Showing posts with label "Pa zë". Show all posts
Showing posts with label "Pa zë". Show all posts

Pa zë (rrëfim)


T'u bë sikur ëndrra e përvuajtur e të paktën dhjetë vjetëve mblodhi në njëfarë gjeratoreje të gjitha plehërat e qendrës, lëvozhgat e bananeve të ngrëna, të shegëve, lajmërimet e vdekjeve, buzëqeshjet e budallallepsura të kalimtarëve pa qëllim, bishtat e cigareve, dritëzat e mbrame të muzgut, dhe u turr me egërsi të bënte harakiri një metër para teje, ose thjesht të lindte një femër. E lëshoi femrën në vetëm dy sekonda. Ngrive. Edhe një i vdekur do të kish ngrirë për së dyti. Quhej Denisa. Nuk t'u desh më shumë se një copëz vështrimi ende esëll për ta gëlltitur në përfytyrimin tënd të uritur. Kuptove se s'para kishe më fuqi ta kapërdije. Qënka bërë e mrekullueshme, hungërove me vete: duket sheshit se u përket të tjerëve. Robinjë e gjorë e analfabetëve, e të pagdhendurve...

Bija e ëndrrës ngre dorën e saj të hijshme, të përshëndet e lumtur, pastaj nis të çapitet drejt teje me atë hapin e vet drithërues, kurse ti nuk ishe në gjendje të kuptoje se pse nga aq afër ajo duhej të të përshëndeste me dorë, kur fare lehtë mund të të përqafonte.

- Po ku ke humbur kështu; ku s'të kam kërkuar, - tha Denisa. Edhe në këndin e sendeve të gjetura, madje!

- Dhe nuk isha as atje? - qeshe ti.

- As atje.