Showing posts with label "viceCartea". Show all posts
Showing posts with label "viceCartea". Show all posts

Dinamit / nga "zv.Libri - copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri"


Fanitet Ikua i Parë me gjeminë e kopjuar sipas gjemisë së Ikos, me libra të stivosur, me llampë të ndezur peshkimi, me peliçe minatorësh, me kokore, me armë gjahu, me një çadër plazhi të zbërdhylur, me një mushama të gjelbër ushtrie.

 

Ikua i Parë (ish-Ushtari 1)

Iko! Iko-o-o-o!

 

Ikua

Ëëëë…

 

Ikua i Parë

Më dëgjon?

 

Ikua

Jo vetëm të dëgjoj, por edhe të njoh.

 

Ikua i Parë

Me gjithë mend?

 

Ikua

Nuk je ti ushtari i popullit ushtar, që më lexoi dënimin me vdekje në mungesë?

 

Ikua i Parë

Unë?!

 

Ikua

Me vendim të posaçëm të datës… ëëë…, the, i pandehuri Iko ëëëë… dënohet me vdekje në litar, në bazë të Ligjit ëëë… neni ëëë… për tradhti të lartë ndaj atdheut…


Ikua i Parë

Hm, po ashtu ishin kohërat, mor Iko. S’kishe nga të mbyteshe.

 

Ikua

Unë kisha.

 

Ikua i Parë

Të shkuara, të harruara.

 

Ikua

Me hak. Të kujtohet sa kemi qarë bashkë në toskërisht?

 

Ikua i Parë

Nuk marr vesh.

 

Ikua

Nuk të kujtohen tërë ato ëëëëëëë?! Ëëëëë, ia priste njëri – ëëëë, ia mbante tjetri. Përtej ë-ve, fati vajtonte n’gegnisht.

zv.Libri / viceCartea

Botimi I, Bukuresht 2008
Copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri

Motto “Këta janë ata që kaluan sprovën e madhe: i lanë petkat dhe i zbardhën me anë të gjakut të Qëngjit […] Kurrë më s’do të kenë uri, kurrë më s’do të kenë etje, kurrë më s’do t’i djegë dielli e as rrezet e tij, sepse Qëngji që është në mes të fronit do të jetë Bariu i tyre, dhe ai do t’i çojë në burimet e ujrave jetëdhënëse. E Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”.

Pastaj zëri që dëgjova nga qielli foli sërish me mua dhe tha: ‘Shko e merre libërthin e hapur nga dora e ëngjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë’. Iu afrova ëngjëllit dhe iu luta të ma japë libërthin. Ai më tha: ‘Merre dhe haje! Do të të dhembë barku, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalta’. Ia mora libërthin nga dora dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalta, por pasi e gëlltita stomaku pësoi dhimbje”.
Apokalipsi 7, 14-17 dhe 10, 8-11


Pjesëmarrësit:

Ikua – kështu ia kanë vënë nofkën
Komandanti i Parë i kufirit
Komandanti i Dytë i kufirit
Komandanti i kufirit fqinj
Ushtari ynë 1 (bëhet Ikua i Parë)
Ushtari ynë 2 (bëhet Komandanti i Tretë)
Goni – i ri që merr arratinë drejt Botës së Lirë
Mira – e dashura e Gonit dhe jo vetëm e tij
Zana (Vanesa)
Ikua i Parë (ish-ushtari ynë 1)
Gruaja e Ikos
Vajza e Ikos
Djali i Ikos
Gazetarja e së përditshmes “Ujrat Sot” dhe e TV Planeti
Djali i Ikos të Parë (Ikua i Dytë)
Dekoruesi, Kameramani, Të Panjohur, Ushtarë ushtrish të ndryshme, Fëmijë, Peshkatarë, Të Mbytur, Zëra Dite e Nate

Ngjarjet zhvillohen rreth një gjemie të ndalur në ujrat e askujt, ose të gjithkujt, që rëndom emërtohen neutrale.

Java e Parë

I.


Ujra të kaltra dhe të zeza. Qielli është i ndarë më dysh: gjysma me diell, gjysma me dëborë. Dielli është i ngjitur me hënën, nata me ditën, uji me tokat.
Në skaj të horizontit duken vazhdimisht hije ushtarësh, oficerësh e varkash, si dhe dritëzat shumëngjyrëshe të disa qytezave të huaja.
Në anën e këtejme, dritëzat herë fiken, herë pipëtijnë.
Në lug të kësaj pamjeje ngrihet një Gjemi e madhe, me trajtë të çuditshme, si ndonjë kullë e pjerrët – ndoshta ngaqë është sajuar me drurë e trarë nga shtëpitë e vjetra të qytetit.
Nga shtiza e llampës së peshkimit sapo ka fluturuar këmisha e bardhë, si flamur i dështuar paqeje, e Ikos. Duken tri stiva me libra madhësish e trashësish të ndryshme.
Nuk fryn erë.
Ikua rri ndenjurazi pranë llampës së ndezur dhe shfleton një libër me kapakë ngjyrë hiri.


Ikua
Se njeriu librin e ha, kurse rrobat jo, komandant. Më dëgjon? Rrobat s’kanë vitamina. Prandaj nuk trishtohem që era ma mori këmishën. Duket sheshit: s’ka paqe mes nesh. Më dëgjon? S’para je në ujrat e tua sonte...

Komandanti i Parë
Të dëgjoj, mor tradhtar, të dëgjoj. Edhe automatiku ka një javë që t’i dëgjon përçartjet.

Ikua
Dhe po humb durimin, ë? Apo…