zv.Libri / viceCartea

Botimi I, Bukuresht 2008
Copëza jete a letre, frymëzuar nga Teatri

Motto “Këta janë ata që kaluan sprovën e madhe: i lanë petkat dhe i zbardhën me anë të gjakut të Qëngjit […] Kurrë më s’do të kenë uri, kurrë më s’do të kenë etje, kurrë më s’do t’i djegë dielli e as rrezet e tij, sepse Qëngji që është në mes të fronit do të jetë Bariu i tyre, dhe ai do t’i çojë në burimet e ujrave jetëdhënëse. E Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”.

Pastaj zëri që dëgjova nga qielli foli sërish me mua dhe tha: ‘Shko e merre libërthin e hapur nga dora e ëngjëllit që qëndron mbi det e mbi tokë’. Iu afrova ëngjëllit dhe iu luta të ma japë libërthin. Ai më tha: ‘Merre dhe haje! Do të të dhembë barku, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalta’. Ia mora libërthin nga dora dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalta, por pasi e gëlltita stomaku pësoi dhimbje”.
Apokalipsi 7, 14-17 dhe 10, 8-11


Pjesëmarrësit:

Ikua – kështu ia kanë vënë nofkën
Komandanti i Parë i kufirit
Komandanti i Dytë i kufirit
Komandanti i kufirit fqinj
Ushtari ynë 1 (bëhet Ikua i Parë)
Ushtari ynë 2 (bëhet Komandanti i Tretë)
Goni – i ri që merr arratinë drejt Botës së Lirë
Mira – e dashura e Gonit dhe jo vetëm e tij
Zana (Vanesa)
Ikua i Parë (ish-ushtari ynë 1)
Gruaja e Ikos
Vajza e Ikos
Djali i Ikos
Gazetarja e së përditshmes “Ujrat Sot” dhe e TV Planeti
Djali i Ikos të Parë (Ikua i Dytë)
Dekoruesi, Kameramani, Të Panjohur, Ushtarë ushtrish të ndryshme, Fëmijë, Peshkatarë, Të Mbytur, Zëra Dite e Nate

Ngjarjet zhvillohen rreth një gjemie të ndalur në ujrat e askujt, ose të gjithkujt, që rëndom emërtohen neutrale.

Java e Parë

I.


Ujra të kaltra dhe të zeza. Qielli është i ndarë më dysh: gjysma me diell, gjysma me dëborë. Dielli është i ngjitur me hënën, nata me ditën, uji me tokat.
Në skaj të horizontit duken vazhdimisht hije ushtarësh, oficerësh e varkash, si dhe dritëzat shumëngjyrëshe të disa qytezave të huaja.
Në anën e këtejme, dritëzat herë fiken, herë pipëtijnë.
Në lug të kësaj pamjeje ngrihet një Gjemi e madhe, me trajtë të çuditshme, si ndonjë kullë e pjerrët – ndoshta ngaqë është sajuar me drurë e trarë nga shtëpitë e vjetra të qytetit.
Nga shtiza e llampës së peshkimit sapo ka fluturuar këmisha e bardhë, si flamur i dështuar paqeje, e Ikos. Duken tri stiva me libra madhësish e trashësish të ndryshme.
Nuk fryn erë.
Ikua rri ndenjurazi pranë llampës së ndezur dhe shfleton një libër me kapakë ngjyrë hiri.


Ikua
Se njeriu librin e ha, kurse rrobat jo, komandant. Më dëgjon? Rrobat s’kanë vitamina. Prandaj nuk trishtohem që era ma mori këmishën. Duket sheshit: s’ka paqe mes nesh. Më dëgjon? S’para je në ujrat e tua sonte...

Komandanti i Parë
Të dëgjoj, mor tradhtar, të dëgjoj. Edhe automatiku ka një javë që t’i dëgjon përçartjet.

Ikua
Dhe po humb durimin, ë? Apo…



Komandanti i Parë
… apo do ta mbyllësh atë sqep, se na e bëre kokën daulle.

