... Librat e tij janë një vegim... Në kushte kulturore normale, Kyçyku do të ishte këqyrur si një Markez i Evropës Juglindore... Kyçyku është fëmija-mrekulli i një Rumanie që sjell ndërmend se dikur quhej Traki. Kyçyku është një nga tre shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës rumune. /.../ Dhe një rast nga e tanishmja. Romani monumental Një fis i lavdishëm e që jep shpirt i Ardian-Christian Kyçykut. Jam tejet realist kur them se ky autor, Ardian-Christian Kyçyku, është në vëmendjen e Nobelit. Vasile Andru
... I dëgjuar shumë pak në vendin e tij të lindjes, i botuar pa kujdesin e
duhur në komunitetin shqiptar, që ende s’po shkëputet plotësisht nga ankthi i
miteve të komunizmit, me një kolanë të jashtëzakonshme veprash artistike në
prozë (mbi 30 tituj shkruar e botuar në gjuhët shqip, përkatësisht rumanisht)
Ardian Kyçyku meriton të nderohet si nje kont i vërtetë i letrave. Një
shkrimtar i famshëm nuk zbeh aspak një shkrimtar tjetër të famshëm, një
psikologji e kundërt është pasojë e paranojës së miteve dhe rrënojave të tyre
jo pak të rrezikshme. Tanimë Shqipëria ka një shkrimtar tjetër të përmasave
botërore, jo për sasinë e veprave, por për stilin magjik, për arkitekturën
krejt të re në shumë prej veprave të tij, për mesazhet kombëtare e universale
me guxim intelektual jo të zakontë. (…) Ardian Kyçyku e ka marrë globin në
duar si një gogël, e rrotullon dhe vëzhgon, e studjon dhe e dallon nga
bashkëkombasit poetin shqiptar, poetin shqiptar të mpleksur në shtëpi
vdekatarësh pa fytyrë, paralitikë, me emra kafshësh që gjuajnë minj e minj që
gjuajnë shkronja. Është aty, sa psikologjia e Femrës së Bukovskit, po aq
realizmi magjik i Markezit, sa kapërximi pindarik i Buxatit, po aq realizmi
therrës i Honore De Balzak-ut. Një ngjizje e të gjithë stileve në një stil të
rallë i një autori i cili s’mund të mos ishte shqiptar i ngjizur midis
primitivizmit dhe qytetërimit, legjendave e bëmave reale, virgjërisë së natyrës
e çvirgjërimit të personalitetit butaforik. (…) Cili është romani “Sy”? Një
roman me përmasën e epopesë, që kryen operacionin e Shqipërisë në 60 vite
(1945-2005). Po. Virtuozi Kyçyku e ka vendosur Shqipërinë në tehun e bisturisë
intelektuale, filozofike, artistike, metaforike, në tryezën e kirurgjisë së
tij, me vëzhgim e investigim të pazakontë, me guxim e pa asnjë autoçensurë, më
shkathtësi dhe bindje se, pa kryer atë autopsi, vështirë se do të kemi
ndonjëherë një Shqipëri për të qënë. (…) Novruz Xh.
