P ë r m b a j t j a
I. Pantomima ose Të fshehta nga jeta e prijësve
I moshuari Pano Mima, - që shpesh e paraqit veten si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”,
- hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej
shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër
se tri fletë. “Njëra faqe përmban një
jetëshkrim që ia patën kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish
ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto
fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë.
Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam
gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë
të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë,
ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për
gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo
pro meje...”
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin
dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen
të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të
parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar
mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe të veteranëve me famë.
Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë
vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet,
prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.
Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e
hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala
dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve.
Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.
