Showing posts with label "Sy". Show all posts
Showing posts with label "Sy". Show all posts

Nder / nga romani "Sy" [2003]


Nuk më ftoi si zakonisht Ulu, se e kish pikasur që unë isha lindur e vazhdoja të mbetesha i pa vend, pezull.

Zyra ishte e tëra ar, mermer, qelq kundër plumbit dhe dru arre i shtrenjtë. Në skajin ku gjysma e vështrimit tim arrinte, ngrihej Vegla e Mamasë, e pastruar, e lyer me llak, pa jetë. Pjesa e padukshme për mua e zyrës qe e stërngopur me trofé të vetat fotografike: syshkruara Flutura në mbi njëqind pamje, tokje duarsh të tij me qeveritarë nga e gjithë bota, me tregtarë e themelues korporatash, buzëqeshje nga maja e Tour Eiffel-it, nga Binjaket, buzë liqenesh e detrash me famë, mbështetur pas shtatoresh të lashta greke, romake...

Të gjithë e dinin se ish-Koçon e Vanthies, ish-Koço Puthjen, tani: Koço Stërputhjen kaherë e pat ndjekur gropave leku e dyfeku. Dyfekut i kish bërë bisht me burrëri e dinakëri të rrallë, kurse leku e kish kapur keqas për zverk të fatit e s’kish ndërmend ta lëshonte, ndofta gjersa mania për t’u hekurosur mbi letra t’i kalonte...

Ç-ja, mendja dhe apostrofi

 


Duke qeshur nëpër dhëmbë, me atë gjuhën që jo rrallë merrte vetitë e hithrës, Afrim Katrahura kish nisur t’ia bënte kokën dhallë Ilirit me një sy. Qe pushtuar befas nga një optimizëm që ia merrte në kthesë atij të komunizmit. Duhej bekuar mbareprapë kjo periudhë tranzicioni. Duhej falenderuar Perëndia për këtë periudhë, sepse, në të vërtetë, tranzicioni kishte shtyrë për nja tridhjetë a më shumë vite më vonë, një luftë që dukej e pashmangshme dhe që do ta kish bërë Evropën pluhur e kujtim.

- Po ish-Jugosllavia? - kish pyetur tjetri.

- Shleu borxhin, - ia preu dijetari. E shleu të tërin menjëherë. Kurse ne të tjerët kemi filluar ta shlyejmë me këste. Qysh në kohë të katragjyshërve...

- Po ata që, edhe pas luftrave, janë prapë në tranzicion?

- E, atyre siduket u duhet të shtyjnë edhe një luftë!

Iliri me një sy qe larguar i zhgënjyer. I dukej sikur të gjithë bënin çmos për të mos e lënë të ikte. Përdornin të gjitha marifetet vetëm që ai të ngordhte aty, si merimanga në vrimë të qenefit.

"Sh/krime" [Nga "Sy", roman, 2003]

“Qysh atë natë iu bë sebep e fjetura me gojë hapur. E ndonëse goja e hapur nuk e shqetësonte, ia vuri fajin plumbit të gërmave dhe asaj zjarrmie të fshehtë, që buronte largas nga shpirtrat e hafijeve. 
I ngarkoi detyrë shtëpie Afrim Katrahurës që të llogariste pakashumë sa dhe cilat gërma nevojiteshin për peshën e një plumbi kobureje. Asisoj do të dinte me sa plumba kraharorit e pat paguar tërë atë ngadhnjim.

Gjatë një muzgu vjeshte të parë, shoku Themi iu dorëzua edhe ai me mish, me shpirt e me eshtra muzave. Ndofta qëndresa që pat synuar t’u bënte ia kish harxhuar fuqitë, por edhe dyndja e librave që shkruheshin e dilnin nga shtypi me një shpejtësi shajnitëse. U pahuan sërish lidhjet tona të fshehta e stërgjyshore me Plumbin (Pb). Vallë, sa plumb në trajtë gërmash duhej të kishim ende brenda nesh, përderisa edhe pas aq të shtënash parakrahët, mollëzat e gishtave, makinat e shkrimit dhe letrat nuk platiteshin?!

