(Letërsia, gjuhët, uni i shkrimtarit. Përvoja vetjake nga e shkruara në dy gjuhë)*
Abstract / Synopsis
Fjalë-kyçe: Mërgim kulturor, letërsi shqipe,
letërsi rumune, letërsi e krahasuar, gjuhë, metaforë, troje, kujtesë, shkrimtar
dygjuhësh, jetë letrare.
Abstract / Synopsis
Punimi „Gjuha e trojeve, trojet e
Gjuhës“
përqendrohet në disa nga çështjet themelore të letërsisë, gjuhëve dhe unit të shkrimtarit, veçmas kur ky krijon edhe në
një gjuhë të huaj, pa u shkëputur nga amtarja. Mbështetur në një përvojë
vetjake mbi njëzetvjeçare në të shkruarën shqip e rumanisht, duke përdorur të
dhëna letrare, kritike, semiotike dhe imagologjike, me një stil që gërsheton
dhe ngre metaforat letrare në rangun e argumenteve shkencore, punimi ndahet në
kapitujt: Zhvendosja e shkrimtarit – mes dëbimit dhe dërgimit, Një autor në dy jetë / dy jetë në një autor, Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Grupi „Gjuhë të lashta – Letërsi të reja“, Bidentity, Këndi në gjeometrinë e epërme, E ardhmja – mes emrit dhe numurit.
Duke njohur
mërgimin si një thelb të letrave shqipe gjithëkohore, autori shënon se „Vlera e mërgimit
për letërsinë nuk ia ul vlerën vendlindjes, por as anasjelltas. Nga pikëpamja
krijuese, atdheu dhe mërgimi kanë lidhje siamezësh dhe, të paktën deri në një
pikë, bashkëpunojnë. Autorët e hershëm shqiptarë jetonin në mërgim dhe
shkruanin në latinisht (anglishtja e asaj kohe), por edhe në gjuhë të tjera:
greqisht, italisht, frëngjisht, persisht, arabisht, rusisht etj, njëlloj si
sivëllezërit e tyre më të shquar që i kishin ato gjuhë amtare. Shkrimtarët
shqiptarë dygjuhësh e përdornin shqipen në mungesë të lexuesit, - sepse pak
vetë dinin të lexonin, - dhe prisnin lexuesin që presin sot autorët e
mirëfilltë të shqipes, - sepse pak vetë dinë të zgjedhin ç’të lexojnë. Padija e
dikurshme është zëvendësuar nga një padije gjithaq të kushtëzuar, por
pakrahasimisht më kryelartë dhe e shurdhër ndaj zërit të arsyes e aq më pak të
artit. Analfabetizmi i dikurshëm duket si bekim po ta përqasësh sadopak me
terrin e sotëm shpirtëror të atyre që flasin apo lexojnë me gjuhën e tjetërkujt“.
Sa i përket së shkruarës në dy gjuhë, autori dëshmon se „Të shkruash edhe në një gjuhë tjetër,
joamtare, nuk do të thotë se po shformon shpirtin, ose po prish përbërjen e
gjakut. Kemi vetëm një shpirt, i cili është i aftë t’i flasë e t’i shkruajë të
gjitha gjuhët e mundshme . (...) Ngado që ta marrësh, bëhet fjalë për të
njëjtin gjak, por që shkruan me dy bojra të ndryshme. Autorët dygjuhësh
nderojnë letërsinë e një kombi, ndonëse, ose pikërisht ngaqë disa prej veprave
të tyre ua dhurojnë letërsive të tjera. Si do të kish qenë historia e letërsisë
shqipe, për shembull, po të lihej jashtë Naim Frashëri, ose De Rada, meqë kanë
shkruar edhe në greqishten e vjetër, në persisht, italisht etj?! Njohja e
përciptë, ose e padrejtë e shkrimtarëve shqiptarë dygjuhësh e bën të
pashmangshëm hartimin e një historie të paanshme, ku autorët janë të letërsisë
dhe jo e kundërta?!“
Një vëzhgim
tjetër i punimit lidhet me faktin se „... nga një këndvështrim krejt i veçantë, zhvendosja në
një gjuhë tjetër kryhet edhe: a. për të mbrojtur gjuhën amtare, b. për të mbrojtur gjuhën vetjake nga dyndjet
e tanishme mbi gjuhën amtare, c. për
t‘i pasuruar të dyja gjuhët“.
