Showing posts with label "Ëngjëjt e tepërt". Show all posts
Showing posts with label "Ëngjëjt e tepërt". Show all posts

Shtijëza


I vari veshjet e shtrenjta mbi gardh, pranë luleve të diellit, dhe bëri një dush me fuçi, që të kthjellonte trutë. Menjëherë pas gardhit, pas veshjeve të tij dhe flokëve të ngrirë të luleve të diellit, hapej qielli. Pa asnjë majë çatie, pa asnjë oxhak, pa asnjë fjollë tymi. Qielli i lartë, i kulluar, me yje që cijatnin mençurisht mbi rëndomtësinë tonë të sëmurur, të ngrefosur e sidomos shurdhe. Piu një cigare ulur mbi shkallë, pastaj ra në shtrat pa u fshirë me peshqir, pa u veshur. Dritaret i hapi kanat më kanat, asgjë e mbrapshtë s’mund t’i ndodhte. Tha me vete se në kaq bukuri, në një vend kaq të thjeshtë, përtej ritmeve të rreme, do t’i mjaftonte qoftë edhe një orë e vetme gjumi. U krodh në qiell me lehtësinë me të cilën një shpirt i përkorë zhytet në shpirtin binjak, pa ndjerë mungesën e ndonjë ëndrre apo të ndonjë kurmi femëror. Pak para se vështrimi i tij të mjegullohej, të shpërthente butë, si ndonjë farë sinapi, për t’u bërë ajër, ngjyra, vështrimi u tkurr në një pikë sa një farë sinapi. Ndjeu se pika qënkej maja, ose thjesht njëra nga prerjet e një shtijëze që binte nga lart poshtë e anasjelltas, një shtijëzë e ndritshme, ndofta rreze hëne. Njësuar në shtijëzën e ndritshme, zgjatej, me të njëjtën heshtje, me të njëjtën pafundësi, binjakja e saj e errët, e zezë. Nuk dihej nga buronin, çfarë shponin, ku shtereshin.

"Ëngjëjt e tepërt" - Botim i Ri


"I mbeteshin edhe rreth dy orë derisa të mbërrinte në qytetin ku, sipas të gjitha gjasave, do të jepte shpirt. E bezdisnin këto ‘rreth’, ‘pothuajse’, ‘pakashumë’, sepse ai e nuhatte kohën gjer edhe me thonj, jo më kot njihej si njëri nga shitësit më të aftë të sahateve dhe orëve të dorës, - pavarësisht nga marka dhe viti i prodhimit, - por ecuria e gjërave në Ballkan ende i nënshtrohej një kohe më vete. Ia kishin sjellë zorrët në fyt ecejaket e fshatarit me violinë pa dy tela, që tani kish hequr dorë nga dëshira për të biseduar me dikë tjetër dhe ia kish marrë një ligjërimi të pahonepsshëm, plot barsaleta fshati, cit me emra të përveçëm, e pas çdo rrëfimi lëshonte ca grahma të qeshure dhe u ngulte të gjithëve me radhë nga një vështrim qesëndisës, duke pritur që ata të gajaseshin së qeshuri, ose të pranonin në heshtje se ishin derdimenë. Tha se jeta ishte punë muti. Shtoi se kjo zonë ishte e mallkuar dhe s’do të ngrinte kokë në jetë të jetëve. Shfreu se këtu vetëm pijanecët dhe bythëqirët mund të ishin të lumtur. Tha se këtu më mirë të hidheshe nga treni a të vareshe pas ndonjë dordoleci. Tha se Zoti nuk na kish krijuar për t’u zbavitur e për qejf, po për punë rraskapitëse, përndryshe nuk do të na kish vënë nga dy duar e një fallus, por dy falluse e një dorë, sa për t’i rënë me dorë. Gruaja që pinte cigare në korridor bëri një gjest neverie. Ç’ke, zonjë, ia ktheu fshatari. Mos më thuaj që s’e ke kapur ndonjëherë me dorë… Njëri nga burrat e dhomëzës çaploi syrin e majtë, lëpiu buzët dhe i shkrofëtiu fshatarit:

"Ëngjëjt e tepërt" (Îngerii de prisos)


"E hëna dukej dita më e përshtatshme për të hedhur trutë në erë. E hëna pasonte atë panik njëfarësoj verbues, si fund të hidhur dehjeje, që mbështillte të dielën. Falë ca forcash të panjohura, mbase ëngjëj, e hëna mblidhte në vete tharmin e ditëve të tjera të javës, dhe, në rrjedhjen e vet kapitëse, shpesh pa pikë shijeje, t’i vegonte fshehtas, ose t’i fshihte mjeshtërisht ato që do të të ndodhnin deri në fund të javës. Prandaj ai e kish kaluar të dielën pa bërë asgjë, ashtu siç këshillonin shkrimet e shenjta, se, veç nevojës për të mos përjetuar drithmat e mbarimit të së dielës, nuk i dukej e ndershme e as fort e shëndetshme që ditën kur edhe vetë Zoti pushonte, ai, një i paemër që do të kthehej sërish në baltë e hi, të merrej me punë. Mirpo shpresat se ajo e hënë do ta ndihte, iu vakën me të shkelur në stacionin e trenit, kur ndeshi sytë e jargur të një lypësi që po vidhoste dy këmbët e drunjta me qetësinë me të cilën një vrasës i rregjur pastron koburen. U ngut të rijetonte kënaqësinë e hershme që i sillnin udhëtimet: shkitjen e trenit në mesnatë, mes qytezash të vogla, të panjohura, ndriçimet e dobëta të vagonit, copëra ngjyrash nga përgjumja e ndonjë femre të bukur, kruspullosja e tij në kujtimet më të nxehta, shija e kurmit të femrës me të cilën pat bërë dashuri para se të nisej, lumturia e qetë, mendimtare, se ia kish mbathur, qe arratisur nga qyteti milionësh. Iu kujtua njëri nga bashkëkombasit e vet, që pat therrur gjatë një grindjeje një kamarier të huaj, - një gjarpër mustaqespicë që bënte çmos t’u kujtonte se nuk ishin veçse ca këlyshë korbash të flakur udhëve, ca palo shqiptarë pa brekë në bythë. Pasi i kish ngulur pikërisht në bythë një thikë qebapi, aq sa kamarierit sikur i kishin kujisur gjer edhe qimet e mustaqeve, shqiptari qe kthyer në dhomën e vet, i kish lënë policisë një letër sqaruese, ku jepte besën se do të kthehej shumë shpejt, pastaj kish marrë hua ca të holla dhe ia kish hipur një treni pas mesnate. Kishte udhëtuar pa vënë gjumë në sy e bukë në gojë për gjashtë ditë me radhë. Të dielën në mëngjes ishte fanitur tek dera e shtëpisë ku banonte dhe u qe dorëzuar dy policëve që e prisnin. Tani mund të më bëni ç’të doni, u pat thënë, digjmëni edhe të gjallë, po ta shihni të arsyeshme. Pak vetë mund ta përfytyronin se sa kish udhëtuar në kohë e në qënie ai fatkeq; edhe më pak mund të përfytyronin se sa i qe burrëruar shpirti gjatë asaj jave udhëtimi të pagjumë.