bazë të Ligjit ëëë… neni ëëë… për tradhti të lartë ndaj atdheut…


Ikua i Parë

Hm, po ashtu ishin kohërat, mor Iko. S’kishe nga të mbyteshe.

 

Ikua

Unë kisha.

 

Ikua i Parë

Të shkuara, të harruara.

 

Ikua

Me hak. Të kujtohet sa kemi qarë bashkë në toskërisht?

 

Ikua i Parë

Nuk marr vesh.

 

Ikua

Nuk të kujtohen tërë ato ëëëëëëë?! Ëëëëë, ia priste njëri – ëëëë, ia mbante tjetri. Përtej ë-ve, fati vajtonte n’gegnisht.

Buk(ë)uri...


Pakica
 [Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh]

Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra të poezisë shqipe. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por befasuese, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë dhe të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin të njohë veten dhe të tjerët.

Skenat: I. Buk(ë)uri... / II. Me qëllim që kafkat tona... / III. Zanore, bashkëtingëllore, aroma / IV. Uni-versum / V. Mbiemra zogjsh / VI. Kocka & ëmbëlsira / VII. Le-gjen-da / VIII. Dhe lashë një pikë gjak nga gjaku im... / IX. Minim minimorum / X. Thjesht / XI. Shpirti i atij poetit / XII. Dita e Shpalljes së Poezisë / XIII. Me ti, jo me ju / XIV. Sine ira et studio / XV. Të gjitha perdet

*

Një dhomë e madhe, me tavan të lartë, nga ku varet një llampadar i kaltëryer që nuk është pastruar prej kohësh. Përtej dritares gati sa krejt faqja e murit përballë duken fjollat e dëborës që bie ngadalë dhe disa sorra që sikur kanë ngrirë në degët e pemës së vetme të oborrit. Djathtas dritares është dera e zyrës.

Jashtë po ulet muzgu.

Majtas ndodhen: një tryezë e vogël dhe një karrike druri, ku Mësuesi i Gjuhës Amtare ulet kur nxënësit mbajnë shënim, ose bëjnë detyrat. Në mes të dhomës janë mbi dhjetë stola druri pa mbështetëse, renditur në trajtë gjysmërrethi, me kujdes, gati sikur të jenë gurë varresh, ose kryevepra ende të pakuptuara skulpture. Mbi mure rrinë varur disa fotografi të mëdha me pamje nga deti, nga malet, në të gjitha stinët, dhe copëza vallesh të hershme. Kornizat e fotografive janë të lyera me varak. Mes fotografive është një tabelë e zezë shkolle. Rrëzë murit të djathtë ndodhet një raft i vogël librash, pa asnjë libër.

Miki po bën pastrim me një leckë të lagur.

 

MIKI

Uri e madhe, zoti Mësues, uri e madhe...

 

MËSUESI (Me të qeshur)

S’ka vdekur njeri nga kjo... E dini që, në shqip, fjalët uri dhe bukuri rimojnë? U-ri – buk-uri. Madje fjala bukuri ka brenda edhe bukën, edhe urinë.

 

MIKI

Sa gjë e bukur të mësosh gjuhë të huaja! Kur isha e vogël, ëndërroja të mësoja nja dhjetë gjuhë të huaja, por s’më lanë hallet. Erdhi martesa, fëmijët, vdekjet e prindërve... Si përfundim, po harroj edhe gjuhën amtare... Tani rri e pyes veten se mos jam pjellë kështu...

 

MËSUESI

Si kështu?!

 

MIKI

Së-prapthi, pra. Pa prindër, e martuar, me fëmijë, e robtuar... I bie që fëminia të vijë pas vdekjes së këtyre, Zot na ruaj, ose pas vdekjes sime...

"Kahu i Kujtesës" / Nga "Si", teatër 2018


"ANDI
Ej, dëgjo, se...

