Showing posts with label "Triumphallus". Show all posts
Showing posts with label "Triumphallus". Show all posts

Triumphallus

Plaku erdhi sërish buzë Detit të Zi për të blerë një sy. Por edhe për të kaluar një muaj tjetër mjalti. Zakonisht kthehej në Perëndim me një muaj mjalti më shumë dhe me të njëjtin numur sysh. Pesë vjet e gjysmë më parë, tek vërente i trembur se si gjysma e gjërave që mund të shihte kish nisur të gjysmohej, vendosi të këshillohej me një falltare aziatike. Kish edhe ai të drejtën të shihte si dukej dynjaja dhe qëniet që e popullonin para se të jepte shpirt. Falltarja i hulumtoi yjet dhe satelitët, guriçkat qiellore dhe shtjellat e pluhurit, i lëçiti runat, ra në kllapi largpamëse, u fjalos gjëregjatë me ca shpirtra, i shkoqiti letrat e Tarot-it, dhe ia tha troç: Atje ku t’u fik, po atje duhet ta blesh. Plakut i qe fikur syri i djathtë në vendlindje, papritmas, në gjumë, dhe pat ngelur i çmeritur nga pamëshira e fatit. Plaku nuk e pat humbur syrin as gjatë Luftës Botërore, kur rreziku që ta humbje njërin, apo edhe të dy sytë, ishte dy herë më i madh se rreziku që të humbje kokën. I vinte rëndë të blinte një sy të majtë në vendlindje, ndoshta ngaqë përbuzte mënyrën se si e shihnin të vetët botën. Për më tepër tani kur vendet ishin në bashkim e sipër dhe ai mund ta blinte syrin në një hapësirë pakrahasimisht më të gjerë, ishte pakashumë njëlloj sikur ta blije atje ku të qe fikur. Pat marrë vesh asokohe se kafshëve të Ballkanit u qe dhënë leja të ngjëronin ca botë të lirë me vështrim, dhe pat arritur në përfundimin se sytë e kafshëruar nga pamundësitë janë më të gjallë, më të qëndrueshëm, sepse kanë parë shumë në burgimin e tyre.

Pensioni i dilte e i tepronte Plakut që të blinte nga barbarët gjer edhe syrin e ndonjërit prej zotave të tyre. Mund t’u falte, në këmbim, ose si bonus, nëse shtrohej nevoja, syrin e vet të shuar, bashkë me një nga ato kutiza qelqi ku prehen mbetjet e shenjtëve, në varësi të shitësit, që të vendosej në ndonjërin prej muzeumeve a mejhaneve të çartura që hapeshin këtejpari çdo muaj. Mbi kutizën prej qelqi mund të gdhendej fjalia „Sy perëndimor - sheh atë që s’ta pret mendja”.