Ikua
Më mirë daulle, se shoshë, komandant. (Shkul një grusht fletësh nga libri dhe ia drejton komandantit pa kthyer kokën) Ke uri? Do ca faqe historie? Por kemi edhe prozë letrare, po s’na e mbajti stomaku historinë. Kemi poezi të realizmit socialist, novela, tregime, gjëagjëza… Kemi libra sa të hanë qentë, si i thonë… ndonëse këtu na rrethon vetëm uria e tytave dhe e peshqve…

Komandanti i Parë
Ah, si do më kishe cicëruar po të të kisha pasur nja dy orë në atë zyrën time atje… në breg… përballë pistës së vallzimit! Njerëzia do të hidhnin valle me muzikë, ti – me dajakun tim… E di sa kreshnikë e kanë mallkuar ditën kur janë pjellë, në atë zyrë? Ja, sa një furrik është, sa gjemia jote, ama ta nxjerr qumështin e katragjyshes pikë-pikë…

Ikua
Si puna e pikës kineze, ë? Më magjepse, komandant. Gati po më vjen keq që s’patëm fat të piqeshim në zyrën tënde. Vallë duhet të trishtohem tani që të solla gjer këtu e po të dridhen dhëmballët e vëna nga makthi?

Komandanti i Parë
Ncuk! Vetëm t’i rrahësh mirë trutë e të marrësh një vendim, përndryshe do ta shohësh të sat ëme te muri i pushkatimit.

Ikua
Do ta pleqërojmë, komandant, atë punë, mos ki merak. As uri mos ki, se ka Ikua libra për ty sa të ushqehet mbarë ushtria e popullit ushtar.

Ushtari 1
T’ia shpoj kokën, komandant? Thuaj vetëm zjarr dhe shpëtojmë nga ai zgjebs.

Komandanti i Parë
Ti kujton se unë s’di të qëlloj, mor tuhaf? Po ka lidhur në kyç të dorës atë spangon, e shikon?, dhe në fund të asaj spangos rri në pritë një qivur plot me llokume dinamiti… Merr vesh? Ta pret mendja ku e mbajmë frymën po dolën ato llokumet nga qivuri?

Ushtari 2
Atëhere t’ia këpusim spangon.

Komandanti i Parë
Me se?

Ushtari 2
Me plumba.

Komandanti i Parë
Hm, e drejtë... S’mund të mburresh kurrë se je fatkeq, po s’pate nën urdhër ca humbameno… Këta kujtojnë se buka bëhet në furrë. Po të kish qënë budalla, do të tretej nën dhé tani. (Ushtarit 1) Mban veshur një këmishë të mbushur me llokume, djalosh. E ka qepur duke u frymëzuar nga vezmet… Prandaj nuk e vrasim dot. Por as gjallë s’kemi të drejtë ta lemë… (Ushtarit 2, me zë të ulët) Bëj haber të na sjellin darkën, se ngordhëm urie këtu. E të venë presh, ose rrepa, në vend të qepëve, se na ka hyrë kutërbimi i qepës gjer në palcë. Njofto qëndrën se kjo punë merr fund nesër a pasnesër në të gdhirë.



Ushtari 1
Po atëhere ta shtyjmë matanë kufirit dhe, sapo të gjendet atje, ta hedhim në erë.

Komandanti i Parë
Kujton se atyre (tregon me krye rojet e ujrave fqinje) s’u ka vajtur në mend kjo gjë? Ndofta prandaj s’e pranojnë në ujrat e tyre… (Shfryn me vete dhe pështyn).

Të dyja palët e ruajtjes së kufirit shtrohen të hanë. Duket sikur hanë në të njëjtën mensë ushtrie, ndarë më dysh nga gjemia e Ikos.
Ikua ngrihet më këmbë, shtriqet duke u kujdesur që të mos e tërheqë më shumë nga ç’duhet spangon e dinamitit, gogësin dhe buzëqesh.

