Showing posts with label "Diva ose Ngrënësi i Luleve". Show all posts
Showing posts with label "Diva ose Ngrënësi i Luleve". Show all posts

Qyteti ku vdiset më bukur

 

Sheshi ishte i shkretë; bredhat anës rrugës përkuleshin gjer përdhe, si për temena. Liqeni dukej i zi dhe i tërbuar. S’ iu ngulit në kokë ajo pamje. Është tamam ajo vetmia pranë liqenit, mendoi. Unë kam qënë shumë i vogël, kurse liqeni shumë i madh, i zi, gojë kuçedre. Kur më çonin në plazh, bregu ishte plot me trupa të lëmuar femrash, me flokë të lagur, uji ngjante me qiellin, dhe unë dridhesha nga dëshirat dhe mendoja për vdekjen. Mes qiellit endeshin koka njerëzish, topa shumëngjyrësh, sgalemë dhe varka. Varkat vozitnin deri në mbrëmje, pastaj qiejt erreshin, nxiheshin malet, binte hëna, mbi një botë të bërë shkrumb nga malli për të vdekur më bukur. Pasi fillonte e ndalej ndonjë shi, pushuesit visheshin si për vjeshtë dhe mbushnin bulevardin. Dallgët nxirrnin në breg shumë kallama, kufomëza shpezësh, shishe shampoje, limonatash dhe mbeturina të tjera nga zbavitja e jashtetit. Pas ditëve me dallgë, unë dilja me shokët dhe i mblidhja ato shishe e qese magjepsëse. Kisha një koleksion të tërë me lëvozhgat e luksit të të panjohurve. Pastaj këtu ranë shumë shira e dëborëra, erdhën e ikën shumë të sapomartuar që vinin për muaj mjalti, u ngjizën shumë fëmijë, dhe unë rashë në dashuri për herë të parë, se mjalti këtu vetëm të mbaruar s’kish. Mbaj mend se ulesha në gurët e bregut dhe errësira më dukej rrugë. Shëtisja në të derisa më mpihej koka, isha i lumtur dhe i mjerë si kurrkush, vetëm Zoti më njihte, nuk ma merrte mendja se do të kisha kaq pjesë në dashuri. Këtu është vështirë ta besosh vdekjen, është vështirë të kesh trup. Është vështirë që vdekja të ketë një shprehje të rëndomtë, të pritme, të përfytyrueshme. Pastaj endesha nëpër klube e parqe me të dashurat, me grupet e gëzueshëm të pushuesve, dhe qeshnim shumë. Edhe lulet kishin tjetër shije atëhere, edhe drita e diellit, muret, myku. Kam qënë i varfër, i bukur dhe shumë i ndjeshëm. Të gjitha i mbyllja në vete për të mos i nxjerrë më. S’ buzëqeshi. Ecnin të përqafuar në bulevardin e shkretë. Mirpo një ditë, mendoi S’, u gdhiva në një kafaz prej letre, me mure letre, në stomak të vetë Letrës. Ishin të gjitha të bardha. Haji, më tha një zë, që të shpëtosh. Ose shkruaji! Nuk i haje dot, ky ishte mallkimi. Ky ishte edhe bekimi. Atëhere mora një stilolaps dhe nisa t’i shkruaja. Shkruaj e hidh mënjanë, shkruaj e hidh në anën tjetër, shkruaj e hidh mbrapa. Këtu prapë vazhdonin të binin shira e dëborëra, të ndryshkeshin gjethe e koka, vazhdonin të vinin shumë çifte e vajza të bukura, dhe unë, për t’u çlodhur, përvidhesha nga dritaret që pata hapur dhe bridhja. Pija shumë konjak, luaja me letra dhe gjuaja. Pastaj kthehesha i dëshpëruar në kafaz dhe shkruaja. Kështu e humba