Showing posts with label Iulia Enkelana. Show all posts
Showing posts with label Iulia Enkelana. Show all posts

Spli[gh]t ose Fjalë si pasqyra të krisura

1.

Spliti vjen drejt teje si thelbi i papërfytyrueshëm i një libri, që, deri pak rreshta më parë, dukej i pranueshëm, por nuk jepte asnjë shenjë se mund të jetë kryevepër. Lodhja e syve, ose durimi pa fund i detit, bashkë me uljen ëndërrimtare të mbrëmjes, kanë kaltëruar fshehtas, sëbrendshmi, edhe shkëmbinjtë, edhe asfaltin, edhe bimësinë. Sendet duket sikur po zhyten për t’u larë, për të humbur peshë e vëllim, ose për të mërguar në një botë më të sigurt. Rruga i ngjan një gjarpëri që zgjatet si për të zhdukur kokën e vet.

Pastaj vështrimi kriset, ndahet më dysh, njëheresh me fjalët (thelbi dhe metafora që i jep jetëgjatësi mezi shquhen nga njëri-tjetri). 

Po mbyllej një maratonë në orë, jo në kilometra.

Ditënata e paharruar në Timișoara e Budapest, çmallja me Danubin dhe aromat e kafeneve me hije perandorake ishin bërë vegim. Sapo pata përfunduar "Kufij mes Teatrit të ekzistencës dhe ekzistencës së teatrit – një semiotikë e vizionit të Ingmar Bergmanit si njeri i teatrit" dhe, mbase ngaqë lajmet më suleshin nga të gjitha anët, - si fishekzjarre, për çmime letrarë e kryevepra që duheshin lexuar medoemos këtë javë, këtë pranverë, këtë vit, - fjalia që ende s'më jepte paqe ishte: Ndonjëherë caktimi i njëanshëm i çmimit përfaqëson identitetin e vetëm të shitësit.

"Mortët" - roman (Tiranë, Pogradec, korrik 1988 / Bukuresht 2020)


„Se duhet thënë: fëmijët hynë të parët mes gërmadhave, ndofta ngaqë nuk i njohin tmerret e kësaj bote dhe nuk kanë frikëra si tonat. Disa prej tyre dolën nga shtëpia me ca maska allçie të hollë nëpër duar. Pastaj i vunë maskat dhe nisën të luanin në oborr, me shpresën se do të na nxirrnin nga kllapia.
Kur ne e mblodhëm sadopak veten, fëmijët me maska qenë derdhur udhëve të qytetit, për të trembur a zbavitur njerëzinë. 
- Dhëntë Zoti të mos kenë marrë ndonjë sëmundje e na fikin derën, - belbëzoi një peshkatar.
Më vonë, kur u bë lista e gjërave të shtëpisë, sipas një llogarie të përafërt, veç një pushke pa kondak, më tepër se gjysma e atyre maskave nuk u gjet”.


onLine



* Ballina:KÜdesign, sipas punimit „The place where characters stay before they are born” nga Iulia Enkelana©



Iulia Enkelana: "Dom'thën" - prozë


Plehërat mblidheshin çdo të martë e të premte në orën 9 të mëngjesit. Prej 32 vjetësh, plehraxhiu Stan[1] pat ndalur së u habituri me ç’hidhte mileti i sotëm në plehëra. E prej po aq kohe nuk e bezdiste as era e plehërave, as pamja e tyre.
Nga mërzia a nga frymëzimi, drejtoi sytë drejt plehërave të sapombledhura dhe, mes thasëve me grykë të nyjëtuara mirë, apo nga të cilët derdheshin gota kosi, ushqime të prishura, pambuqe për ndukje lëkure me pudër, garza të përditshme zakonesh, mbështjellëse plastike lodrash, kleçka për pastrim veshësh, prezervativë të përdorur, letra të bëra shuk, cilindra kartoni nga të letrave higjenike, shishe të zbrazëta, disa cifla pasqyre dhe diçka që dukej si çorape e shpuar, shqoi një kuti të kuqe këpucësh, e cila u rrokullis disa herë derisa u hap, i shkau kapaku dhe nxori jashtë, - me ritmin e shikimit të Stanit: një filxhan të gjelbër, një flamingo prej pellushi, disa bileta treni, autobuzi, teatri a filmi, një zarf, një mbështjellëse çokollate, nja pesë a gjashtë fotografi të grisura në të njëjtën kohë dhe disa kapaçka verëmolle a birre.

