Showing posts with label "Genius without a cause". Show all posts
Showing posts with label "Genius without a cause". Show all posts

Genius without a cause

(Disa dëshmi rreth romanit “Lumenjtë e Saharasë”)


Glob.al

“Lumenjtë e Saharasë” është romani im i parë krejt i lirë. Edhe nga ana historike, edhe gjeografike, edhe letrare, edhe estetike. Ndohti që më ishte krijuar asokohe nga e ndaj klisheve të realizmit-socialist, por jo vetëm të tij, më ndihmuan të ecja në fije të perit. Nuk ishte qëllim në vetvete, aq më pak reagim hakmarrës, përndryshe nuk do të qe shkruar. Me një lehtësi të pasynuar e të pakontrollueshme, romani u ndërron vendet pyetjeve e përgjigjeve, duke i shtruar të parat si përgjigje dhe të dytat si pyetje. Kjo gjendje nuk ka ndryshuar as pas mbi tridhjetë vjetësh: herë më duket sikur nuk jam larguar asnjëherë nga ajo kohë e hapësirë; herë të tjera – sikur nuk kam jetuar kurrë atje dhe atëhere.

Gozhda e katërt


“Lumenjtë e Saharasë” ishte gati për shtyp në dimrin e vitit 1988, shoqëruar nga shtatë proza, me titullin “Rrëshqitazi mbi rrathë”. Pak muaj më parë pata dorëzuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” vëllimin “Bravat e vjetra” (4 romane: “Demi i zi”, “Mortët”, “Triumfi i Proteut” dhe “Ditët prej qelqi”). Gjatë pritjeve rraskapitëse për të marrë vesh nëse do të botohej, në oborrin gati prej burgu, një mëngjesi nga ata që sikur këmbëngulin të ta zëvendësojë palcën, ose edhe gjakun, me brymë, dëgjova zërin e zvargur të një muratori a zdrukthtari të padukshëm që i tha dikujt po aq të padukshëm:
- Ngulja mirë gozhdët; edhe unë do t’ia ngul mirë...