fare nocionin tim, shkruaj e hidh mbrapa, bëj dashuri e kthehu në kafaz, nga Qyteti ku vdiset më bukur në kryeqytet, nga kryeqyteti - jashtë shtetit, rrugë këtu e rrugë aty, një fytyrë këtu e një aty, shkruaj e hidh mbrapa, një aeroport këtu – një stacion trenash më tutje, një e dashur larg – një e humbur afër, një plagë në shpirt – një plagë jashtë shpirtit, kurse këtu prapë binin shira e frynin erëra, prapë binin dëborëra dhe njerëzit vjetëroheshin. Cingërrimat e vetme që ma ndyjnë muzikën e atyre kohërave janë trokamat në dyert e botuesve. Asnjëra nga dyert s’u hap. Aq herë mbetën mbyllur, aq herë m’u mbyllën hundëve, ose pas shpine, saqë u betova të mos botoja asgjë. Gjatë kësaj kohe trokamash, përbri hollimit të mureve prej letre, më vdiqën shumë të afërm, humba shokë, dhe prindërit m’u plakën. Humba shumë të dashura dhe gjeta të tjera. Shkruaj e hidh mbrapa, dëgjo fjalë nepërkash e hidh mbrapa, nuhat kutërbim plehërash e shfry mbrapa, duro dëngla dështakësh e hidh mënjanë, duro kakaritje paranojakësh e hidh matanë, e të gjitha më dukeshin të pavërteta, si në një film, dhe kush mund të më shihte, kush mund të më njihte të fundosur në zemër të Letrës, përveç Zotit, – dhe udhëtimet jashtë e brenda vendit vazhdonin, kurse unë kisha aq mall për të gjitha, dhe kërceja nga mungesa e dikujt në praninë e dikujt tjetër, dhe kërceja nga prania e dikujt në mungesën e dikujt tjetër. Si një zog pa kokë i kam bredhur këto foleza të mallit, s’mund të lija në to veçse nga një pikë gjaku. Gjatë kësaj kohe u pashë shumë herë në pasqyrë dhe nuk u njoha. Gjatë kësaj kohe muret e bardhë të kafazit ishin holluar. E merrja përditë nga fillimi, me egërsinë, zymtinë dhe fuqinë e një të vdekuri për së gjalli, derisa muret u bënë pllaja, kurse unë mbeta me stilolapsin në dorë përballë botës tjetër, botës së vërtetë. Mirpo dalja nga Letra më ishte bërë ves, më ishte bërë mjeshtëri, dhe nuk rrija dot pa shkruar, po ku të shkruash në kohëra të tilla, Imzot?! Muret janë zënë, kafazet prej letre janë mbaruar, lëkurët tona janë mbaruar, qielli është mbaruar, lëkurët e kafshëve janë mbaruar, daullet janë mbaruar, drurët janë mbaruar, shtyllat janë mbaruar, toka është mbaruar. Nata kur do të flija i paemër për t’u zgjuar i pagëzuar, vononte. Mbase duhej të kthehesha mbrapsht, të mblidhja letrat e shkruara, ta ndërtoja nga e para kafazin tim të shtrenjtë, zemrën e Letrës, ku ishte pak më mirë se në botë. Po si t’i ndaje letrat nga njëra-tjetra, Imzot?! Flatronin anembanë, të gjitha të shkruara, çmendurisht të shkruara, çmendurisht të nënshkruara, çmendurisht të lavduara. Flatronin mbi ne, si shpirtra zogjsh, dhe s’kish gjahtar t’i rrëzonte. Doja të flija një herë i qetë, më i panjohur se ç’isha: shumë të afërm, njerëz të dashur, dashurira dhe copëra jete më qenë shndrruar në shpirtra zogjsh. Ç’mund të bëj tani, Imzot?