Genius without a cause

(Disa dëshmi rreth romanit “Lumenjtë e Saharasë”)


Glob.al

Lumenjtë e Saharasë” është romani im i parë krejt i lirë. Edhe nga ana historike, edhe gjeografike, edhe letrare, edhe estetike. Ndohti që më ishte krijuar asokohe nga e ndaj klisheve të realizmit-socialist, por jo vetëm të tij, më ndihmuan të ecja në fije të perit. Nuk ishte qëllim në vetvete, aq më pak reagim hakmarrës, përndryshe nuk do të qe shkruar. Me një lehtësi të pasynuar e të pakontrollueshme, romani u ndërron vendet pyetjeve e përgjigjeve, duke i shtruar të parat si përgjigje dhe të dytat si pyetje. Kjo gjendje nuk ka ndryshuar as pas mbi tridhjetë vjetësh: herë më duket sikur nuk jam larguar asnjëherë nga ajo kohë e hapësirë; herë të tjera – sikur nuk kam jetuar kurrë atje dhe atëhere.

Gozhda e katërt


Lumenjtë e Saharasë” ishte gati për shtyp në dimrin e vitit 1988, shoqëruar nga shtatë proza, me titullin “Rrëshqitazi mbi rrathë”. Pak muaj më parë pata dorëzuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” vëllimin “Bravat e vjetra” (4 romane: “Demi i zi, Mortët, Triumfi i Proteut” dhe “Ditët prej qelqi”). Gjatë pritjeve rraskapitëse për të marrë vesh nëse do të botohej, në oborrin gati prej burgu, një mëngjesi nga ata që sikur këmbëngulin të ta zëvendësojë palcën, ose edhe gjakun, me brymë, dëgjova zërin e zvargur të një muratori a zdrukthtari të padukshëm që i tha dikujt po aq të padukshëm:
- Ngulja mirë gozhdët; edhe unë do t’ia ngul mirë...

Kafaz (prozë)

Credits to Iulia Enkelana


Disa hynin në kopshtin zoologjik vetëm për të fshehur erërat e veta të rënda, se kafshët i dinin përmendësh dhe përgjithësisht ishin të fandaksur pas qenve rrugaçë, maceve dhe hamsterëve. Gjatë endjes mes kafazeve, shumica bënin sikur habiteshin dhe ndonjëherë zbaviteshin me shpejtësinë me të cilën kafshët e ngujuara shqyenin mishrat, ose pastronin kockat e viktimave. Disa të tjerë ndiheshin të lumtur kur shihnin vuajtjet e kafshëve të uritura. Ato vuajtje ishin të disafishta edhe ngaqë kafshët nuk e flisnin gjuhën e njeriut. Ndërsa ish-zyrtarë të mesëm, që kishin kaluar nga ish-vartës drejtorësh në vartës jetësh pa krye, e kishin për zemër të fotografoheshin para kafshëve mishngrënëse, si për të bindur dynjanë se të mëdhenjve e të vegjëlve dikur u këputen kokat, ndërsa të mesmit vërtet vdesin pa lënë gjurmë, ama me kokat mbi supe. Shumë pak vetë ndaleshin para kafshëve a shpendëve që jetonin më gjatë se njerëzit. Dhe gati askush nuk arrinte ta fshihte zilinë që e bren njeriun ndaj kafshëve që e frikësojnë... Libri i plotë në Bukinist


* U botua së pari në revistën "Jeta e Re" të Prishtinës