"Kahu i Kujtesës" / Nga "Si", teatër 2018


"ANDI
Ej, dëgjo, se...

ANI
Se çfarë?! S’mund të thuash se edhe unë, po të mos më shisnin ca si yt atë, do të thithja ato që thithin ca si ty. Se unë kisha çmendurinë time të dyfishtë. Atë që kisha dhe atë që bëja sikur e kisha. Por sidomos këtu mendoja për gjërat që i bënin mirë shpirtit tim. Mendoja për metaforat, për krahasimet, për dashurinë... Ha shqip? Apo vetëm thith?! Prandaj ngulmoj t’ju bind se mund të kisha qëndruar fare mirë këtu. Se këtu kisha aq liri e varfëri, sa të mos ia cënoja askujt, po vërtet askujt, as lirinë, as varfërinë, as krimet, as faljet, asgjë. Ngule në kokë si gozhdë, plako: as-gjë! Mirpo ca si yt atë, bashkë me tët atë, që as tani nuk e dinë si quhem unë dhe ata si unë, firmosën dhe na shitën me kile. Thënë ndryshe: na e kthyen kujtesën drejt gjërash që për mua nuk ishin thelbësore. Më saktë: na përulën, na ngujuan në gjëra të rëndomta, kalimtare, të cilat, - kulmi! - duhej t’i trajtonim si vendimtare... dhe siç ndodh rëndom me tiranët e veckël, ata të hijes, e stërholluan dhe e ndanë ligësinë e tyre në aq degëza, për të mos thënë vena, saqë ne të bindeshim se qe fjala për sprova që na vinin nga Zoti!

ANDI
Mirë, pra, po...

ANI
Prandaj, për çdo dështim apo dhembje tonën, fajtor duhej të ishte Zoti...

Ganiu pyet me duar.

ANI
Ç’hakmetisesh, shoku Gani?! Si do ta ndjeje veten sikur, që nga një çast e tutje, gjer në fund të jetës, të të detyronim të mos mendoje më për barin, qiellin, shkrepat, lopët, kullotat, malet, luginat, lumenjtë, hellin, rakinë e ballit të kazanit, poezinë, bukurinë femërore etj, por për teorinë e relativitetit? Pse një djalë që nuk është armik i askujt, me një firmë, pirdhet jashtë trojeve ku është lindur e rritur dhe detyrohet të mendojë vetëm për kombin, për historinë, për prijësat e dikurshëm dhe të tanishëm?! Pse të nisë t’i ndajë të gjithë në heronj, martirë, tradhtarë, viktima, dikushë, të shitur, hajdutë, askushë, vrasës e më-the-të-thashë?! Pse të jetë i detyruar t’i futet aritmetikës, kur e urren për vdekje atë lëndë?! Pse të detyrohem unë të llogarit sa kushtoj dhe pse kushtoj aq, ose kaq, dhe si është e mundur që merrem me gjëra të tilla e jo me si-të e mia të dashura?! U shpreha qartë, mo?

Ganiu është i paqartë.

ANI (Mbyll sytë)
Po të kishim qenë në ndonjë pjesë teatri, monologu im do të kishte tingëlluar si më poshtë: Ti je i rrezikshëm, shoku Gani, se nuk përfitove asgjë nga krimi yt. I kreve të gjitha falas, nga vetvetja, pa kaluar përmes joshjes së të paudhit. Po të kish qenë joshja në mes, do të kishe ndonjë rrethanë lehtësuese. Unë vërtet e zbatoj atë shprehjen me 'Mos ia kujto askujt të kaluarën e errët nga është ngritur', por ti nuk je ngritur gjëkundi. Ti je lënda e errët, Gani, ajo që gërdit shpirtra poetikë... Ti më shite për të më bërë si veten. Dhe këtë e kreve duke shpërdoruar varfërinë time, vetminë time dhe poezinë time. Edhe ata si unë, edhe ata si ti jemi pjellë pó në këtë tokë, por ata si unë nuk e përdorën kurrë dhuntinë e tyre për t’ju mërguar me zor në anën tonë...

GANIU
Po një minutë, ore...

ANI
Firmosja jote zgjati më pak se një minutë, se s’ke ndonjë emër të gjatë... Po kulmi nuk është ky... (U kthen shpinën) Kulmi është se ju nuk shitët vëllezër, por të panjohur. Dhe kulmi i kulmit është se ne u bëmë vëllezër jo para, apo gjatë shitjes, por pas saj. E kuptuat? Prandaj nuk jeni ju vëllezër, se nuk e keni shitur shoshoqin. Një gjak jeni, por vëllezër – jo. E kur doni të na shkatërroni gjer në fund ne të tjerëve... nuk jeni veçse vëllavrasës... (U tregon librin) E ka rrezik që kështu të vdisni..."

Fragment nga "Si"– teatër, Prishtinë / Bukuresht 2018