Shehu
... Personazhet e tij janë po aq realë, sa edhe legjendarë (apo
anasjelltas). Ai pi sa personazhet, pi me ta, por nuk dehet. Ky huligan i
hijshëm intelektual është i dënuar të mbetet i njëjti cinik i kthjellët i
tepërndjeshëm, aed modern i kohërave gjithnjë të dërrmuara në këtë pjesë të
mallkuar të botës. Prozatori i ri, siç i thonë disa, është, në fakt, i moçëm
dhe i vënë në sprovë si vetë Ballkani. Por një i sprovuar i qetë, që lëviz mes
të fshehtave të ëmbla të lindjes dhe të vdekjes, të Fillimit e të Fundit, me
një shpërfillje prej të pavdekshmi apo mbase të një qënieje racionale të ardhur
nga një tjetër botë. Corneliu Vlad
Për moshën e re që ka (është vetëm 38 vjeç, hiç më shumë!), prapë, pa fije
hezitimi, mund të thuhet se ky autor me origjinë nga Pogradeci, që tani e sa
vjet jeton dhe krijon në Rumani, si të thuhet pogradecari u bë bukureshtar,
është më i frytshmi autor i letrave shqipe në qindvjetshin e fundit!... Sa herë
të lexosh libër (roman) të ri të të riut gjenial të letrave shqiptare, atij me
emrin Ardian-Christian Kyçyku, aq herë do të mahnitesh. Romanet e tij Lumenjtë
e Saharasë, Sy, Si u pushtua Çmendustani dhe ky që lexova sot (Home),
për mua janë kryevepra sui generis. [...] Ai tani e disa vjet ka zënë «pusi» në
Bukuresht të Rumanisë dhe, pothuajse për çdo vit, nga puntoria e tij krijuese
artistike, sidomos kohët e fundit, del (liferohet) me nga një libër letrar
(roman) me vlera të jashtëzakonshme dhe fare të pakontestueshme. (…) Le ta dijë
juria e Stokholmit dhe opinioni i gjerë publik botëror, se shkrimtari i ri
shqiptar, Ardian-Christian Kyçyku, një ditë do të jetë rrëmbyesi, mbase më i ri
se edhe vetë Orhan Pumuk, i këtij çmimi të lartë për letërsi, ndonjëherë
‘rebel’, Nobel. Bajram Sefaj
Ardian-Christian Kyçyku ka shkuar që tani shumë larg dhe shumë lart me
veprën e tij. Atje, te shumë larg dhe shumë lart, mund të shkojnë jo ata që kanë
këmbë të forta për të ecur dhe dinë pelivanllëqe për të kërcyer, por ata që i
ka zgjedhur fati për ta bërë një gjë të tillë. Dhe fati, fatmirësisht, zgjedh
rrallë dhe pa gabuar. Hiqmet Meçaj
Këtë bën Kyçyku: na ushqen me rrëfenja që kanë një magji të ngjashme me ato
të Një mijë e një netëve – jo vetëm magjia i përafron, por edhe tensioni i
autorit,tension që vjen nga vetëdijësimi i faktit se dështimi mund të jetë
fatal, për rrëfyesin dhe për lexuesin.Kemi të bëjmë me një autor që i mësyn
kufijtë pa kurrfarë mëshire dhe nuk ndjen nevojën të marrë me të mirë askënd,
aq më pak veten. Prozator vizionar, me fuqi shajnitëse, praktikon një majeutikë
të vërtetë ndaj kujtesës universale dhe nuk mund të mos rrëmojë në barkun e
gurtë të mitit, të nxjerrë frytin e përgjakur me të dyja duart dhe të na e
hedhë përpara bashkë me një ujëvarë parabolash që shpesh ngjizen më fort për të
fshehur, se sa për të veguar. Të magjeps gjithmonë procesi i natyrshëm përmes
të cilit distopia universale merr jetë në një mjedis kaq të ngulitur në
realitet. Ardian-Christian Kyçyku u nis ta mbyllte në rrethim letërsinë rumune
me mënyra „të padrejta” përsa i përket konkurrencës: domethënë përdori në vend
të kryedashit një talent vigan, një shqisë të rumanishtes që shumë pak autorë
vendës e kanë, sidhe fantazinë e një „Markezi të Ballkanit”. Por parabola e
Kyçykut nuk ka atë nanuritje markeziane prej balade të dëgjuar pranë një zjarri
me drurë bananesh, por profilin e ashpër, neurotik, të „Verbimit” të Canetti-t
apo të „Bordurave prej mermeri”. Romani "Shtetrrethim" renditet
përkryer në atë që Northop Frye e quante satirë apokaliptike: nuk ka rrugëdalje
nga ky terr universal, përveçse t’i nxjerrim sytë shoshoqit me gishta dhe të
zbulojmë kësisoj një botë të hijeve - është mbase një përfytyrim më i frikshëm
nga ç’na ka sjellë „skota” e shkrimtarëve deri më tash. Bogdan-Alexandru
Stanescu
... Ardian-Christian Kyçyku na shfaqet si një nga siluetat e kalibrit të
madh në prozën e sotme, qoftë ajo rumune, shqiptare, ballkanike apo
kontinentale.Sepse vlera e këtij autori i kapërcen kufijtë e një atdheu dhe të
një rajoni gjeografik, duke synuar drejt një shprehjeje të fuqishme, me
përdorimin e një regjistri simbolesh shkundullues... Ai ka aftësinë të ngjizë
një univers imagjinar kolosal. Titus Vîjeu
Kemi të bëjmë me një prozator të madh, me të cilin duhet të mburremi që
merr frymë pranë nesh. E them këtë pasi i kam përshkuar i pangopur katër
vëllime,duke provuar shijen e hidhur të një leximi që (sikur)mbaron para kohe.
