![]() |
| Original graphic A.-Ch. Kyçyku |
Në krye të herës dua të falenderoj përzemërsisht bashkëpuntorët, që më ndihmuan jo vetëm me përkushtimin dhe paanësinë e tyre, por edhe me debatet shkencore, sepse, siç dihet, kur shumë koka mendojnë njëlloj, ato nuk mendojnë shumë. Duhet të theksoj medoemos edhe se, në çdo fjali të këtij punimi qëndron dashuria e kulluar ndaj Letërsisë së përhershme shqiptare, ashtu siç e njohim pas një përvoje shumëvjeçare në hulumtime shkencore, botime e mësimdhënie, dhe dëshira që mosnjohja e saj, - shpesh rrjedhojë dhe pasojë e paragjykimeve të shumëfishta e jo gjithmonë të qëllimshme, - t’ia lerë hap pas hapi vendin njohjes së saktë.
Letërsia shqiptare është një letërsi e re, me gjuhë të lashtë e histori të mbingarkuar. Statistikat ndihmojnë që, përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë. Statistikat japin të dhëna të qarta jo aq për qarkullimin e vlerave të mirëfillta të një letërsie, sesa për pushtimin e hapësirave botuese e mediatike nga librat mesatarë dhe / ose që ravgojnë me çdo çmim famën në vend të vlerës së padiskutueshme letrare. Si vlerë të padiskutueshme letrare kam parasysh atë që s'mund të kundërshtohet apo të vihet në dyshim veçse përmes argumentesh të shijeve vetjake apo të grupeve të caktuara, ose përmes shprehish joshkencore.



