Përkulet mbi ujra me libërthin në duar. Herë lexon copëza letrash, herë kundron ujrat dhe hijet që enden rreth gjemisë.
Ikua
(me pëshpëritje)
Ky është zëvendëslibri. Kemi nja dy fjali nga Java e Parë, ca dromca nga Muaji i Dytë, ndonjë varg nga Viti i Tretë e ashtu me radhë… Do ta përkthejë njeri? Mundet? Se ka shumë fjalë të moçme e të reja. Jo rrallë më dukej se ngulisja në kokë dhe sajoja pikërisht fjalët që shpërfillnit, përdhosnit, apo harronit ju… Zv.Libri, se Librin e jetova. Faqet e tij rodhën mes ujrash bashkë me jetën time. Ose jeta ime rodhi mes librash… Rodhi kaq jetë, kaq vetmi, e po vdes pa mësuar si do të vdes… E dhimbshme? Merreni dhe mos ia dorëzoni armikut, sidomos atij që harrohet. Më mirë ta hani, se sa t’ia jepni atij që harrohet… Në rregull?... Sic transit… letërsia e botës… Është mirë ta dini se jeni shumë të vetmuar. Shumë më të vetmuar se unë. Prandaj lejomëni, o qyqarë të dashur, që të derdh ca lotë për ju. Jo më shumë nga sa e keni hak, jo më pak nga sa mundem. Mos ma merrni për keq. Mund edhe të nënqeshni me lotët e mi dhe me fatin tim në përgjithësi. Derisa të lirohem. Domethënë: derisa të bëheni të gjithë baltë nga ajo më e ëmbla se mjalta…
Zbret ngadalë nga gjemia dhe endet sikur po noton, duke mbajtur libërthin mbi krye, me të ashtuquajturin ‘not marinari’. Ujrat janë mbushur me shishe të zbrazëta madhësish e ngjyrash të ndryshme. Shishet mblidhen rreth gjemive.
Ikua
Të nis t’i mbush këto shishe me copëza nga Zëvendëslibri e pastaj t’i shtyj në drejtime të ndryshme?! S’kam tapa, që t’i mbyll. Kjo ka qënë mangësia ime më e madhe: asnjëherë s’kam pasur tapa.
Shtyn ca shishe me këmbë.
Ikua
Po ç’do të qe bërë, vallë, sikur të kisha ngrënë copërat e vlefshme të librave?! Të kisha ngrënë këtë libërth të ëmbël si mjalta… dhe të kisha shpëtuar pluhurin, plumbin, drurët e përdhosur më kot, lëndën e parë të harrimit… Me siguri do të kisha vdekur i helmuar… Mirpo, meqë bëra të kundërtën, mund të ndodhë vetëm që shumë prej jush e prej atyre që vijnë pas jush, të betohen se unë s’jam këtu…