* Fragment nga Diva ose Ngrënësi i Luleve (alias Atdheu i të paftuarve), 1992

Foto: A.-Ch. Kyçyku

Dëshmi


Ne që s’patëm kohë të vetëvritemi, hapëm derën si të ver­bër dhe hymë në shtëpi dhe deshëm të ndiznim dritat, por u puthëm dhe harruam t’i ndiznim. Ne u puthëm dhe deshëm ta kyçnim derën, por u puthëm dhe harruam ta kyçnim. Ne u puthëm dhe hymë në një si dhomë dhe deshëm të mbështeteshim diku, s’kish rëndësi ku, por u puthëm dhe nuk u mbështetëm askund. Ne patëm shtruar tryezën, dhe shishet me verë dhe torta dhe qirinjtë dhe cigaret na prisnim, por u puthëm dhe i harruam ato. Ne u puthëm dhe nuk di si e gjetëm shtratin dhe ndodheshim në një dhomëzë mëse të zhveshur, mëse të varfër, dhe ishim buzët e njëri-tjetrit dhe u zhveshëm.
Këmbët tona ikën nga toka dhe veshjet dhe fustani dhe këmishët dhe këpucët dhe vathët dhe orët u hodhën e u shpërndanë rreth nesh, rreth puthjeve tona dhe ikëm edhe ne bashkë me to, ikëm nga pështjella e mortme. Ne u zhveshëm dhe u puthëm dhe u shtrimë a u ngritëm diku, dhe nata ish e gjatë, e gjatë, dhe nata ish e qetë, e qetë, dhe ne s’kishim kohë të vetëvriteshim.
Dhe të nesërmen i gjetëm të gjitha: edhe dhomën, edhe tryezën, edhe veshjet, edhe shishet e verës, edhe tortën, edhe cigaret, edhe muret, edhe kohën. 
Vetëm qirinjtë ishin shkrirë.
Nga "Diva ose Ngrënësi i Luleve"

Qyteti ku vdiset më bukur / Nga "Diva ose Ngrënësi i Luleve" (1992 / 2000)

Sheshi ishte i shkretë; bredhat anës rrugës përkuleshin gjer përdhe, si për temena. Liqeni dukej i zi dhe i tërbuar. S’ iu ngulit në kokë ajo pamje. Është tamam ajo vetmia pranë liqenit, mendoi. Unë kam qënë shumë i vogël, kurse liqeni shumë i madh, i zi, gojë kuçedre. Kur më çonin në plazh, bregu ishte plot me trupa të lëmuar femrash, me flokë të lagur, uji ngjante me qiellin, dhe unë dridhesha nga dëshirat dhe mendoja për vdekjen. Mes qiellit endeshin koka njerëzish, topa shumëngjyrësh, sgalemë dhe varka. Varkat vozitnin deri në mbrëmje, pastaj qiejt erreshin, nxiheshin malet, binte hëna, mbi një botë të bërë shkrumb nga malli për të vdekur më bukur. Pasi fillonte e ndalej ndonjë shi, pushuesit visheshin si për vjeshtë dhe mbushnin bulevardin. Dallgët nxirrnin në breg shumë kallama, kufomëza shpezësh, shishe shampoje, limonatash dhe mbeturina të tjera nga zbavitja e jashtetit. Pas ditëve me dallgë, unë dilja me shokët dhe i mblidhja ato shishe e qese magjepsëse. Kisha një koleksion të tërë me lëvozhgat e luksit të të panjohurve. Pastaj këtu ranë shumë shira e dëborëra, erdhën e ikën shumë të sapomartuar që vinin për muaj mjalti, u ngjizën shumë fëmijë, dhe unë rashë në dashuri për herë të parë, se mjalti këtu vetëm të mbaruar s’kish. Mbaj mend se ulesha në gurët e bregut dhe errësira më dukej rrugë. Shëtisja në të derisa më mpihej koka, isha i lumtur dhe i mjerë si kurrkush, vetëm Zoti më njihte, s'ma merrte mendja se do të kisha kaq pjesë në dashuri. Këtu është vështirë ta besosh vdekjen, është vështirë të kesh trup. Është vështirë që vdekja të ketë një shprehje të rëndomtë, të pritme, të përfytyrueshme. Pastaj endesha nëpër klube e parqe me të dashurat, me grupet e gëzueshëm të pushuesve, dhe qeshnim shumë. Edhe lulet kishin tjetër shije atëhere, edhe drita e diellit, muret, myku. Kam qënë i varfër, i bukur dhe shumë i ndjeshëm. Të gjitha i mbyllja në vete për të mos i nxjerrë më. 

S’ buzëqeshi. Ecnin të përqafuar në bulevardin e shkretë. 

Mirpo një ditë, mendoi S’, u gdhiva në një kafaz prej letre, me mure letre, në stomak të vetë Letrës. Ishin të gjitha të bardha. Haji, më tha një zë, që të shpëtosh. Ose shkruaji! 

