Orën e saktë kur vdiq Udhëheqësi i pavdekshëm e ditën shumë pak vetë,
ndërsa çastin kur ra sahati për shpirtin e Xha Gurit nuk e ndryshonin dot. Për
herë të parë, - dhe kjo u mbajt e fshehtë, për mjaft kohë, - nuk kish rëndësi
kur pat vdekur i pari, por i dyti.
Xha Guri nuk nxori pikë zëri, nuk bëri asnjë shenjë. Koka iu përplas mbi
tryezë dy minuta pasi radioja njoftoi zbrazëtinë që do të linte mes nesh
mungesa e Udhëheqësit. Kush mund të llogariste ku dhe sa vend do të zinte i
pavdekshmi në një botë tjetër, po të gjykoje sa lirshëm mund të merrej frymë
pas ikjes së tij?!
Zbrazëtia nisi të bëhej e përjetshme. Po të kish qenë gjallë, tek shihte
rrëmujën dhe makthet e farefisit të vet, por sidomos turpin që kish guxuar të
vdiste në një ditë me udhëheqësin, xha Guri do t’i kish bërë shoshë me çifte,
që të kujisnin, të kafshonin buzkat, të shkulnin leshtë e të grahnin “bah, pikë e zezë, sot e gjeti…” me
arsye, jo si pula kokëshkulura që ngarendin nëpër oborr.
- Si nuk duroi edhe një ditë, virani, - shkrofëtinte dhëndrri i madh nëpër dhëmbë. E dinte njeri që është për vdekje ky, se sikur qe i fortë si guri?!
.jpg)
