Showing posts with label "Anonima ose Tirana në hijen e një kalimtari". Show all posts
Showing posts with label "Anonima ose Tirana në hijen e një kalimtari". Show all posts

An-on-ima: "Dëgjim tjetër" (14)


Gati çdo dy muaj përshkoja Rrugën e Elbasanit për të ndrequr radion Sonra, - që na e pat dërguar stërgjyshi nga Amerika, - sa herë i digjej syçka e gjelbër, ose ndonjë llampë. Nuk di ç’pamje kisha tek çapitesha me atë radio në krahë, ndonjëherë edhe në sup. Por nuk bezdisesha. Ajo kuti ishte aq e shtrenjtë për mua, aq e gjallë, saqë jo rrallë, gjatë orëve, ose ditëve të errëta, plot makthe, më dukej sikur do të vinin të ma arrestonin. Ose do të më arrestonin mua, ngaqë më kishin gjetur radio, ashtu siç prangosnin ata të cilëve thuhej se u gjenin armë, trakte, libra të ndaluar.
Shumica e të njohurve dhe të panjohurve mundoheshin të shihnin sa më tepër botë me sy, përmes televizorit, kinemasë, revistave etj. Ndërsa unë shihja botë me veshë. Dhe shihja jo falë gjuhëve apo fjalëve të huaja që njihja, por falë krejt pjesës tjetër të tingujve dhe heshtjeve mes tyre, pjesës së panjohur, të cilën nuk e kontrollonte dot askush veç Zotit. E gdhija, ose flija me radion hapur – dhe shijoja një liri që buronte e mbështetej nga e në padijë. Nuk di nëse kam gjetur qysh atëhere ndonjë mjet tjetër më të fuqishëm për të ruajtur e përsosur shqipen.