Nuk i haje dot, ky ishte mallkimi. Ky ishte edhe bekimi. Atëhere mora një stilolaps dhe nisa t’i shkruaja. Shkruaj e hidh mënjanë, shkruaj e hidh në anën tjetër, shkruaj e hidh mbrapa. Këtu prapë vazhdonin të binin shira e dëborëra, të ndryshkeshin gjethe e koka, vazhdonin të vinin shumë çifte e vajza të bukura, dhe unë, për t’u çlodhur, përvidhesha nga dritaret që pata hapur dhe bridhja. Pija shumë konjak, luaja me letra dhe gjuaja. Pastaj kthehesha i dëshpëruar në kafaz dhe shkruaja. Kështu e humba fare nocionin tim, shkruaj e hidh mbrapa, bëj dashuri e kthehu në kafaz, nga Qyteti ku vdiset më bukur në kryeqytet, nga kryeqyteti - jashtë shtetit, rrugë këtu e rrugë aty, një fytyrë këtu e një aty, shkruaj e hidh mbrapa, një aeroport këtu – një stacion trenash më tutje, një e dashur larg – një e humbur afër, një plagë në shpirt – një plagë jashtë shpirtit, kurse këtu prapë binin shira e frynin erëra, prapë binin dëborëra dhe njerëzit vjetëroheshin. Cingërrimat e vetme që ma ndyjnë muzikën e atyre kohërave janë trokamat në dyert e botuesve. Asnjëra nga dyert s’u hap. Aq herë mbetën mbyllur, aq herë m’u mbyllën hundëve, ose pas shpine, saqë u betova të mos botoja asgjë. Gjatë kësaj kohe trokamash, përbri hollimit të mureve prej letre, më vdiqën shumë të afërm, humba shokë, dhe prindërit m’u plakën. Humba shumë të dashura dhe gjeta të tjera. Shkruaj e hidh mbrapa, dëgjo fjalë nepërkash e hidh mbrapa, nuhat kutërbim plehërash e shfry mbrapa, duro dëngla dështakësh e hidh mënjanë, duro kakaritje paranojakësh e hidh matanë, e të gjitha më dukeshin të pavërteta, si në një film, dhe kush mund të më shihte, kush mund të më njihte të fundosur në zemër të Letrës, përveç Zotit, – dhe udhëtimet jashtë e brenda vendit vazhdonin, kurse unë kisha aq mall për të gjitha, dhe kërceja nga mungesa e dikujt në praninë e dikujt tjetër, dhe kërceja nga prania e dikujt në mungesën e dikujt tjetër. Si një zog pa kokë i kam bredhur këto foleza të mallit, s’mund të lija në to veçse nga një pikë gjaku. Gjatë kësaj kohe u pashë shumë herë në pasqyrë dhe nuk u njoha. Gjatë kësaj kohe muret e bardhë të kafazit ishin holluar. E merrja përditë nga fillimi, me egërsinë, zymtinë dhe fuqinë e një të vdekuri për së gjalli, derisa muret u bënë pllaja, kurse unë mbeta me stilolapsin në dorë përballë botës tjetër, botës së vërtetë. Mirpo dalja nga Letra më ishte bërë ves, më ishte bërë mjeshtëri, dhe nuk rrija dot pa shkruar, po ku të shkruash në kohëra të tilla, Imzot?! Muret janë zënë, kafazet prej letre janë mbaruar, lëkurët tona janë mbaruar, qielli është mbaruar, lëkurët e kafshëve janë mbaruar, daullet janë mbaruar, drurët janë mbaruar, shtyllat janë mbaruar, toka është mbaruar. Nata kur do të flija i paemër për t’u zgjuar i pagëzuar, vononte. Mbase duhej të kthehesha mbrapsht, të mblidhja letrat e shkruara, ta ndërtoja nga e para kafazin tim të shtrenjtë, zemrën e Letrës, ku ishte pak më mirë se në botë. Po si t’i ndaje letrat nga njëra-tjetra, Imzot?! Flatronin anembanë, të gjitha të shkruara, çmendurisht të shkruara, çmendurisht të nënshkruara, çmendurisht të lavduara. Flatronin mbi ne, si shpirtra zogjsh, dhe s’kish gjahtar t’i rrëzonte. Doja të flija një herë i qetë, më i panjohur se ç’isha: shumë të afërm, njerëz të dashur, dashurira dhe copëra jete më qenë shndrruar në shpirtra zogjsh. Ç’mund të bëj tani, Imzot? (...)

