I vari veshjet e shtrenjta mbi gardh, pranë luleve të diellit, dhe bëri një dush me fuçi, që të kthjellonte trutë. Menjëherë pas gardhit, pas veshjeve të tij dhe flokëve të ngrirë të luleve të diellit, hapej qielli. Pa asnjë majë çatie, pa asnjë oxhak, pa asnjë fjollë tymi. Qielli i lartë, i kulluar, me yje që cijatnin mençurisht mbi rëndomtësinë tonë të sëmurur, të ngrefosur e sidomos shurdhe. Piu një cigare ulur mbi shkallë, pastaj ra në shtrat pa u fshirë me peshqir, pa u veshur. Dritaret i hapi kanat më kanat, asgjë e mbrapshtë s’mund t’i ndodhte. Tha me vete se në kaq bukuri, në një vend kaq të thjeshtë, përtej ritmeve të rreme, do t’i mjaftonte qoftë edhe një orë e vetme gjumi. U krodh në qiell me lehtësinë me të cilën një shpirt i përkorë zhytet në shpirtin binjak, pa ndjerë mungesën e ndonjë ëndrre apo të ndonjë kurmi femëror. Pak para se vështrimi i tij të mjegullohej, të shpërthente butë, si ndonjë farë sinapi, për t’u bërë ajër, ngjyra, vështrimi u tkurr në një pikë sa një farë sinapi. Ndjeu se pika qënkej maja, ose thjesht njëra nga prerjet e një shtijëze që binte nga lart poshtë e anasjelltas, një shtijëzë e ndritshme, ndofta rreze hëne. Njësuar në shtijëzën e ndritshme, zgjatej, me të njëjtën heshtje, me të njëjtën pafundësi, binjakja e saj e errët, e zezë. Nuk dihej nga buronin, çfarë shponin, ku shtereshin.