SY - libri që s'mund të rrëfehet (al / eng)

Një roman që e sheh historinë ballkanike e më gjerë me sytë e shpirtit dhe jo shpirtin e njeriut të sotëm me sytë e historisë. I shtjelluar në një hark kohor që hapet gjatë viteve `40 të shekullit të kaluar e vijon deri përtej ditëve tona, romani gërsheton realizmin e fuqishëm me groteskun dhe me humorin e befasishëm, duke „shtuar e pakësuar” sy në vetëdijen e munduar të lexuesit të sotëm. "Njëri nga synimet ishte që ky libër të mund të shtronte po aq pyetje sa ç’shtron edhe vështrimi i njeriut të sotëm. Më dukej thelbësore barazpesha mes numurit të pyetjeve dhe misterit që ruan tharmin e jetës”, thotë autori. “Ky mister mbetej bebëza e Syrit, rreth të cilit endeshin dhe enden çështje marramendëse, si gara e nëndheshme dhe shpesh gjakësore mes racave, gjuhëve e besimeve, forca e hartave gjenetike ndaj atyre gjeopolitike e kulturore; rrjedha çmeritëse e lëndës (financave); ata që kanë pushtetin dhe ata që i ka pushteti; vazhdimësia të paktën e çuditshme e ca gjërave si varfëria, të jetuarit si vetëm për të paguar taksa e shlyer borxhe; çartja e mediave dhe mbetja gati përjetë në zonën gri, ku vetëm humori dhe pranimi i absurdes prodhimtare e ndalojnë shpirtin të mpihet krejt”.
Me të drejtë është theksuar se romani „SY” është një vepër që duhet lexuar, sepse vërtet nuk mund të rrëfehet.


*

A deep and complex novel about Eastern European life in the past 60 years. A work that sees the Balkan history and not only through the eyes of the soul, and not the contemporary man’s soul through the eyes of history. Including a time frame since the 1940s of the past century and until beyond nowadays, „Eye/s” combines a powerful realism with the grotesque and with a surprising humour, adding and reducing eyes in the heartsick consciousness of the contemporary reader. "One of the goals was this book to ask as many questions as the man’s gaze does. I found essential the balance between the number of questions and the mysteries of life" Kyçyku says. „This mystery was the Eye’s pupil, around which many important matters move, such as: the underground and sometimes bloody competition between races, languages and religions, the force of the genetic maps towards the geopolitical and cultural ones, the material circulation (finances), people being in power and people owned by power, the prosecution of poverty, the living as if only for paying taxes and duties, the mass-media madness and the continuous stay in the grey area, where only the humour and the acceptance of productive absurd stop the soul from getting completely frozen”.
It has been rightfully stated that the novel ”Eye/s” is a work that must be read because it can truly not be related.