Ikua
Hanë. Hanë kur mundin e, kur s’mundin, hanë me mend. Nuk prajnë kurrë. Bëjnë sikur ruajnë kufirin, por, në fakt, e kanë mendjen vetëm tek e ngrëna. Bëjnë sikur marrin frymë, sikur dashurojnë, sikur ëndërrojnë, sikur janë gjallë… Edhe kur u turrën të më kapnin, mbllaçiteshin. Këta (duke treguar me kokë nga tanët) më ulërinin ‘Ndal, mos dil, se t’i hodhëm trutë në erë… Sa as korbat mos kenë ç’të cimbisin…’ Kurse ata (duke treguar me krye nga fqinjët) çirreshin: ‘Ndal, mos hyrë, se të…’. Ca më këlthisnin të mos dal, ca të tjerë mos hy. Sikur hyrjedaljet të ishin pronë e tyre. E meqë janë armiq për vdekje, ia dinë mirë gjuhën shoshoqit. Prandaj më kanoseshin në shqip… Ju bëftë gjak e dhjamë, komandant. Edhe juve, (kthehet nga fqinjët) komandant e ushtarë të thjeshtë. S’e kishin haberin të gjorët ç’domethënë uri ujrash. Nuk thotë kot mileti: më mirë një bajgë në tokë, se sa një pilaf në ujë… Kujtuan se do të ngordh urie. Ose nga pagjumësia. Kisha qënë aq i parëndësishëm për ta, sa nuk u dukesha i vërtetë. Mezi më gjetën nëpër regjistra. Oj, i dhjefshim racën, lehën pastaj. Këtë hije u dashka të ruajmë këtu mes ujrave?! Ku ta dinin ata se kjo raca jonë, e hijeve dhe e të paemërve, i ka rrënjët e thella. Më të thella se ujrat.

Njëri nga ushtarët gogësin.

Ikua
Si përfundim, pas nja dy ditënetësh, e hoqën nga mendja vdekjen time nga gjumi i pakët. E kishin marrë vesh që pata punuar roje nate dhe shpërvolën buzkat. Kur panë edhe se kalova nga ushqimet në letra e libra, mbetën si guakë.

Komandanti i këtejshëm mbaron së ngrëni dhe pi disa gllënjka verë.

Komandanti i Parë
Ti do të më lesh fëmijët pa bukë, pa shtëpi e katandi, mor qen, por s’do të të ndezë. Do ta gjejmë ne një zgjidhje, që ti të mos sosësh gjallë as këtej, as matanë, e që unë të mos laj haletë e burgut…

Ikua
Matanë ka shumë kuptime, komandant. Ti m’i ke lënë kahmot fëmijët pa bukë, pa shtëpi e katandi, kurse tani kërkon t’i lesh edhe pa zot shtëpie. Por s’do të të ndezë, ta dish. E di pse, komandant? Sepse unë jam atje ku juve s’keni ç’të më bëni. Shumë-shumë do më mbani ca fjalime nga ato me kërcëllime dhëmbësh plot mëni, si të armiqve, do më dënoni me vdekje e burgim të përjetshëm në mungesë e më the-të thashë…

Komandanti i Parë
Atë do ta shohim.

Ikua
Do ta shoh unë, se ju s’besoj t’i gëzoni ato ditë.

Komandanti i Parë
Hej, bela! As me plumb ballit s’më vjen të besoj se ky është ai roja që s’kish as emër, jo më ndonjëfarë peshe në qytet. Kur thanë u arratis filani, kapeni, vriteni, ose silleni të lidhur si kedh këtu, që ta ndëshkojmë sa të ngjethet foshnja në bark të s’ëmës, kujtova se po më luanin ndonjë rreng. Cili filan, mor ti, pyeta njërin. Filani, roja i minierës, i… Caktova shpejt dy vetë që të mblidhnin të dhëna, erdhën si rrufeja.