Fragment nga Diva ose Ngrënësi i Luleve (1992), botimi i parë: Sejko, Elbasan 2000

 

Kulme


Një njeri shumë i trishtuar e dinte se trishtimi është njëri nga mëkatet më të rëndë, por nuk arrinte të ishte më pak i trishtuar se aq;
Këtij njeriu i lindi ideja të shpikte një bombë.
Asokohe, kur bombat qenë shndrruar në shpikje nga më të rëndomtat dhe kur bomba e gjyle të panumurta, harruar groposur gjatë luftrave të shkuara, shpërthenin anembanë si ca tërheqje vëmendjeje të Kujtesë së Përbashkët, duke vrarë e gjymtuar zakonisht fëmijë të mitur, I Trishtmi vendosi të shpikte një bombë shpëtimtare, shpërthimi i së cilës ta ndryshonte këtë botë me rrënjë.

Shtojcë nga Libri i Faljeve


Gjatë njërës prej shumë netëve të dehjes, kur gjaku i hardhisë i pat shkrirë kufijtë mes sendeve dhe e pat shndrruar botën në njëfarë llave shumëngjyrëshe, Poeti pat ndjerë se në një të ardhme do të kish nevojë për falje. Poetit i ndodhte shpesh që të ngrihej nga gjumi i drekës me një bindje të pashpjegueshme, se e kish vendin vetëm në ferr; vetëm numuri i rrethit ndryshonte. Në kokën përherë të nxehtë të Poetit, Zoti e ndërronte pothuajse çdo orë pamjen dhe thelbin, duke ruajtur megjithatë fuqinë e plotë mbi atë hapësirë të brendshme, për faljen e së cilës gjer edhe Poeti do të kish nevojë një ditë. Mirpo Poeti ishte shumë vetmitar dhe pa përgjigje fort të kthjellëta nga ana e Zotit, prandaj edhe vendosi të gjente një arsye për të siguruar faljen. Sa më tepër pinte, aq më i etur ndihej për falje, aq më qartë ngjizte në përfytyrim një libër të moçëm, fshehur njerëzish, një Libër të Faljeve, shkruar nga vetë Zoti gjatë vetmisë së Krijimit apo rikrijimit, njëfarë Apokalipse zemërgjerë.

Fjalori



Ai – i gjatë, i bëshëm dhe i palodhur në shtrat, por edhe i brishtë, kuptues, kavaler, hyri në shtëpi dhe e puthi. Ajo i mori xhaketën, ia vari në portmanto, vajti të shtronte tryezën. Ai hoqi këpucët dhe nxorri një ofshamë çlodhjeje. Nuk i mbanin erë çorapet. Pasi ajo shtroi tryezën dhe shtiri gjellën dhe preu bukën dhe solli ujin, ai lau duart me sapun, veshi rrobat që mbante në shtëpi, lau duart për së dyti, u ul në karrike.
Teksa hanin, ai tha:
Ç’bëre sot jam lodhur vapë e tmerrshme dimër qensh shi i qelbur ç’të sëmës ptu nuk ia vlen barra qiranë ku është birra që bleva dje pse nuk është piceta ime jo çorapet nuk mbajnë erë ç’është kjo mjaullimë ku e ke mendjen ata të punës më mbajnë nëpër gojë të zotin e mbajnë nëpër gojë kjo është e qartë hm sill ca kripë kripa duhet të jetë këtu ku e ke kokën dëgjon si ia kalove sot ëhë më ka dalë shpirti me ata tuhafë ç’të sëmës do t’u le shëndenë gjakpirësave nuk rrihet më ka marrë fund ai muhabet më shumë merr një fshesaxhi ptu të vjen t’ia heqësh vetes sill ca ujë mineral hm.