ANI
Se çfarë?! S’mund të thuash se edhe unë, po të mos më shisnin ca si yt atë, do të thithja ato që thithin ca si ty. Se unë kisha çmendurinë time të dyfishtë. Atë që kisha dhe atë që bëja sikur e kisha. Por sidomos këtu mendoja për gjërat që i bënin mirë shpirtit tim. Mendoja për metaforat, për krahasimet, për dashurinë... Ha shqip? Apo vetëm thith?! Prandaj ngulmoj t’ju bind se mund të kisha qëndruar fare mirë këtu. Se këtu kisha aq liri e varfëri, sa të mos ia cënoja askujt, po vërtet askujt, as lirinë, as varfërinë, as krimet, as faljet, asgjë. Ngule në kokë si gozhdë, plako: as-gjë! Mirpo ca si yt atë, bashkë me tët atë, që as tani nuk e dinë si quhem unë dhe ata si unë, firmosën dhe na shitën me kile. Thënë ndryshe: na e kthyen kujtesën drejt gjërash që për mua nuk ishin thelbësore. Më saktë: na përulën, na ngujuan në gjëra të rëndomta, kalimtare, të cilat, - kulmi! - duhej t’i trajtonim si vendimtare... dhe siç ndodh rëndom me tiranët e veckël, ata të hijes, e stërholluan dhe e ndanë ligësinë e tyre në aq degëza, për të mos thënë vena, saqë ne të bindeshim se qe fjala për sprova që na vinin nga Zoti!

ANDI
Mirë, pra, po...

Teatër / Teatru / Theater


Tituj / Titluri / Titles

 

Coafura sfinților (The Hairstyle of the Saints, Berberana e shenjtorëve, 1998, ro.)

Dragoste la ultima vedere (Love at Last Sight, Dashuri me shikim të fundit), theater and prose, 2000, ro.)

zv.Libri – copëza jete a letre frymëzuar nga Teatri (The viceBook – fragments of life or of paper inspired by Theater, viceCartea – frânturi de viaţă sau de hârtie inspirate de Teatru 2008, sq.)

Gjaku asnjanës – jetë suflerësh (Neutral Blood – life of prompters, , Sângele neutru – viaţă de sufleuri, 2008, sq.)

Shkëlqesi – 5 pamje nga pasqyra (Excellence – 5 images from the mirror, Excelenţă – 5 imagini de la oglindă 2009, sq.)

 

Në vend të përjetësisë (Instead of Eternity, În loc de veşnicie, 2010, sq.)

Casting sau Cortina nu mai separă nimic (Casting or The Curtain No Longer Separates Anything, Casting, ose Perdja nuk ndan më asgjë, 2013, ro.)

Një botë më tutje (One World Beyond, O lume mai încolo, 2013, sq.)

Si (How, Cum, 2018, sq.)

Homo ex machina 

I. Pantomima, ose Të fshehta nga jeta e prijësve (Pantomime or Secrets from the Lives of Leaders, Pantomima sau Taine din viața conducătorilor)

II. Pakica – ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh (The Minority – an event in 15 scenes and with several kinds of curtains, Minoritatea – întâmplare cu 15 scene și cu câteva genuri de cortine)

III. Një si piano (Something Like a Piano, Ceva ca un pian, 2019, sq.)

Genul – piesă cu un act și un omor (The Gender – a play with one act and one murder, Lloji – pjesë me një akt e më një vrasje, 2019, ro.)

Exodul sufleurilor – stereodramă (The Exodus of the Prompters – stereodrama, Eksodi i suflerëve – stereodramë, 2022, ro.)

Tiparnița – monodramă (The Printing House – monodrama, Shtypshkronja – monodramë, 2022, ro.)

Ultimii oameni filmați (The Last People Filmed, Njerëzit e fundit që u filmuan, 2024, ro.) 