Dy ushtarët, sikur do të këndojnë ndonjë arie, hapin një dosje dhe bëjnë sikur lexojnë me radhë. Teksa ata hapin gojën, Komandanti i Parë shqipton:

I martuar, me dy fëmijë, djalë e vajzë. Nuk pi, nuk vjedh, nuk shan pushtetin. As popullin. Me prejardhje të shëndoshë. Nuk bredh pas grave të botës. Ka punuar roje tërë jetën. Roje para kinemasë, roje tek shtëpia e kulturës, roje parku, roje në minierë, roje… Atje si duket ka rënë në ngasje dhe ka përvehtësuar një sasi ende të panjohur dinamiti. S’ka punuar qorrazi, djaloshi. Duke përfituar nga fakti që të gjithë e trajtojnë si ndonjë hije a fantazmë të padëmshme, ka mbledhur dalëngadalë dru e trarë e dërrasa të papërdorshme, shumica nga shtëpitë e moçme dhe gardhet e qytetit, dhe ka sajuar një gjemí si qëmoti. Pastaj… ç’të shpëtonte, do pyesni ju, se ish i varfër sa më s’ka. Libra, more shokë. Libra! Se i ati na paskësh qënë i thekur pas librave. E na i paska lënë trashëgim një bibliotekë sa një kullë nga ato të këngëve. Lekë e varfëri fëmijët e tu do të gjejnë pa hesap, i paska lënë amanet plaku, po librat s’vijnë kollaj në derë të robit. Ruaji si sytë e ballit e mos i lësho! Qe pushtuar nga drithërimat e profecisë plaku… E ky i riu ia mbathi. Mbaroi gjeminë, e mbushi me libra të ndaluar, por edhe me plot vëllime të kohës sonë, përfshi disa nga kryeveprat e udhëheqësit tonë legjendar, e ia mbathi. Si ta nuhatnim ne që do t’ia mbathë, kur nuk e dinim që ishte gjallë e mes nesh. Më vonë ia bëra një pyetje me spec: Po pse u arratise, mor ti, kur, në fakt, as që ishe mes nesh?! As emër s’kishe, o ditëzi. Po të mos kishe ikur, s’do ta kishe emrin Iko, por Hiç, Askush, Kush… Doli fjala e Partisë, ma ktheu: Armiku më i rrezikshëm është ai që harrohet… Për të qënë s’ishe, mor maskara, por na hape telashe të mëdha, na more më qafë. Se kur s’të njoh, s’kam si të të ruaj, ama, po më ike, përgjegjësinë që s’të kapa e mbaj vetëm unë… Ta dija që qënkëshe i këtillë, të kisha vrarë me dorën time dhe s’do pësoja gjë, se asnjë s’e dinte që ti je gjallë e mes nesh…

Ikua
Do ta dredhësh një cigare, komandant?

Komandanti i Parë
Ncuk. Nuk e dredh unë me letër nga librat e ndaluar.

Ikua
Po të jap letër nga e udhëheqësit, komandant. Dridhe një, se të vijnë mendime të larta. Bëhesh largpamës si autori…

Komandanti kundërshton me kokë dhe i afrohet gjemisë. Ulet këmbëkryq në bashin e motoskafit ushtarak, largon me ca gjeste të fshehur ushtarët dhe i drejtohet Ikos. Zëri është i butë, vllazëror.

Komandanti i Parë
Dëgjomë me vemendje, Iko, se nesër mund të jetë vonë.

Ikua
Për mua s’është kurrë vonë.

Komandanti i Parë
Jo për ty, për mua. Po jam edhe unë njeri, ta dish.

Ikua
S’e kam vënë kurrë në dyshim. Po të mos kishe qënë njeri, më kishe shkrehur një breshëri dhe s’e kishe vrarë mendjen se qivuri me dinamit do ta kish bërë gjysmën e qytetit shkrumb e hi. Apo jo?

