(...)
22. Sonila shtrihej lakuriq pranë meje dhe kjo nuk më çudiste. Ndihesha i qetë, sepse asgjë, madje as mungesa e plotë e çudisë, nuk më çudiste më. Fqinji më pat tërhequr vëmendjen se po bëhej gati një javë a më shumë qysh kur qe plevitosur, po shqepej me kanamicina, dhe unë, merre me mend, unë fqinji i tij më i afërt, nuk i kisha thënë as të shkuara, asgjë, madje, merre me mend, kisha bërë sikur nuk dija gjë. Njerëz ishim, dhe një të shkuara mund ta thoshim. Veç kësaj, merre me mend, ai nuk mbante mend të ishim grindur ndonjëherë, për asgjë, dhe nuk shihte asnjë arsye, për të cilën të grindeshim në të ardhmen. Dhe kishte të drejtë. Si gjithmonë. Dhe më bënin për të vjellë njerëzit që kishin gjithmonë të drejtë.