 

Synopsis 

RO: Dramaturgia lui Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk

- adresată ”unui singur spectator”, scrisă în primul rând ca să fie citită, nu neapărat pusă în scenă, funcționează ca o extensie a universului său epic, fiind un spațiu al experimentului filosofic, al dialogului și al confruntărilor directe cu ceea ce este incontrolabil pentru ființa umană. Principalele trăsături ale teatrului său ar fi:

· Un teatru al ideilor: Piesele sale sunt mai puțin axate pe acțiune fizică și mai mult pe duelul de idei. Dialogurile sunt adesea eliptice, pline de subînțelesuri, amintind de stilul lui Samuel Beckett sau Eugen Ionesco, dar cu o amprentă balcanică specifică;

· Minimalismul Scenografic: Multe dintre piesele sale (cum sunt, de pildă ”Exodul sufleurilor – stereodramă”[1] sau ”Genul – piesă cu un act și un omor”) se bazează pe o economie de mijloace. Accentul cade pe prezența actorului și pe forța cuvântului, transformând scena într-un laborator de disecție a psihicului uman;

· Tema Puterii și a Captivității: Un subiect recurent este individul prins în mecanisme de control, fie că sunt politice (dictatura), birocratice sau metafizice. Personajele sale se simt adesea "asediate" sau captive într-un spațiu din care nu pot evada decât prin credință în Dumnezeu, moarte sau nebunie;

· Dimensiunea Teologică și Etică: Spre deosebire de teatrul absurdului pur nihilist, dramaturgia lui Kyçyku caută adesea un sens moral sau o ieșire spre sacru. Conflictul se dă frecvent între degradarea umană și dorința de mântuire.

· Limbaj și Meta-teatru: Autorul explorează frecvent ideea de "teatru în teatru", sugerând că existența însăși este o reprezentație mascată. Personajele își conștientizează uneori rolurile, transformând piesa într-o reflecție asupra procesului de creație. 

SQ: Dramaturgjia e Ardian-Christian Kyçykut / Kuciuk

- i drejtohet "një spektatori të vetëm”. Shkruar kryesisht për t'u lexuar, jo medoemos për t'u vënë në skenë, ajo funksionon si një zgjerim i universit të tij epik, duke qenë një hapësirë e eksperimentit filozofik, e dialogut dhe e përballjeve të drejtpërdrejta me atë që është e pakontrollueshme për qenien njerëzore. Karakteristikat kryesore të teatrit të tij do të ishin:

· Një teatër idesh: Pjesët e Kyçykut janë më pak të përqendruara në veprimin fizik dhe më shumë në duelin e ideve. Dialogjet janë shpesh eliptikë, plot nënkuptime, që të kujtojnë stilin e Samuel Beckett-it ose Eugène Ionesco-s, por me një frymë të dallueshme ballkanike;

· Minimalizmi skenografik: Shumë prej pjesëve të Kyçykut (si për shembull Eksodi i suflerëve – stereodramë apo Lloji – pjesë me një akt e më një vrasje) mbështeten në mjete të kursyera. Theksi bie mbi praninë e aktorit dhe mbi fuqinë e fjalës, duke e shndërruar skenën në një laborator për zbërthimin e psikikës njerëzore;

· Tema e pushtetit dhe e robërisë: Një temë mjaft e pranishme është ajo e individit të kapur në mekanizma kontrolli, qofshin ata politikë (diktatura), burokratikë apo metafizikë. Personazhet e Kyçykut shpesh ndihen "të rrethuar" ose robër në një hapësirë nga e cila nuk mund të shpëtojnë veçse përmes besimit në Zot, vdekjes ose çmendurisë;

· Dimensioni teologjik dhe etik: Ndryshe nga teatri absurd tejet nihilist, dramaturgjia e Kyçykut shpesh kërkon një kuptim moral ose një rrugëdalje drejt së shenjtës. Konflikti zhvillohet shpesh midis degradimit njerëzor dhe dëshirës për shpëtim;

· Gjuha dhe metateatri: Autori eksploron shpesh idenë e "teatrit brenda teatrit", duke prcjellë bindjen se vetë ekzistenca është një shfaqje e maskuar. Personazhet ndonjëherë vetëdijësohen për rolet e tyre, duke e shndërruar pjesën në një reflektim mbi procesin krijues.