Kënga e puthadorëve


Dhe dita mbyllej si një çark
Ku miu ishe ti

Me këta vargje të hidhur mbyllej dita e tij. Dita, e cila në të gdhirë ngjante me një mur që duhej brejtur me dhëmbë dhe e cila, me t’u ulur mbrëmja, harrohej sikur të mos pat kaluar fare në jetën e tij. Ishte një nga hojnat e kujtesës për të të mashtruar sa mundte se nuk plakeshe, nuk përparoje drejt varrit. Mbante mend vetëm se, si edhe shumë ditë më parë, kishte pirë shumë kafe, kishte folur shumë dhe pa e pasur mendjen në ato që thoshte e dëgjonte, pa qënë fort i sigurtë, po as fort kurreshtar, se ku e pat pasur mendjen. Në të vërtetë, qysh kur kishte kujtesë, ai pat pirë shumë kafe, duke shtjelluar çështjet politike, duke përfolur dashuriçkat e zyrtarëve të tjerë, apo gafat e tyre, pastaj zbërthente nyjet e tjera të politikës, duke rrufitur kafenë dhe përgojonte dashuritë e të tjerëve. Ishte njeri i mbyllur, zemërmirë, dhe kafetë nuk i pinte me qëllim të keq. Mirpo kish filluar të vuante nga një mungesë të paktën e dyshimtë vëmendjeje, njëfarë shtangieje prej tubimesh mortore, falë së cilës harronte hollësirat e ditës, harronte edhe sa kafe kish rrufitur. Kësisoj dita e linte jashtë saj, e braktiste në mbrëmje, dhe mbrëmjet kishin filluar të ishin shumë të lagështa, me shira që rizgjonin e flladitnin kutërbimin e plehërave të qytetit, shira që shkretonin udhët e që t’i rëndonin këpucët me gjethe të kalbura.

Arratia



Në një breg të panjohur deti, - sepse ai breg deti nuk pat qënë asnjëherë aq i shkelur, i mbushur me vula shputash të ngutura e të ankthshme, - tufa njerëzish ngarendnin të hipnin majë ndonjë vapori ku ende kish vende të lira dhe të shpëtonin nga ajo tokë e mallkuar ku vdekja po i telendiste pa arritur të hanin një herë sa të ngopeshin, pa dashuruar një herë larg helmit të thashethemeve, pa folur një herë siç ua donte shpirti, pa iu trembur prangave.
Vaporët akoma nuk ishin mbushur krejt, ndonëse ç’prej tri ditënetësh, ardhacakë nga të gjithë qytetet, qytetthet, fshatrat dhe skërkat e vendit nuk pushonin së dynduri mbi ta. Hipnin me litarë, ose nga shkallinat e hekurta, luftonin me dhëmbë e thonj për ndonjë copë vend, le të ishte qoftë edhe sa një çerek varri, pushtonin ndonjë qosh kabine, qosh bodrumi, cep kthine, madje disa, në pamundësi për të gjetur çerekë varresh, detyroheshin të zbraznin arkat me mallra të vaporit përkatës, ose të derdhnin lëngjet e buteve e të fuçive e të hynin brenda. Kishte nga ata që lidheshin me kavo majë direkëve, ose që kapeshin si merimanga këmbëngulëse rreth shtyllës së flamurit kombëtar, dhe prisnin nisjen.

