Një njeri shumë i trishtuar e dinte se trishtimi është njëri nga mëkatet më të rëndë, por nuk arrinte të ishte më pak i trishtuar se aq;
Këtij njeriu i lindi ideja të shpikte një bombë.
Asokohe, kur bombat qenë shndrruar në shpikje nga më të rëndomtat dhe kur bomba e gjyle të panumurta, harruar groposur gjatë luftrave të shkuara, shpërthenin anembanë si ca tërheqje vëmendjeje të Kujtesë së Përbashkët, duke vrarë e gjymtuar zakonisht fëmijë të mitur, I Trishtmi vendosi të shpikte një bombë shpëtimtare, shpërthimi i së cilës ta ndryshonte këtë botë me rrënjë.
Shpërthimi nuk duhej të vriste askënd, as miq, as armiq, të mos rrënonte përveçse pjesën tashmë të kalbur të ngrehinave, të mos përzhiste veçse pjesën tashmë të tharë të gjelbërimit, të mos thante veçse pjesën tashmë të helmuar të detrave e ujrave të tjera. Shpërthimi duhej të pastronte pjesën e helmuar të ajrit e të mos digjte veçse pjesën tashmë të prishur të pyjeve e të parqeve.
Shpërthimi i Bombës Shpëtimtare, nëpërmjet një lebetie të paparë deri atëhere, në vetëm pak çaste, që të mos themi sa hap e mbyll sytë, do t’i trandte udhëhumburit e këtij planeti, do t’ua davaritte ëndrrat e çartura, dhe do t’i kalonte vdekëtarët mes një terrori të brendshëm, në trajtë tuneli, pas të cilit askush nuk do të arrinte të mbijetonte pa qënë krejtësisht i mirë, i mëshirshëm, i dashur me të afërmin, apo më saktë: askush nuk do të mund të mbijetonte duke qënë sadopak i lig, ziliqar, thashethemexhi, lakmitar, kurrnac, i shthurur, hajdut, i paanshëm etj.
Meqënëse për të tashmen e kësaj bote mbanin njëfarë përgjegjësie edhe të vdekurit, Bomba do të kishte edhe veprim prapakthyes, domethënë do t’i shkundte paq edhe të shumtët, vegimet e tyre, pengjet, ndërgjegjet e tyre të ngarkuara dhe mallet e tepërt.
Pasi u mbylli derën përfundimisht këshillave të mbrapshta e nënqeshjeve të njerëzisë, I Trishtmi vendosi t’i flijohej shpikjes së Bombës. Nuk ishte krejt njomëzak në fushën e shpikjeve.
Bëri shumë projekte dhe llogarira, vizatime, maketa balti, allçie; hulumtoi në thellësi modele armësh që nga thika e gurtë e këtej; zbërtheu kuptimin e pushkës, topit, tankut, avionit; studioi krime e ndëshkime, predikime dhe vepra të specializuara në fushën e armatimit, pá shumë ëndrra, fjeti shumë pak, hëngri kuturu, nuk bëri dashuri me askënd, bisedoi me marrokë, me poetë, me vizionarë të njohur, me falltarë, burra shteti, priftërinj e murgj të shquar, me magjistrica e shpikës të tjerë, mblodhi mendime, fjalë të urta, këngë folklorike, vargje, mbushi një dollap të tërë me ditarë.
Qe tretur tashmë një jetë njeriu kushtuar shpëtimit të planetit, dhe çdo çast i ikur e pat zhvendosur shpikësin një çast më afër zgjidhjes. Aq shumë ish përpjekur për Bombën Tonë, saqë vetëm kur u gjend një hap larg vdekjes dhe vetëm disa çaste afër ngadhnjimit e ndjeu peshën e vërtetë të vetmisë në qelën ku punonte. Duke e damkosur të lajthitur, të gjithë e patën braktisur, si ca hije, si ca merimanga të frikshme e meskine, si ca fjalë, kurse ai gjithmonë e pat ditur se, pas mbarimit të Bombës, të gjithë do ta ngrinin në qiell, do të turreshin të babëzitur që ta ndanin sëbashku ngadhnjimin, do t’ia zinin frymën me çmime, fjalime, intervista e ndofta edhe statuja.
Mirpo vetëm disa çaste para atij ngadhnjimi ai po vdiste, dhe kulmi ishte se po vdiste krejt i vetmuar, i harruar nga dynjaja e ndoshta edhe nga vetë fati, pa pasur kujt t’ia besonte të fshehtën e madhe.
Kur çastet që afronin ngadhnjimin dhe vdekjen kaluan, pikërisht në zgripin që ndan ngadhnjimin nga vdekja, me një trishtim të pazakontë, trishtim të cilin as ai vetë, pas një jete mëse të trishtme, nuk e pat hasur, një zë i pëshpëriti:
- Shko i qetë, se mua kanë dashur të më shpikin edhe të tjerë,
të cilët i pata shpikur shumë kohë para se të të shpikja ty…
Dhe shpikësi kaloi matanë duke belbëzuar me buzëqeshje fjalinë që përcaktonte kulmin e fuqisë
në këtë jetë,
përkatësisht: “t’i fryje një dashi në bythë për t’i drejtuar brirët…”
Bukuresht, 1992-1999
Diva ose Ngrënësi i Luleve, Sejko,
Elbasan, 2000
Elbasan, 2000