Showing posts with label Fragmente. Show all posts
Showing posts with label Fragmente. Show all posts

Nën_vizime

(...)

Nuk është thjesht marrëdhënia jonë me vdekjen, e sqaroja pa zë. Ne jemi rritur mes, rreth e brenda bunkerëve. I kishim bunkerët në bahçe, pranë shisheve me verë që vjetërohet, ngulur kokëposhtë në dhé, atje ku shumica kanë lulet dhe lodrat e kafshëve shtëpiake. Luanim syllambyllas, ose luftrash, shpijash, hajdutçe etj, derisa nisëm të mbronim një atdhe, të cilin e njihnim pak dhe vazhduam ta njihnim gjithnjë e më pak. Atje kemi mësuar të mos mësohemi me vdekjen përsa kohë jetojmë e as me jetën derisa të vdesim. Mbaj mend se në një bunker të atillë putha për herë të parë Irisin dhe se bunkerët ngjanin njëherazi me ca kafka, me barqet e grave shtatzëna dhe me vetë botën.

- Çfarë fati! - ofshau një bashkëroje. E ke më?

- Çfarë të kem?

- Bunkerin, pra.

- Bunkerin s’e di, por jetën brenda tij – po.

- Mos e humb këtë rast të rrallë! Lëshoje me qira, se ka çifte që ëndërrojnë të pallohen nëpër bunkerë e shpella... As e ke idenë...

Idenë mbase jo, por bunkerët...

Si muranat / nga "Kristali dhe hienat"


“E pinë kafenë pa shkëmbyer asnjë fjalë.
Heshtja nuk jepte asnjë shpjegim. Si muranat.
Kërcënuesi nuk dukej hajn, as vrasës me mëditje – dhe kjo qe më e përbindshmja. Çfarë kish ardhur të bënte nëse nuk kish ardhur për të vjelë ar, piktura me vlerë, dorëshkrime njerëzish të famshëm, veshje të shtrenjta apo kokën e Rubin Shkretës, që tani po i dukej gjëja më e lirë në tërë këtë shtëpi?! Por dihej që zakonisht gjërat e lira kushtonin shumë shtrenjtë.
Vendosi ta thyente akullin. Një herë vdiste burri.
- Bën mirë të më thuash çfarë kërkon nga unë, - belbëzoi.
Tjetri e këqyri si me qesëndi.
- Hm, një vezë, - tha.
- Një vezë?!
- Po, një vezë.
- Çfarë lloj veze?
- Çfarëdo lloj veze.
- Për fat të keq, s’mbaj pula.
- As korba?
- As korba. Nuk i kam duruar dot as vezët, as shpezët.

Mërgim i krahasuar...

„Një ngjarje në pamje të parë vetëm qesharake dhe absurde, vështirë për t’u besuar gjer edhe në dehje, ose në tepri poezie, më shtyu të shkruaj togfjalëshin "Mërgim i krahasuar". Degë e mundshme e imagologjisë dhe e semiotikës, në kushtet e sotme, ajo mund të ketë një të ardhme të veçantë, pra t'i vlejë më fort së kaluarës, se sa të tashmes. Pasi bleu njërin nga librat e mi virtualë në shqip, një e re që, - sipas të dhënave të CV-së, - nuk di veçse anglishten, mbase e formuar të besojë se në këtë rruzull ekziston vetëm një gjuhë, u mundua të ma lexonte librin dhe arriti në përfundimin se autori shkruan në një anglishte tmerrësisht të varfër dhe se libri është më i keqi i mundshëm, një ”catastrophic disaster”.

Është e vërtetë se lexuesit e këtyre dhjetëvjetshave kanë një padijë që nuk përtypet dot as edhe nga letërsia apo anekdotikja, aq sa nuk mungojnë rastet kur autori pyet veten se: Cili prej nesh është pjellë kot dhe / ose: Cili prej nesh nuk është lindur ende?! Lexuesit që ngatërrojnë të drejtën e lindur të të qënit shtetas me vuajtjen e të qënit i kulturuar, gjithmonë më sjellin ndërmend atë grup të rinjsh, - po nga një libër i shkruar në shqip dhe i lexuar në nuk di ç'gjuhë, - të cilët habiteshin: "Po ne kaçavida kemi – pse s'mund të zbërthejmë dot ca metafora?!" Tragjizmi i gjendjes besoj se bën pluhur çdo kënaqësi, gjer edhe tek autorët fillestarë. E vërteta na kumton, përtej çdo metafore, se turma të pafundme shtetasish-lexues, të bindur se ndodhen diku-dikur, nuk kuptojnë se tashmë janë gëlltitur nga një hapësirë që mund të emërtohet Syrgjyn në vitualitet".


"Kissland, ose Puthmë skelet" (fragment)

Kështu foli hiri im… Foli dhe s’ia varët, kurse mua më rinoi. Keni dëgjuar ndonjëherë për Alzheimer-in? Për atë pushtim të shkallëzuar të harresës, të cilën pothuajse të gjithë e pandehin terr dhe hap drejt skëterrës? Ndonjë cinik nuk harron të shtojë se kush i ka bërë bisht deri tani, s’ka për t’i shpëtuar. E ve vdekatarin e gjorë nën thundër, e lidh pas një peri të padukshëm, si ndonjë kanaçe, dhe e bën lodër. Tallen fëmijët udhëve me të, tallen të afërmit pa dashur, vetëm ai s’tallet dot me asgjë, me askënd. Ca dijetarë të këtyre kohërave thonë se truri zbutet pjesërisht, shkrihet, tretet, humb. Lënda e hirtë bëhet pluhur. Mbeten pas vetëm ca neurone që bartin të dhëna e kujtime nga kohët e shkuara. I sëmuri zhvendoset në kohë (shkohohet, të themi) dhe në hapësirë. Të tanishmit s’i ka njohur akoma, kurse të kaluarit janë ende gjallë, të paplakur, të pandryshuar. Kush je ti, pyet pjellën e vet. Po unë kush jam?! Mjekët dyshojnë se mbrapa këtij çtrunimi qëndron një kafshë që gëlltit tru, forcohet falë tij dhe s’dihet ç’vjell. E keni pyetur ndonjëherë veten se ç’mund të vjellësh pasi ushqehesh me tru? A mund të bisedohet, a mund të bihej në ujdi me atë kafshë? Në cilën kohë të jetosh më fuqishëm, cilët njerëz të ruash pa prekur dhe cilët t’ia japësh urisë së kafshës? Se njerëzit ndryshojnë si era. Një nga pyetjet që më ka munduar më fort mbetet: vallë pajtimi me fatin është një vdekje e përpiktë, e shkallëzuar qelizash kujtese, apo është një ringjallje qelizash harrese, pa të cilat thahemi si buka e mykur?