 

EN: The dramaturgy of Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk

- addressed to "a single spectator", written primarily to be read, not necessarily to be staged, functions as an extension of his epic universe, being a space for philosophical experimentation, dialogue, and direct confrontations with what is uncontrollable for the human being. The main features of his theater would be:

·  A theater of ideas: His plays are less focused on physical action and more on the duel of ideas. The dialogues are often elliptical, full of subtext, reminiscent of the style of Samuel Beckett or Eugène Ionesco, but with a specific Balkan imprint;

·  Scenographic minimalism: Many of his plays (such as, for instance, The Exodus of the Prompters – stereodrama or The Gender – a play with one act and one murder) rely on an economy of means. The emphasis falls on the actor's presence and the power of the word, transforming the stage into a laboratory for dissecting the human psyche;

·  The theme of power and captivity: A recurring subject is the individual caught in mechanisms of control, whether political (dictatorship), bureaucratic, or metaphysical. His characters often feel "besieged" or captive in a space from which they can only escape through faith in God, death, or madness;

·  The theological and ethical dimension: Unlike the purely nihilistic theater of the absurd, Kyçyku's dramaturgy often seeks a moral meaning or a path toward the sacred. The conflict frequently takes place between human degradation and the desire for salvation;

·  Language and meta-theater: The author frequently explores the idea of "theater within theater", suggesting that existence itself is a masked performance. Characters sometimes become aware of their roles, turning the play into a reflection on the creative process.

Source: internet

 



[1] Cuvânt creat de autor / Word Created by the Author / Fjalë e krijuar nga autori.



Homo ex machina - teatër / 2019

P ë r m b a j t j a

I. Pantomima ose Të fshehta nga jeta e prijësve

I moshuari Pano Mima, - që shpesh e paraqit veten si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”, - hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër se tri fletë. “Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia patën kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje...
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe veteranëve me famë.
Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.

Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.

"Pantomima", ose "Të fshehta nga jeta e prijësve"

Om cu capul în nori / Njeri me kokën në re - Photo A.-Ch. Kyçyku, Paris 2019
[Teatër]

I moshuari Pano Mima, - që shpesh paraqitet si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”, - hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër se tri fletë. “Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia kishin kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje...
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe veteranëve me famë.
Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.
Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.
Autori
Bukuresht 2019


* Së shpejti

"Si" - teatër, 2018

"Dramë e paaftësisë në pushtet dhe pas tij, “Si” është edhe një himn kushtuar Metaforës dhe atyre që i shërbejnë, jo rrallë duke u flijuar, të paktën metaforikisht.
Deri në mbyllje të ngjarjes nuk vdes asnjëri nga të pranishmit, mbase as në sallë". Autori


„Pakica” - Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh

Synopsis

Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra poetike shqiptare. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por e panjohur, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Mirpo askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë dhe të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin ta njohë veten dhe të tjerët.

Gjaku asnjanës - Jetë suflerësh [teatër]

"Nuk dihet edhe me sa të vdekur do ta paguajmë këtë betejë, derisa të vijë mirëkuptimi dhe paqja. Nuk dimë me sa të ligështuar, të coptuar shpirtërisht, të plagosur për vdekje, të dalë mendsh. Kush mund ta dijë? Edhe në e dittë, sa bindshëm mund ta shpjegojë, që kjo e gjitha të jetë e pranueshme, për njeriun e kam fjalën. Se mund të jetë e pranueshme, madje mëse e natyrshme, por jo për njeriun. Vallë, s’kishte një mënyrë tjetër për t’u plakur?! Nuk u gjet diçka tjetër, ose krejt tjetër, që të harxhonte këtë kohë e të plakeshim si qëmoti, pas shumë punësh, dhembjesh njerëzore, hallesh e ëndrrash?!"


"Si" - teatër

[onLine]

Synopsis


Gjatë një mbrëmjeje të rëndomtë, me fara, birrë e thashetheme, anëtarët e familjes së z. Gani gjenden të ngujuar në shtëpi. I çuditshmi Ani i ka mbyllur brenda dhe synon të sqarohet me Ganiun për një firmë që ky e ka vënë vite më parë, në njërën nga zyrat e shumta ku ka punuar. Ani nuk le të kuptohet nëse vjen nga jashtë shtetit, apo nga një lagje tjetër e kryeqytetit, por ka sjellë me vete një si-libër që mund të jetë minë me sahat, ose një si minë që ka trajtë libri. 
Dramë e paaftësisë në pushtet dhe pas tij, “Si” është edhe një himn kushtuar Metaforës dhe atyre që i shërbejnë, jo rrallë duke u flijuar, të paktën metaforikisht.
Deri në mbyllje të ngjarjes nuk vdes asnjëri nga të pranishmit, mbase as në sallë.