E them pasi i kam lexuar romanin "Një fis i lavdishëm e që jep
shpirt" - (epopeja e një harrese), një libër i jashtëzakonshëm, një epope
e vërtetë ballkanase, një vepër me të cilën çdo letërsi,sado e madhe qoftë, do
të krenohej. Paul Vinicius
Ardian Kycyku,
një prozator tejet i talentuar dygjuhësh, një emër me rëndësi të dorës së parë
në të dyja letërsitë - rumune dhe shqiptare. Eugen Uricaru
Pa asnjë dyshim, zëdhënësi më autentik i gjysmëshekullit të shkuar,
vërtetësor po aq sa magjik, i thjeshtë po aq sa i komplikuar, i çiltër po aq sa
vigan i shkrimësisë. Në mendjen e tij vegojnë njëlloj të pranishëm tri pamje të
Pogradecit ashtu si edhe të Shqipërisë. Pogradeci i absurdit të fëmijërisë, me
njerëz të shfytyruar në tejskaj, ku luhet loja apokaliptike e jetës me një
lehtësi mizore, me qytetin e ripërtërirë dhe sidomos atë që ekziston vetëm në
imagjinatën e tij të ndezur. Me penën e mjeshtrit te letrave kombinon të tria
këto pamje dhe krijon një botë të tijën paralele, ku është vështirë të hyjë
kushdo. Sarkazma e Kyçykut është absolutisht afër së vërtetës, apo krejt e
vërteta në optikën e vëzhguesit vizionar. Pamjet e romanit “Sy” janë aq pranë realitetit,
sa ai që e ka jetuar atë epokë e risjell të pangatërruar në kujtesë. Me lehtësi
të habitshme, gati të frikshme, përshkruan vendet dhe njerëzit, bëmat dhe jetën
mjerane të asaj kohe. (…) Talenti i Kyçykut qëndron, mes të tjerash, te
thjeshtësia e tij e tejskajtë. Si askush tjetër larton mbi asgjënë e vëzhguesit
të rëndomtë ngrehina madhështore që duket sikur mbijnë nga dheu. Home Çkena
është personazh që mbart mbi vete banalen dhe madhështoren, mendësinë e rrënjës
dhe duknajën e qytetit, hiçin me gjithçkanë, të thjeshtën dhe të ndërlikuarën.
Home është personazh gjithnjë i freskët që jeton tërë kohës dhe nuk vdes kurrë,
ashtu si Don Kishoti çan shekujt njëri pas tjetrit dhe habit njerëzimin me
naivitetin dhe njëherazi me gjenialitetin e tij të pazakontë. Romanet e Kyçykut
nuk janë rrëfime të zakonta për njerëz a ngjarje historike, tregime
interesante, apo rrëfenja të çastit, me bukuri virtuale, për të kaluar kohën,
që nuk i hynë në punë askujt. Përtej letërsisë me të cilën jemi mësuar vite me
radhë, romanet e tij janë vizion i botës dhe analizë, zbërthim i jetës deri në
detaje “të turpshme”, po thellësisht vërtetësore. Ardian Kyçyku është mit i të
shkruarit, ka kuptuar si askush se letërsia nuk është rrëfimësi e thjeshtë
lineare. Istref Haxhillari
“Mund ta nxjerrësh njeriun nga
mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”…. Ardian
Kyçyku sjell betejën e përhershme të njeriut me atë që kërkon dhe atë që lë
pas. Një ndërmjetësi e botës së pafundme e ecjes drejt një jete në dhe të huaj,
plot rrengje e pikëpyetje nga ai që udhëton drejt një bote tjetër dhe një gjuhe
tjetër. Eshtë një botë-monolog, ku shpesh nuk dimë nëse po flasim me të tjerët
apo me veten. Është një botë që nuk dimë më rregullin e kujtimeve. Mbajmë mend
thuajse çdo çast fjalitë e mospranimit- si një beton që nuk shembet kollaj.