SY - fragmente

"M’u fanit në mendje fytyra vërtet e paharrueshme, prej rosaku të shartuar me mëz, e Ujerës, fytyrë që, s’di pse, më zgjonte njëfarë malli. Edhe fundërrinat mbajnë më pak erë të qelbur kur i sheh të gërshetuar në nyjen e madhe të një jete që ka qënë edhe e jotja. Nuk e kishte vrarë askush. Kish ikur Haki dhe qe kthyer pas ca kohësh Alberto. Askush nuk e kërcënoi me vdekje, por ai iku sërish. Heraherës dërgonte karta. Po digjem në Romë. Po digjem në Milano. Po digjem në Vjenë. Kish ikur Alberto dhe qe kthyer për disa ditë si Hans. Pastaj kish ikur Hans e qe kthyer Habib. Kish ikur Habib e qe kthyer Alqiviadh. Ndërkaq, pati kohë e përkushtim të digjej therrorisht në Stamboll, Sofje, Bukuresht, Riad, Bon e ashtu me radhë. Pati kohë të kthehej herë i rrasur në raso, - e të shpërndante Biblën në ca zona të thella, ku kishte më shumë kisha e famulli, se banorë, - herë i fundosur në xhybe, - e të përhapte Kur’anin Glorioz në ca zona të thella, ku kishte më shumë muezinë, xhami, tyrbe e dervishë, se sa besimtarë, - herë në kostume ngjyrash e trajtash të ndryshme, me jakat plot stema shoqërish bamirëse, okulte, aristokratike, blerë nëpër tregjet me vjeturina. Pastaj kish ikur Leonidhë e qe kthyer John. Kish ikur John e s’po kthehej. U gjysmua numuri i pleqve, u trefishuan plehërat - ai hiç. As karta, as habere, as të fala, as ndonjë fjollë hiri nga altari ku, logjikisht, duhej të digjej ato kohë. Ca sehirxhinj të realiteteve historike kishin vënë baste të majmë se, po të kthehej, kësaj here do të vinte si Yamamoto, Prishnamurti, Ha Ki Neng, ose diçka e ngjashme. Do t’i jetë mbaruar ajo lafsha sa një çitjane, qe zgërdhirë atëhere njëri nga nëpunësit pa emër të Doganave. E përethur, e pashtershmja gurrë popullore, nisi atëbotë në kërkim të tij një përrua plot flluska të ylberta:
Të nisëm Haki / Prisnim Yamamoto / Shpirti na u mpi / Na dërgo një foto // O, Hakiu i nënës / Ku e le vatanë / Dhe dritën e hënës / Horrat po e hanë // Po vaji dhe loti / Kot s’na vajtën, jo / Kur të pyesë Zoti / Ne mos na harro!

Sy / Ochi


Sqarim: “... dhe pó atje (në Eden) banojnë shtatë klasat e të drejtëve. [...] Në klasën e katërt janë ata mbi të cilët zbriti reja për t’i mbuluar. [...] Nuk dihet me saktësi për cilët është fjala këtu. Ndofta janë njerëzit që Zoti i zgjodhi, qoftë gjatë jetës, qoftë kur vdiqën, duke i mbështjellë me një ré lavdie. Kur Moisiu u ngjit në Malin Sinai për të marrë Tora-n, Zoti e mbrojti nga zilia e ëngjëjve, duke ndehur mbi të një re”.
A.Cohen, Talmudi



E qeshura e mbledhur (dhe pjesërisht e shpëtuar) në faqet e mëposhtme mbetet dëshmia më e plotë se ata që përmenden këtu dhe ata që s’përmenden askund nuk janë vëllezër binjakë. Ngjashmëritë mes tyre nuk janë krejt të rastit, por nuk kanë, për fat të keq, as ndonjë ndikim të pazakontë mbi forcën e gjërave.
Autori


*
Zbriti pastaj mbi liqen një ré e ndritshme dhe e pambuktë, që s’dihej nga u ngjiz, dhe malet përreth u dukën dy herë më të zinj. Reja nuk qëndroi gjatë mbi ujra, nuk u pá nga të gjithë. Ata që patën fatin ta shihnin, pandehën se vetë shpirti i dëborërave mijëvjeçare, i zvjerdhur nga bëmat e vdekatarëve dhe nga pafuqia e ngjyrave për të mbetur përjetësisht parajsore, u shndërrua në re, u fanit kalimthi mbi ujra, ndofta sa për të lajmuar dhembshurisht ikjen, dhe u tret.
Një grimë kohe para tretjes, buisi mbi qytet një aromë e përzjerë dhe mahnitëse virgjëreshash, shelgjesh, kallamishtesh, butesh vere dhe gurësh zjarri, që latohen nën ujra. Vezullimet e resë u ndehën anembanë. Një pjesë e tyre, tashmë në trajtë rrezesh jashtëtokësore, përshkuan ujrat gjer në fund. Brendësia e ujrave u tjetërsua. Peshqit u dukën të gjithë njëlloj, shumë-ngjyrësh. Disa syresh, pak më të uritur a thjesht të frymëzuar nga ajo brofje ngjyrash nënujore, nuk vonuan të kërcenin drejt resë, me gojëzat hapur, me shpresën se mund t'i shkulnin ndonjë copëzë.
Nuk dihet ç’pandehnin se është.