“Si t'ia dal të hyj qoftë edhe
një herë, për disa çaste, në drithmat e mëngjesit që
pasoi?! Vitet vanë, mbushur me çikërrima që i pandehim perla, dhe pjekuria na
vodhi, ose na e vrau shkallë-shkallë varfërinë, e kjo mund të merret edhe si
përdhosje e dashurisë së kulluar. S’kishim asgjë krejt tonën, por Shpirti
mbante vetëm anën tonë, atë anën tjetër. Në fakt, kur humbëm varfërinë, humbëm
edhe virgjërinë e vërtetë. Pasoi një gjendje që mund të pagëzohet vonim i vdekjes ose vdekje që shtyhet. Hyra në oborrin e shkollës si më i varfëri ndër
bashkëkohës, por edhe si më i dashuruari ndër ta. Ina mungonte tek muri pranë
portës, nën parrullën “Kursim, kursim, në
çdo gjë dhe vazhdimisht”. Nga shikimet nënqeshës e madje përbuzës të
djemve, si dhe nga tiparet munxosës të vajzave, kuptova se të keqen ishte e
kotë ta ndillje. Ajo vinte vetë: të
gjithë na e dinin të fshehtën. Gjithë ai kursim i përbindshëm që na
rrethonte nuk na kish kursyer. Kur hyra në klasë, sikur hyri fantazma e ndonjë
keqbërësi, ose ndonjë nga ato ngërdheshje shtrigane që çartin trutë e njerëzve
nëpër ëndrra.
- He, ke hedh
grepat, e? - më zgërdhesheshin dy gjëmues të Inës.