Kufiri i mospranimit e kalon shpesh kufirin e botës së përtejme, sepse është
edhe më i errët. Je gjallë, e sheh tjetrin që ecën dhe ha si ty, që bën dashuri
dhe ëndërron thuajse si ti, e sërish mbetesh i huaj. (…) Kyçyku kërkon të
ndërtojë më shumë pyetje se sa përgjigje, duke dhënë gjithë botën që ndan dhe
bashkon ecjen paralele të njeriut me tjetrin, me atë që njeh dhe atë që nuk
njeh, me atë që dëshiron dhe atë që nuk beson se mund të ketë një këmbim
fjalësh. (…) Kyçyku zgjedh butësisht kahun e njeriut që di të rrojë atje ku
mund të ndërtojë vetveten, përmes gjuhës apo gjuhëve, përmes dashurisë që patëm
dhe asaj që gjetëm. Sepse njeriu që beson dhe dashuron ka fatin të ketë kohën e
tij. Agim Baçi
Ardian Kyçyku, në romanin "SY" ka krijuar një prozë me vlera
artistike të jashtëzakonshme, ashtu siç ka arritur ta krijojë Lasgushi në poezi
– artin e vërtetë, artin që të trondit me fuqinë e tij. Mustafë
Xhemaili
Në gjysmën danteske të jetës, Ardian-Christian Kyçyku ka një bibliografi,
për të cilën senjorët e shkrimit rumun do të ndjenin smirë. Qysh më 1989, ende
e pranguar nga një diktaturë skizofrene e shkallës më të lartë, Tirana letrare
i jepte Kyçykut një çmim kombëtar për romanin “Triumfi i Proteut”. Simbolik ky
titull! Sepse Proteu është autori vetë, me luhatjet e pazgjidhshme ndërmjet
novelës dhe romanit, letërsisë dhe pikturës,filologjisë dhe teologjisë, poezisë
dhe gazetarisë, dhe rreshti i dubleteve mund të vazhdonte… Është thënë, me një
formulë fatlume, se ky shqiptar me banim në Rumani, mund të quhet një Markez i
Ballkanit. Por proza e tij, herë lakonike dhe herë voluminoze, nuk zhbiron
vetëm gjeografinë e ngushtë të një hapësire të nëmur, por edhe kushtet e
ekzistencës së mirëfilltë njerëzore. Në thellësitë e qënies së vet, Kyçyku
është një filozof, për të cilin bota nuk ka më të fshehta, madje edhe nëse ajo
struket tash për tash në mjegull. Ioan Adam
I nderuar lexues, ndodhesh përpara një vepre të jashtëzakonshme. Të një
njeriu që ka zbritur nga foleja e shqiponjave. I gatshëm të ndajë me ne të
fshehtat e perëndive. Val Popa
Shkrimtari shqiptar Ardian-Christian Kyçyku na mëson se natyra mahnitëse
dhe mjaft e koklavitur e ballkanasit nuk mund të zhvillohet pa përplasje e
kundërthënie që shpesh kushtojnë shtrenjtë nga të gjitha pikëpamjet. Vështirë
të gjesh një ballkanas të gjallë, të zakonshëm, të kamur, të varfër, të
ndenjur, i cili, me një lehtësi kreshpëruese, pranë gotës, në kafene, në
mbledhje, kudo, të mos shpërfillë çdo flijim të bërë nga dikush tjetër... Të
ngjeth mishin lehtësia me të cilën qënia njerëzore e fundshekullit XX
përvehtëson kujtimet e të tjerëve, vuajtjet, trimërinë dhe mençurinë… Duke
synuar të rritin përmasën e asaj që “kanë bërë” kundër regjimit, ata rritin
gjer në absurditet egërsinë e tij. Dhe bien kësisoj në marrëzinë e hapur me
duart e tyre, domethënë sjellin dëshmi të pakundërshtueshme se në atë regjim
çdo lloj disidence ka qenë e pamundur. Me kalimin e kohës, falë halleve të
tranzicionit, ata dalin si qënie që kanë mposhtur vetë të pamundurën. E si të
tillë, nuk u mbetet veçse të ndërmarrin një shëtitje rreth botës, të mbajnë
fjalime, të japin autografe, të sulmojnë shoshoqin etj. Nuk është e lehtë të
përfytyrohet se sa do të kishte humbur kjo tragjikomedi nëse martirët e vonë do
të kishin vuajtur vërtet”.
Emil Constantinescu (President i Rumanisë në vitet 1996-2000, Koha e shkatërrimit, koha
e ndërtimit, Kujtime, Shtëpia Botuese Universalia, 2003, botimi i dytë, f.
77-78).