Komandanti i Parë
Ashtu është. Po tjetër gjë dua të të them. Më dëgjon?

Ikua
Vetëm mos të dëgjojnë ata që s’duhet. Se armiku përgjon. Aq më tepër ai që harrohet.

Komandanti i Parë
Po s’e mblodhe mendjen, nesër mund të gdhihem në pranga. Mendo që ime bijë është në vitin e fundit të fakultetit. Me babanë tradhtar, do ta flakin në ndonjë fshat të humbur e do ta bëjnë leckë shtazët e zonës. Për time shoqe s’po them gjë. As për vete. U pa puna jonë. Por mendo vetëm për fatin e sime bije, vajzë në lulen e moshës. Ke edhe ti një vajzë, mund të ma kuptosh sikletin. Do ketë njollë në biografi gjer të vdesë e zor të gjejë ndonjë burrë të hajrit.

Ikua
Ma bëre shpirtin copë, komandant.

Komandanti i Parë
Po pse tallesh, mor qen, ë? Njeriu të hap zemrën dhe ti i pshurresh brenda. Ç’është zemra ime, uturak?

Ikua
Për shpirt të prindërve, nuk tallem. Ma bëre shpirtin copë. Mirpo shikon ti, që jemi kapur si peshqit në grepin e fatit dhe…

Komandanti i Parë
Pse kërkon të marrësh mbi vete mallkimin e familjes dhe të farefisit tim? E bëre që e bëre këtë gafë, ndërro mendje, dil, do bësh ca vjet burg për politikë, pastaj të betohem që do bëj çmos të lirohesh për sjellje të mirë.

Ikua
E bëra që e bëra, por s’janë ca vjet komandant. Janë mes pesëmbëdhjetë e njëzet e pesë vjet hapsanë për tradhti të lartë ndaj atdheut. Gurore, minierë, kripore… Apo gabohem? Se s’para jam i sigurtë që të kem fatin e cave që marrin plumbin ballit dhe varrosen me shokë në skërka që s’i sheh as harta…

Komandanti i Parë
Po të flas si burri-burrit. Kujton ti se s’mund të t’i sillja këtu për flokësh dy kolopuçët dhe të të thosha: o dil, o do ushqehesh me kufomat e pjellave të tua të mbytura. Apo nuk ta sillnim dot tët shoqe e ta shkërdhente tërë toga, me radhë, ushtarakisht?! Mos më ndërpre! Kjo kockë luftoi (i bje gjoksit me grusht) që këto të mos ndodhnin. E kam gdhirë duke pritur që nga lart të më vinte urdhëri t’i bëja ato që këmbëngulja të mos ndodhnin.

Ikua
Po unë e kam gdhirë duke ruajtur gjëra që ju i përdhosnit sipas qejfit. Por ty s’të dhimbte, se je ardhacak. Kush ma shkatërroi mua jetën, megjithëse e ruajta oreçast sikur të qe central bërthamor? Ca si puna jote dhe ca si puna ime. Kupton, komandant? E tashti jeta ime plasi. Vërtet po të hedh edhe ty në erë, po ç’të bëj unë kur, siç e përsërit ti aq herë, s’jam më shumë se një i paemër, një hije, një fantazmë?!

