![]() |
| Poradec, 3 tetor 1971. Foto: Misto Cici |
Më 30 qershor, çdo vit, im atë, Kopi Kyçyku, ka ditëlindjen. Jam një ndër vdekatarët që nuk mundin ta besojnë këtë fakt, për shumë arsye. Një nga kujtimet e mia më të hershme pamore është me tim atë shtrirë në shtratin e spitalit në Pogradec, me krahun në allçi, pasi pat shpëtuar gjallë për fije nga rënia në një hon miniere, ku pat hyrë të ndihmonte një jetë të rrezikuar. Radha e atyre që vinin t’i uronin shërim të shpejtë ishte e gjatë. Im atë i falenderonte dhe bënte shaka.
Qysh nga ai çast e pashë mbi njëzet herë të sapodalë nga hone llojesh të ndryshëm, ku smirëzinj, ziliqarë, verbanë e sehirxhinj vrastarë u ropatën ta mbytnin, duke harruar që ai dinte not si pakkush. E unë edhe sot besoj se ai që di not, pluskon lirshëm edhe në ujra, moçale e hone metaforikë. E shihja si hero dhe, përkundër rritjes sime, që shpesh cilësohej e parakohëshme, përkundër akullsisë çmitizuese që rrënjos me kohë në qënie dhuntia e të shkruarit, im atë nuk ra kurrë në greminën e së rëndomtës.
