Showing posts with label Patricija Horvat. Show all posts
Showing posts with label Patricija Horvat. Show all posts

Spli[gh]t ose Fjalë si pasqyra të krisura

1.

Spliti vjen drejt teje si thelbi i papërfytyrueshëm i një libri, që, deri pak rreshta më parë, dukej i pranueshëm, por nuk jepte asnjë shenjë se mund të jetë kryevepër. Lodhja e syve, ose durimi pa fund i detit, bashkë me uljen ëndërrimtare të mbrëmjes, kanë kaltëruar fshehtas, sëbrendshmi, edhe shkëmbinjtë, edhe asfaltin, edhe bimësinë. Sendet duket sikur po zhyten për t’u larë, për të humbur peshë e vëllim, ose për të mërguar në një botë më të sigurt. Rruga i ngjan një gjarpëri që zgjatet si për të zhdukur kokën e vet.

Pastaj vështrimi kriset, ndahet më dysh, njëheresh me fjalët (thelbi dhe metafora që i jep jetëgjatësi mezi shquhen nga njëri-tjetri). 

Po mbyllej një maratonë në orë, jo në kilometra.

Ditënata e paharruar në Timișoara e Budapest, çmallja me Danubin dhe aromat e kafeneve me hije perandorake ishin bërë vegim. Sapo pata përfunduar "Kufij mes Teatrit të ekzistencës dhe ekzistencës së teatrit – një semiotikë e vizionit të Ingmar Bergmanit si njeri i teatrit" dhe, mbase ngaqë lajmet më suleshin nga të gjitha anët, - si fishekzjarre, për çmime letrarë e kryevepra që duheshin lexuar medoemos këtë javë, këtë pranverë, këtë vit, - fjalia që ende s'më jepte paqe ishte: Ndonjëherë caktimi i njëanshëm i çmimit përfaqëson identitetin e vetëm të shitësit.