Autori


/ II.

ANI
Kjo ngjarje nisi shumë kohë më parë, ndonëse sot gati të gjitha ngjarjet janë pa rrënjë. Ato nisin sot dhe mbyllen pas një ore, ose e shumta nesër, a pas një jave... Për fat, ngjarja ime filloi qysh kur isha në kopësht dhe u thashë bashkëmoshatarëve se qielli është det dhe deti qiell. Nuk e di më erdhi, por ashtu besoja. Ata s’para i dinin këto fjalë, por nuk i gjykoj. Vitet kaluan shpejt dhe njerëzia më damkosi të shkalluar. Bota mbarë kish marrë tatëpjetën dhe, po ta mendosh me qetësi, ata kishin gjithnjë e më pak gjëra që t’i ndihnin të ndiheshin mirë. Një nga këto gjëra ishte çmenduria ime... Besoj se isha në gjimnaz, kur e dashura e parë më bëri lanet për të njëjtin shkak, - po e quaj tepri metaforash, - ndonëse pó ajo tepri e pat hedhur në krahët e mi... (Ndez një cigare pa e lëshuar librin nga sqetulla) Kështu ndodh në shumicën e rasteve, dihet. Në fillim i magjeps fjala, por pastaj nuk ngopen as me vepra... Nejse... Është e vërtetë që unë shpikja ngjarje dhe qënie, aq sa ndonjëherë më vinte ndoht nga vetja, por e them hapur se as nuk rrezikoja kënd, as nuk më kishte njeri halë në sy. E megjithatë pyes veten: çfarë tmerri i mundshëm, çfarë makthi më bindi se duhej edhe të nisja të hiqesha si i çmendur?! Gjatë viteve të mërgimit kam gjetur përgjigje të ndryshme.

RUDOLFI (Ngrihet dhe i avitet anash, me shumë mirësjellje)
Ai libri që keni aty...

ANI
Po, po, nuk ju kanë gënjyer. (Me vete) E adhuroj këtë lloj shumësi! (Rudolfit) E kam hartuar me duart e mia. Kuptohet: e kam punuar fillimisht në kokë, gjatë netëve të stërgjata, ose tejet të shkurtra, të mërgimit. Mbase nuk e keni parasysh. Koha më e durueshme në mërgim është muzgu, ulja e mbrëmjes. Se atëhere gjërat dhe qëniet duken më pak të huaja... Por as gjatë atyre çasteve kafazi rreth teje nuk është krejt i durueshëm. Se të batërdisin malli, pamundësia për të qënë atje ku do, ose pranë atyre që do... Keni vuajtur ndonjëherë qençe që nuk jeni zogj?! (Ul kokën dhe vështron këmbët e veta) Si libër e kam hartuar. Si kryvepër me dashuri, me mall, me mërgim e kthim. E hartova atje, por e mishërova këtu, si me thënë. Nuk them se, po të mos më kishit shitur, nuk do ta kisha hartuar edhe këtu. Por ndodhi ta hartoja atje. Edhe që të mos ma kapnin në doganë, edhe ngaqë besoj me gjithë shpirt se arma e rëndë në vend të vet... (Tregon drejt Ganiut dhe Nexhit) Të parët tuaj, por ndoshta edhe ju, nuk donit të jetonim në të njëjtin vend, ndonëse nuk më njihnit; nuk besoj se doni që ta flemë të madhë në të njëjtën kohë... Se ky si-libri ka një fuqi që... Më saktë: ky libri është si minë – dhe kjo mina është si libër...

RUDOLFI
Aha, e qartë... Nuk e kisha me...