Punimi trajton edhe marrëdhënien tipike-atipike në
letrat e sotme shqipe. „Në periudhën e
tanishme letrare, autorë(e)t shqiptarë(e) dygjuhësh(e) janë tipikë, por në
thelb mbeten atipikë (është vërejtur me saktësi fati krejt i veçantë që kanë
për letërsitë kombëtare shkrimtarët atipikë, si Shekspiri, Dostojevski,
Servantesi, Gëtja, Floberi, Kafka etj, pavarësisht nga gjuha në të cilën kanë
shkruar). Sigurisht, vlera e librave të tyre nuk mbështetet aq në joshjen që
ushtron atipikja, se sa në zhvillimin e ngadaltë, apo në vetëngujimin e
tipikes. Pa pasur ende zyrtarisht vlerësimin bindës për vendin që zenë
shkrimtarët dygjuhësh, letërsia përparon, ose ndalet në një mëdyshje të tipit:
- brenda: letërsi kombëtare (vendase) me elementë botërorë (globalë); - jashtë:
letërsi globale me elementë vendas”.
I. Zhvendosja e shkrimtarit – mes dëbimit dhe dërgimit
I. 1. Mërgimi është sot ngjarja kryesore që shndërron dhe
përcakton jo vetëm ecurinë e jetës së një njeriu, apo të një bashkësie, jashtë
dhe brenda trojeve të lindjes, por edhe të disa popujve që, sikurse shqiptarët,
kanë histori të rëndë, gjuhë të lashtë dhe letërsi të re.
Në lashtësi, vrasësve, ose fajtorëve që as mund
të dënoheshin, as të faleshin, u jepej si një mundësi (jetë) e dytë largimi nga
trualli, nga bashkësia, nga vështrimi i sivëllezërve. Rrugëtimi i fajtorit
përkatës duhej të kalonte përmes zonash krejt të pashkelura, ose plot me kafshë
të egra, hone, shkrepa, shkretëtira, bashkësi të huaja në gjuhë e sjellje etj,
me detyrim kthimin gjallë. Nëse arrinte të kthehej gjallë, dëshmonte se nuk pat
qenë fajtor, ose jo aq fajtor sa dyshohej. Në të kundërtën, vdekja, pavarësisht
nga trajta e saj, përfshi arratinë dhe fshehjen gjer në vdekje, pra moskthimin,
ishin dëshmi të pakundërshtueshme të fajit.
Mendësia e sotme mund ta damkosë si të çuditshëm
ndëshkimin me mërgim, - ndonëse shpesh krerët shtetit e përdorën dëbimin për të
shpëtuar nga hija e rivalëve, pa njollosur ndërgjegjen duke i vrarë, por kjo
dëshmon se sa afër, madje sa e ndërthurur ishte mençuria njerëzore e lashtësisë
me natyrën dhe me forcën e gjërave, që shpesh emërtohet fat. Kur risia në mendim, art e besim, bashkë me forcën e
mirëfilltë të letërsisë, nisën të shqetësonin pushtetin, ndëshkimi i mësipërm u
ushtrua edhe mbi mendimtarë, shkrimtarë, murgj etj.
Mërgimi mund të jetë ikje, arrati, dëbim, ose dërgim,
por në çdo rast zhvendosja nga gjiri i bashkësisë dhe dalja e dikujt në krejt
pjesën tjetër të botës, - në mes të katër
udhëve, thotë populli, ndonëse janë më tepër se katër, - mund të jetë më
shumë se vdekje, dhe, të paktën në fillim, mbetet më pak se jetë.. (...)
[Punimi mund të lexohet këtu].
* „Limba tărâmurilor, tărâmurile Limbii” (Literatura, limbile, eul scriitorului. Experiența personală a scrierii în două limbi) Academia de Științe a Albaniei, Conferința Științifică Internațională ”Literele albaneze și celelalte limbi ale literaturii”, Tirana, 9.11.2015
* „Limba tărâmurilor, tărâmurile Limbii” (Literatura, limbile, eul scriitorului. Experiența personală a scrierii în două limbi) Academia de Științe a Albaniei, Conferința Științifică Internațională ”Literele albaneze și celelalte limbi ale literaturii”, Tirana, 9.11.2015