Komandanti i Parë
(tund kokën me hidhërim)
Të paktën të kish ndonjë të ardhme kjo puna jote. Të paktën të dilje që këtej gjallë, të ikje në botën e lirë, të filloje punë e të pasuroheshe si shumica e mërgimtarëve të vjetër… Po ti e di mirë ç’të pret matanë, domethënë matanë kufirit. Mos shko si cjapi te kasapi me bindjen se i huaji të do më fort se tëndi. I huaji është kasapi, or cjap. Ta kanë thënë tërthorazi edhe fqinjët (bën me kokë nga ushtarët e huaj përtej gjemisë). Do të pandehin më parë se je i dërguar i posaçëm i yni. Pra, do të të zhdëpin në dru, derisa të flasësh jo me fjalë, po me jargët e qumështit të katragjyshes. Po bëre ballë, do të të rekrutojnë dhe do të të lëshojnë udhëve të botës, që të punosh për ta. Por mund të mos bësh dot ballë. Se ka ca rrahje gjatë të cilave lutesh që të kesh qënë i dërguar i posaçëm dhe të betohesh se janë të vërteta ato që sajon për të shpëtuar lëkurën. Po mund të hash edhe ndonjë shishe a tjetër gjë në vërë të bythës, mund të humbësh ndonjë gjymtyrë a vegël, mendohu mirë… Po nuk dole i aftë t’u shërbesh, gjë që ka ndodhur jo rrallë, do të të shesin në këmbim të ndonjë të shituri që e kemi kapur ne… Nuk do të vlesh më shumë se një hafije…

Ikua
Domethënë, vlekam sa t’ia shpëtoj jetën një të shituri, ë? Nuk të duket e habitshme? Një njeri i çliruar, që nuk vlen më fort se një i shitur…

Komandanti i Parë
Nga ana tjetër, këtej (tregon me kokë nga bregu i atdheut), fëmijët e tu dhe jot shoqe do të pësojnë ato që ka rrezik t’i pësojë ime bijë dhe ime shoqe qysh nesër…

Ikua
I kam bluajtur të gjitha, komandant. Po të ishe në vendin tim, do t’i shihje të gjitha krejt ndryshe.

Komandanti i Parë
Po të isha në vendin tënd, do të isha kthyer në atdhe.

Ikua
Jo. Do të kishe mbetur në at-ujë. Nën at-qiell, në at-ajër.

Komandanti i Parë
Po na shpik edhe fjalë të reja, palé. Ia ke ngenë, se po i shpik mbi lëkurën time.

Ikua
Po e di sa libra kam lexuar kur bëja roje, komandant? Kam lexuar, që të mos vdisja urie. Lexoja sikur po haja dhe haja sikur po lexoja. Zoti i Madh i përgatit në kohën e duhur të gjitha. Ku ma merrte mendja mua të gjorit se një ditë, domethënë sot një javë, do nisja të haja libra përnjimend?

Komandanti i Parë
S’para kam kohë për flatrime poetike, Iko. Më jep një përgjigje.

Ikua
Bëmë ti një pyetje që ta ketë hak përgjigjen.

Komandanti i Parë
The se i ke bluajtur të gjitha.

Ikua
Nuk gënjeva.

Komandanti i Parë
E në çfarë përfundimi arrite?

Ikua
Në përfundimin ku arrij gjithmonë.

Komandanti i Parë
Po ma thuaj, pra.

Ikua
Duhet të marrësh një sy gjumë, komandant. Ose dy sy. Kurse unë do të vigjëloj rreth gjumit tënd ashtu siç kam bërë kur s’të shkonte ndërmend se jam gjallë, pranë jush, mes jush.

Komandanti i Parë
Po ku kam gjumë unë, mor qelbësirë, merr vesh? Mua po me rrjedh truri nga veshët, se mund të gdhihem në hekura, ti më thua të…

Ikua
Atëhere mblidhi currilat e trurit në një tas dhe…

Komandanti ngre kallashnikovin dhe ia afron Ikos tek tëmthi i majtë. Për disa sekonda përpëlitet dukshëm mes etjes për të shtënë dhe arsyes që e ndalon të shpëtojë veten në këmbim të hedhjes në erë të gjysmës së qytetit. I dëshpëruar ngrihet në majë të gishtave dhe i drejtohet komandantit të huaj:

Komandanti i Parë
(me zë të zvargur, në shqip)
Me gjithë mend s’ke asnjë zgjidhje?

Komandanti fqinj mohon me kokë.

Ikua
E shikon që as jeta e atyre që s’janë nuk është në dorën tuaj?
(...)