Diva ose Ngrënësi i Luleve / Diva sau Mâncătorul de Flori - fragmente




“Por nuk desha kurrsesi ta gëlltisja, sqaroi ai. Po bënim vetëm dashuri. Por tani nuk ngre më peshë në doja a s’doja. Kjo ndodhi, dhe ndodhi në kopshtin e vilës së saj, ku ishim strukur aq herë mbrëmjeve të lagështa e vezulluese të vjeshtës, kur nuk kishim çadër, kur askush nuk e bënte zemrën gur të na jepte çelësin e ndonjë dhome, e kur shpërvetimet nëpër bun­kerë ishin kalldrëm. Sapo Monika shfaqej tek dera e pasme e vilës, unë kapërceja fshehtas, si ndonjë cub, kangjellat e leskruara. Kthina ku rrinim pat qënë shtëpia e tyre e hershme, e gjyshërve, kurse tani ishte një gërmadhë: të dukej se bëje dashuri njëqind vjet më parë.
Dashuritë janë të shumllojshme. Disa u ngjajnë lëpirjeve, disa shtrëngatave, disa helmimeve, disa diareve. Etj. E jona i ngjante më tepër urisë. Na kish ndodhur edhe herë të tjera, pó njëqind vjet më parë, ta mbushnim njëri-tjetrin me vula puthjesh e kafshimesh, - vula, të cilat, më pas, i pagëzonim “orët larg teje”, - e kish ndodhur edhe që unë të kapërdija në zjarrmi e sipër ndonjë vath të saj, ose ajo ndonjë kopsë timen.
Por atë natë ishte ndryshe.

3gime: Arena


Teksa ai shtynte me kushedi ç’gënjeshtra të padëmshme këmbët e rraskapitura nga aq rendje, ata e prisnin me padurim, prisnin zjarrin e mrekullueshëm, zjarrin, me të cilin kishin për të pjekur mishrat, bukën, mbase edhe mendimet.
Prisnin edhe zjarrin që do t’u ngrohte vetmitë e sapozbuluara, ndonëse ush­qimi ishte për ta një lloj vetmie dhe anasjelltas.
Ai e mbante zjarrin mes shuplakave, rendte gjithnjë e më me vështirësi, në çdo çast i duhej të shpikte shpirtin dhe ta mbante gjallë me fjalë të bymyera apo me klithje të brendshme apo me joshje nga ato të ëngjëjve, por nuk ndalej; tashmë, në fakt, as që mund të ndalej, kurse ata vazhdonin ta prisnin të drithëruar, klithnin nga lumturia, nga habia, nga padurimi, fishkëllenin, përplasnin duart e këmbët.
Kur adhurimi i tyre u bë i pazakontë dhe jo krejt i shëndet­shëm, ata përpiqeshin me gjithë shpirt që ta preknin sadopak, ta puthnin ashtu kalimthi, në vrap e sipër, ta shihnin nga afër, mbase me shpresën se kësisoj do të mund të zhvatnin ndonjë copëzë nga heshtja e tij apo nga e pazakonta, pa ditur se në ato çaste, në atë shpejtësi, qoftë edhe një puthje, qoftë edhe një prekje shkitazi, kishin për të djegien e një tehu thike.
Hapat e fundit ai i pëshkoi pothuajse i vdekur. Edhe ai vdiste një ditë. Thëngjijtë e ndezur i shkanë duarsh, iu derdhën anembanë, ranë mbi kokat e tyre, mbi flokët, mbi këmbët e zbathura, mbi sisët e grave, mbi një pjesë fytyrash, dhe ata kurrsesi nuk kishin pritur një fatkeqësi të tillë. Nisën të kujisnin, të ulërinin e të fërshëllenin të zhgënjyer, të fyer, të tërbuar, teksa adhurimi i pak minutave më parë iu blatohej tani pritësve që arrinin t’i shuanin thëngjijtë sa më shpejt. Përdornin kryesisht plisat, pluhurin e udhëve, shputat e tyre të argasura, madje edhe shurrën.
Ai kish rënë diku mbas turmës. Kur rrekej t’i hapte sytë për herë të fundit dhe të shihte se ç’po bëhej me zjarrin që pat sjellë, kuptoi se qepallat i qenë përvëluar dhe se mund të shihte edhe pa dashur, se do të vdiste me sy hapur. Në shuplakën e majtë i kish mbetur ngjitur vetëm një thëngjill, sa për vete, sa një flakëzë qiriri.
Pasi e tërhoqën zvarrë dhe e mbërthyen për shkëmbi, ai përfytyronte se si Shqiponja do të ulej mbi të, do t’ia ngulte kthetrat në kurmin e sfilitur dhe se si ai, përjetësisht i kryqëzuar, as gjallë-as vdekur, do t’i pëshpëriste Shqiponjës:
- Hamë, hamë… Më mirë ti, sesa ata…
Në ato çaste, ata vinin drejt tij duke mbllaçitur Shqiponjën.