DËSHMITARI – pseudonimi i një djali
nga mosha 13-vjeçare deri pak pas vdekjes
Zërat e tyre dëgjoheshin
si nën ujë. I përfytyronim të mbyllur në flluska si ato të sapunit, ose edhe si
ato që përshkruajnë ëndërrat në vizatime, dhe buzëqeshnim.
Buzëqeshjet tona largoheshin pó si flluska, po zor se ua vinte njeri veshin.
Për vite me radhë, asnjëri prej tyre nuk pati kurreshtjen e as mori mundimin të përkthente buzëqeshjet tona të çiltra. I pandehnin flluska të mbrame, nga ato që braktisin vdekatarin para se të japë shpirt, ose njëheresh me daljen e shpirtit, a thua se shpirti qënkej ajër i mbyllur në bula e nuk u përzjeka dot me ujin.