(Letërsia, gjuhët, uni i shkrimtarit. Përvoja vetjake nga e shkruara në dy gjuhë)*
Abstract / Synopsis
Abstract / Synopsis
Punimi „Gjuha e trojeve, trojet e
Gjuhës“
përqendrohet në disa nga çështjet themelore të letërsisë, gjuhëve dhe unit të shkrimtarit, veçmas kur ky krijon edhe në
një gjuhë të huaj, pa u shkëputur nga amtarja. Mbështetur në një përvojë
vetjake mbi njëzetvjeçare në të shkruarën shqip e rumanisht, duke përdorur të
dhëna letrare, kritike, semiotike dhe imagologjike, me një stil që gërsheton
dhe ngre metaforat letrare në rangun e argumenteve shkencore, punimi ndahet në
kapitujt: Zhvendosja e shkrimtarit – mes dëbimit dhe dërgimit, Një autor në dy jetë / dy jetë në një autor, Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Grupi „Gjuhë të lashta – Letërsi të reja“, Bidentity, Këndi në gjeometrinë e epërme, E ardhmja – mes emrit dhe numurit.
Duke njohur
mërgimin si një thelb të letrave shqipe gjithëkohore, autori shënon se „Vlera e mërgimit
për letërsinë nuk ia ul vlerën vendlindjes, por as anasjelltas. Nga pikëpamja
krijuese, atdheu dhe mërgimi kanë lidhje siamezësh dhe, të paktën deri në një
pikë, bashkëpunojnë. Autorët e hershëm shqiptarë jetonin në mërgim dhe
shkruanin në latinisht (anglishtja e asaj kohe), por edhe në gjuhë të tjera:
greqisht, italisht, frëngjisht, persisht, arabisht, rusisht etj, njëlloj si
sivëllezërit e tyre më të shquar që i kishin ato gjuhë amtare. Shkrimtarët
shqiptarë dygjuhësh e përdornin shqipen në mungesë të lexuesit, - sepse pak
vetë dinin të lexonin, - dhe prisnin lexuesin që presin sot autorët e
mirëfilltë të shqipes, - sepse pak vetë dinë të zgjedhin ç’të lexojnë. Padija e
dikurshme është zëvendësuar nga një padije gjithaq të kushtëzuar, por
pakrahasimisht më kryelartë dhe e shurdhër ndaj zërit të arsyes e aq më pak të
artit. Analfabetizmi i dikurshëm duket si bekim po ta përqasësh sadopak me
terrin e sotëm shpirtëror të atyre që flasin apo lexojnë me gjuhën e tjetërkujt“.