ANI
Dhe s’do ta kesh kurrë. (Me vete) Njëra nga arsyet ishte dhuna e kësaj hapësire. Dhuna dhe servilizmi i frikshëm. Dhuna që ushtronin njerëzit pikërisht me mënyrat që kishin zgjedhur për t’iu shmangur asaj dhune. Dhe servilizmi që përdornin për t’u shkatërruar mesveti... dhuna që hiqej si jetë, dhe servilizmi që trajtohej si mirëkuptim... Por mund t’i emërtojmë edhe egërsi, djegie etapash, etje e pakontrollueshme për t’u dukur, ose për të fshehur atë që duhej nxjerrë në pah... (Të tjerëve) Po më ndiqni?

RENATA
Po, po...

ANI
Herë të tjera bindesha se më shtyu arti... Një art që vlonte brenda meje, por të cilin nuk e shprehja dot as me shkrim, as me ngjyra, as me nota muzike, as në shtrat... me të dashurat... (Ganiut) Ty mund të ta zgjojë kërshërinë përmbajtja e si-librit,profesor... E di si e hartova? Siç u mblodhët ju të rëndomtët dhe u bëtë trup i vetëm... për të degdisur sa më larg e sa më gjatë aq të panjohur, shumica pa u dirsul mustaqja... ashtu i mblodha unë mbeturina, erëza, lëngje... dhe ja ku kemi në mest tënë këtë kryeveprë... (Të tjerëve) Si edhe ju, secili përbërës më vete është të paktën i pranueshëm. Si çdo ushqim i marrë veçmas. Ama, po i bashkove në një mënyrë të caktuar... Mos harroni një mësim të madh nga mërgimi jashtë a brenda, ju lutem: Nuk ka rëndësi çfarë e kë përdor, por si e vendos... A nuk kemi ne tani të drejtë, rrezik edhe detyrë, që të bindemi se autorë janë (Me ton anglishteje) shoku Gun-i me shokë dhe jo unë?! /

"Një botë më tutje" / Çmimi II "Katarina Josip" për Dramë Origjinale Shqipe 2015




 
Ardian-Christian Kyçyku, ”Një botë më tutje”, teatër, Bukuresht 2012, fituese e Çmimit II, Konkursi i Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josip”, organizuar nga teatri Kombëtar i Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, Prishtinë, prill 2016.

Shkëlqesi, ose 5 pamje nga pasqyra [teatër / botim digjital]


"I bje të jesh njëfarë kukulle që kollitet. Dhe unë i adhuroj kukullat, pavarësisht në kolliten a s’kolliten, siç adhuron viktima xhelatin, se ju kukullat jeni xhelatët tanë. Se ju kukullat jeni arratisur nga jeta, nga të gjitha lapërdhitë, dhe na prisni me durim. Prisni të pendohemi a të vrasim veten. Prandaj edhe po të rrëfehem, Shkëlqesi, me zemër në dorë a ndër dhëmbë, se është hera e tretë që rrekem të vras veten. Mirpo hoqa dorë para ca çastesh. Kuptohet: jo falë ardhjes sate, se mund ta vras veten edhe në praninë tënde. Hoqa dorë ngaqë arrita në përfundimin se vetëvrasja nuk është veçse një mënyrë e çuditshme për të bërë dashuri vetëm. Dhe dashuria vetëm nuk shpje askund, dhe askund kemi arritur tashmë. (Qesh si me hungërimë) Kemi të bëjmë me një soj pleonazme, nëse merr ndopak erë nga gjuhësia… Herën e parë hipa mbi parmakun e ballkonit, në katin e pestë, dhe desha t’i pikturoja trutë mbi asfalt, të bëja një hartëzë dy-tri ngjyrëshe të kafshërisë njerëzore..."


