Showing posts with label ”Hapësira që vazhdon të mbahet peng”. Show all posts
Showing posts with label ”Hapësira që vazhdon të mbahet peng”. Show all posts

Hapësira që vazhdon të mbahet peng


[Ex Oriente lux. Kur jeta trëndet mbi kokë. Jemi “në Portat e Lindjes, ku asgjë s’merret seriozisht”. Mbështetës të Jetës së Epërme në “Fuçinë me Barut”. Xhelatë dhe të flijuar. Atje ku hahet më mirë dhe atje ku vuhet më bukur. Nga vuajtja vetjake – tek vuajtja e dhe në vend të të pagojëve. Vuajtja nxjerr emrin nga numuri. “Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…” Përkthime nga Jogjuha / Mbigjuha. Më thuaj për çfarë vuan, të të them cili je; sepse do të kuptoj çfarë dashuron dhe si dashuron. Një Shekull i ri, apo vetëm njëqind vjet të tjerë… Vuajtja që, përmes tekstit, njëson kohët dhe qëniet, duke ringjizur kontinentin e dikurshëm. “Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet”. Kakofonitë shpirtërore, ose ligjërimi i ngurtësuar i egocentrizmit në Fuçinë me Metafora.]

E rishmi jeta
M’u trënd mi kokë
Dh’u shemba e mbeta
Si shkëmb përtokë.

Si shkëmb i rrëzuar
Në vrull shtrëngate,
Pa ndrysj në duar
Kaq mall që vate.
Lasgush Poradeci, Flaka[1]

Căci te iubeam cu ochi păgâni
Și plini de suferinți,
Ce mi-i lăsară din bătrâni
Părinții din părinți[2].
Mihai Eminescu, Pe lângă plopii fără soț

Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet.
Ioan Es Pop[3]

Perëndimi nuk është interesuar asnjëherë për shkrimet tona, përveçse përmes ca gazetarësh që marrin urdhër nga një kryeredaktor, i vetëdijshëm se duhet të japë çdo muaj, çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj (...) nga një lajm për ne. (...) Përndryshe, çfarë t'i joshte në shkrimet tona, kur këto, në shumicën e rasteve, ishin kopjime nga shkrimet e tyre?! (...) Sytë e perëndimorëve janë edhe ata sy si gjithë të tjerët. Sy teleskllevërish
Marian Popa, Avokati i të paudhit

"E kam humbur krejt krenarinë time prej shtetasi,
krenarinë shoqërore, etnike, fetare; më është zvjerdhur kombi,
ndërsa Ballkani më duket si një tas i thjeshtë pështymash për fuqitë e mëdha.
Vetëm besimin në Gjuhë, në Mirësi e në Flijim nuk e kam humbur.
Përmes tyre, si ndonjë fëmijë, ribëj përditë edhe këtë lodrën që quhet Shpresë".
I. D. Sîrbu

Rruga ime prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!
Hiqmet Meçaj

Ex Oriente lux[4]

Duhet thënë se, në një masë të madhe, përfaqësuesve lindorë të Evropës nuk u rritet më fama, nuk u rëndohet gjoksi me medalje e as nuk u bymehet xhepi nga viktimizimi i vetvetes. Kur numuri i viktimave dhe i kalvareve kapërcejnë çdo përfytyrim, pakkush mbetet i prirur t’i besojë, ndoshta ngaqë pranimi i tyre e rrit padurueshëm përgjegjësinë. Kurse në Lindje, marrja përsipër e gabimeve të së kaluarës nga ana e disave dhe zbutja e frymës ndëshkuese nga të tjerët nuk na ndihmojnë të kuptojmë nëse bëhet fjalë për një rikthim të Moralit, apo për një tjetër goditje imagologjike, si zakonisht mjeshtërore dhe e pamëshirshme, e ish-ëve. Këta të fundit e urrenin vuajtjen krijuese dhe, gjatë një gjysmëshekulli, u orvatën ta zëvendësonin me një vuajtje kryekëput lëndore, duke ndihmuar tërthorazi, të vetëdijshëm, ose jo, përhapësit e mëvonshëm të globalizimit dhe të shekullarizmit. Sindroma e stomakut që përçmon zemrën, fatkeqësisht mbizotëron edhe sot. Kjo gjendje faktike dhe shpirtërore i detyrohet kryesisht zgjerimit të mendësisë ateiste. Një zhbirim i thjeshtë mund të na bindë se ateisti e do aq pashëndetshëm vetveten, saqë beson se askush dhe asgjë s’mund ta mbrojë, s’mund ta nxjerrë nga telashet e aq më pak t’i shpëtojë shpirtin. Shpirti i tij nis njëheresh me trupin dhe zhduket bashkë me të. Për ateistin nuk ekziston përveçse kjo botë dhe vetëm kjo jetë. Ai kundërshton me përbuzje çdo grishje për vuajtje pastruese e shpëtim, sepse beson në një kozmos të vetëqënë, në një kohë dhe hapësirë në miniaturë, që vijnë nga mosgjëja dhe shkojnë drejt asgjësë. Ai rron (aq sa rron) i bindur se është shfaqur në botë rastësisht, do të ikë së këtejmi njëherë e përgjithmonë dhe u cakton të njëjtin fat edhe të tjerëve. Duke qënë kësisoj më i ulët se demonët (“të cilët besojnë e dridhen në ferr” – Dhjata e Re), ateisti gjithsesi e nuhat se pse ferri është “parajsa” e të këqinjve, siç pohon Constantin Virgil Gheorghiu[5], dhe vjel nga ky këndvështrim një shpresë të vogël për amëshim. Sepse kur edhe ferri del si shprehje e një Dashurie të papërfytyrueshme për njeriun, mund të merret lehtë me mend se ç’dashuri bart pjesa tjetër e botës.