* Një motërzim në rumanisht i kësaj pjese, titulluar “Coafura sfinților” (Berberana e shenjtëve) është botuar në revistën e njohur kulturore rumune artPanorama (1999). Pjesa u transmetua në Radio Targu Mures nga Teatri Kombëtar Tg. Mureș, Rumani, në shkurt të vitit 2005, përshtatur për radio dhe me regji të Horatiu Mihaiu-t. Me këtë pjesë Radio Targu Mureș ka përuruar rubrikën “Dramafonia – Dramaturgjia bashkëkohore”. Në vitin 2009, pjesa u luajt në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, kurse në janar 2011 pati lexim publik në Teatrin “Tudor Vianu” të qyteti Giurgu, Rumani.

Ardian-Christian Kyçyku: "Një botë më tutje" (onLine)



Pjesa “Një botë më tutje” mund të zbërthehet edhe si “Ja ç’bënë e ç’nuk bënë nganjëherë shqiptarët për të shumëpërfolurat luftë, paqe, famë, art, mbijetesë… ”. Përfaqësuesit e tri breznive të fisit Vrana, në kapërcyellin mes dy shekujve, zgjedhin një rrugë të panjohur për të mposhtur kohërat. Ideja e tyre është e thjeshtë dhe gjeniale, e frymëzuar ndoshta edhe nga njëfarë lodhjeje, ose zvordhjeje gjenetike ndaj luftrave. Gjyshi (Plaku Vrana), djali i tij (Poeti i Pabot(ë)uar), dhe nipi (Djaloshi) hyjnë me vetëdijë të plotë në një “betejë” që, me kalimin e kohës, synon të vendosë paqen, ose të paktën të shpëtojë sa më shumë jetë të pafajshme. Ata pranojnë të luajnë një rol të rrallë, me një thelb të ndjeshëm poetik dhe ëndërrtar. Hiqen sikur luftojnë, dalin në televizor, në lajme e dokumentarë që paraqitin jetën e ballkanasve, duke harxhuar njëherazi sa më shumë municion.
Veprimtaria e Vranajve mund të emërtohet edhe “verbim plumbash”. Mirpo poezia, ose teatri i tyre, shlyhen me gjak, jo si në art. Art është vetëm jeta e tyre; vdekja mbetet pó ajo që mbyll çdo jetë njerëzore. Nga një botë më tutje, të tjerë vdekatarë bëjnë çmos e nuk stepen para asgjëje që municionet të mos shkojnë dëm. Njëra palë flijohet për çarmatimin, kurse tjetra: për arritjen e paqes përmes vdekjes së sa më shumë njerëzve. Është vetëm njëra nga linjat që lidh e ndan dy botët e pranishme në pjesë (pa llogaritur botën e teatrit), derisa të gjitha treten në botën tjetër. Nga ku, në gjendjen e tanishme, çdo botë është vetëm “më tutje”.
Ardian-Christian Kyçyku
2012

Një botë më tutje (teatër)


Gjyshi: "Se e ashtuquajtura e majtë ha bijtë e vet, kurse e ashtuquajtura e djathtë ha bijtë e të tjerëve. Mirpo bijtë mbarohen një ditë. Kurse i mjeri popull vajton se mos e majta dhe e djathta vdesin urie dhe ia heq kotheren foshnjës nga goja, që t’ua japë të pangopurve… Po ne nuk jemi as të majtë, as të djathë, o shpirt. Ne jemi vetëm të thjeshtë. Aq sa jemi, për aq sa jemi…"

Brenda dhe jashtë gjemisë


(Mbi Teatrin 
dhe rreth tij)

Shkas i drejtpërdrejtë për këtë bisedë rasti me pogradecarin e ri, Adrian-Christian Kyçykun, shkrimtarin më të shquar shqiptar të gjeneratës së tij e më gjerë, i cili tani e disa vjet, jeton, punon e krijon në Bukuresht të Rumanisë, ishte botimi i dramës së tij të veçantë me titull, sa jo të rëndomtë, aq dhe provokativ “zv. Libri”. Shfrytëzuam këtë rast (fatlum) që, me këtë autor relativisht të ri (teksa i mbush të dyzetat), e aq të frytshëm në fakt, kur ndërkohë ka shkruar (dhe botuar) një dhjetësh romanesh e librash të tjerë, të të gjitha gjinive letrare, por edhe eseistike e shkencore, në gjuhën shqipe dhe atë rumune, të prekim edhe ndonjë temë që e imponon koha në rrjedhë vërshuese, gjithnjë të “ngujuar” kësaj radhe në qarkun e artit teatror.

Bajram Sefaj: Siç rrëfen babai yt (zoti Kopi) në faqen 175 të librit të tij të vyer, “Zinxhiri i anktheve - radiografi e çiltër për vete dhe për të tjerë”, në verën e vitit 1985, kur ende s’i kishe as gjashtëmbëdhjetë pranvera të plota, paskëshe notuar pak më thellë në ujërat e liqenit të Ohrit, ose të Pogradecit (çështje gjeografie, ose, më drejt: hartografie, kjo!), ato pak metra notimi e shmangie nga bregu, pas torturave që ke përjetuar nga ana e sigurimit shtetëror të mëmëdheut, sikur dallgët e liqenit kanë vërshuar shpirtin dhe librat e tu përnjëherë. Kjo vërehet, shihet ashiqare, sidomos në romanin tënd të shkëlqyer me titull “Sy” dhe në tekstin gjenial të dramës, jo të rëndomtë dhe krejt origjinale, qoftë edhe në përmasat e dramaturgjisë botërore, “zv.Libri”, por ndoshta ky ujë, kjo vërshimë e stuhishme ka “përmbytur” edhe faqe të tjera shkrimesh të dala nga dora jote e lehtë dhe fort mjeshtërore. Një shpjegim, paksa më shkoqitës lidhur me krejt këtë katrahurë, nga vetë Ardiani, është më se i nevojshëm, thënë pa ndrojtje: është i domosdoshëm.

Adrian-Christian Kyçyku: Pyetja juaj më detyron të shndërroj në rrëfim ngjarje që janë bërë letër kaherë. Po të mos lidhej me shkrimet, ajo që më ndodhi në korrikun e vitit 1985 as që duhej zënë në gojë, aq më tepër kur kemi sadopak dijeni rreth llahtarave mes të cilave kaluan aq shqiptarë mes viteve 1945-1990 e më pas. Do të kish qënë një përdhosje satanike e vuajtjeve të mëdha, sidomos në këto kohëra kur shumë shtetas përvehtësojnë vuajtjet e të tjerëve, - ca nga paturpësia, ca nga çoroditja, - dhe ngulmojnë të binden mesveti se ishin kundërshtarë të regjimit qysh në bark të nënës. Po mbushja 16-vjeç, e gdhija te kryet e gjyshes që më pat rritur e që po jepte shpirt, kurse një mëngjes notova që të çlodhesha, pa kurrfarë synimi tjetër dhe pa cënuar aspak kufirin shqiptaro-maqedonas. Mirpo një javë më parë, përmes liqenit ishin arratisur disa të rinj dhe kufitarët duhej t'u dëshmonin eprorëve se ishin sypatrembur, në krye të detyrës, por edhe për të frikësuar njerëzit. Ma prenë notin duke më goditur me tehun e motoskafit, më klithën “Duart lart!” duke mbajtur drejt meje mitralozin, pastaj më detyruan të notoja përbri motoskafit deri tek ura ushtarake. Atje na nxorën si peshqit nga rrjeta, mua dhe një mesoburrë që kish pasur fat të ngjashëm, ndërsa një oficer na ulëriu për nja gjysmë ore gjer në kupë të qiellit (të vet), na damkosi tradhtarë, armiq të popullit, maskarenj, qenër, qelbësira, egërsira, duke mballosur çdo klithmë me refrenin e stërnjohur “Haj, pa do ta shohim ne punën tuaj”. Më vonë na shtynë sërish në ujë, na shtrinë të dyve në një varkë, si të vdekur; dy ushtarë na i mbanin koburet në tëmth. Na nxorën nga uji në qëndër të plazhit, mes qindra pushuesve dhe qytetarëve të tubuar për sehir dhe që na munxosnin me atë vështrim të neveritshëm, plot mekje dhe mëdyshje (t’i mallkoj si tradhtarë, apo vetëm të shtirem si parimor?!).