Prozat e Ardian-Christian Kyçykut nuk janë thjesht rrëfime për
njerëz apo ngjarje historike, e aq më pak të shkruara për të kaluar kohën.
Mendoj se ato flasin për ngjarje, të cilat, në njëfarë mënyre, i ka “kaluar”
vetë autori. Në veprat e tij vjen njëherësh jeta dhe vdekja; autori rropatet të
zbardhë jetën e jo të na befasojë me vdekjen. Personazhet e tij gjallojnë si
valët e liqenit. Ato përplasen për breg, dhe kur kthehen për në liqen ndeshin
dallgën e radhës. Në këtë përplasje marrin jetë veprat e tij. Është një
përplasje e çuditshme. Takohen thellësia me përditshmërinë e, në kërkim të së
ardhmes, marrin rrugën për në zemrën e liqenit, në atë që e quajmë shpirti i autorit. I don gjërat, i don
me gjithë shpirt dhe kjo gjë nuk ndikon për t’i paraqitur më të bukura nga ç’janë.
E vërteta është mbi gjithçka në prozat e tij. Kur them e vërteta, nuk nënkuptoj diçka besnike ndaj faktit (asaj që ndodh),
por është diçka më e thellë se ajo. Ndoshta ashtu siç shkruan Borhesi: “Kur shkruaj një tregim, e shkruaj se besoj
në të – jo ashtu siç besohet në histori, por sikurse besohet në ndonjë ide apo
ëndërr”. Në prozën e Kyçykut ndjehet përjetimi e kjo gjë bën që të pulsojë
poezia. Gjithmonë kam menduar se fryma poetike në prozë përcakton se deri ne
ç’shkallë mundet njeriu të durojë të vërtetën dhe për këtë gjë Ardian-Christian
Kyçyku, me artin e tij, ka vendosur dhe vazhdon te punojë për “t`i falur jetës
jetë”. (…) Në tregimet dhe romanet e tij duket sikur bie ideja e ndërtimit të
romanit me një hero kryesor. Dalëngadalë kupton se heroi i vërtetë të cilit i
kushton rëndësi është “jeta” vetë, ku gjallojnë personazhet e tij. Është një
“trup” që ndërtohet nga të githë ne, nga e shkuara jonë, nga ëndrra dhe kujtesa,
të cilat gatuhen në shpirtin dhe mendjen e autorit. (…) Duke lexuar librat e
tij, lexuesi është i vetëdijshëm se zbulon dhe krijon njëkohësisht; kjo gjë do
të thotë se e bën të mendojë. (…) Kyçyku e kthen letërsinë në një banesë
shpirtërore, ku jetojnë së bashku shkrimtari, personazhet dhe lexuesi. Është
një “trup” që mundësohet nga gjithë ne, nga e shkuara jonë, nga ëndrrat dhe
kujtesa. Ledia Dushi
Ardian-Christian Kyçyku është Gabriel Garsia Markezi shqiptar. Kuptohet,
nuk propozoj që ky pohim kategorik të citohet fjalë për fjalë në kuadrin e një
debati letrar, por besoj plotësisht se shkrimtari i lindur në vitin 1969 dhe që
tani jeton në Bukuresht, është një mjeshtër i madh i realizmit magjik. Tekstet
e tij janë më të rënda se të Markezit, nganjëherë lexohen më me vështirësi, por
janë po aq të admirueshme. Në realizmin magjik ballkanas të tipit Kyçyku
demonët e historisë u pëshpërisin rrëfenja në vesh njerëzve të munduar që
dëshirojnë një jetë të lirë... Romani më magjepsi në atë masë, saqë dëshiroja
të jetoja atje, në Shqipërinë e viteve ’80”. Kutszegi Czaba
Kyçyku është fëmija i Ballkanit, dy herë fëmija i Ballkanit, çka mund të
merret si një situatë e pafavorshme në një erë të aspiratave drejt Perëndimit
Evropian. Është lindur në Shqipëri dhe jeton prej vitesh në Bukuresht – këto dy
të dhëna mjaftojnë që,gjatë leximit të romanit, të thurrim gjithfarë
përfytyrimesh. Kyçyku ka një stil juglindor të pangatërrueshëm, teksa zëri,
gjuha, realizmi lirik, ndjeshmëria e tij rikujtojnë gjithsesi kufijtë e
Evropës. Frika për të cilën flet ai, lidhet me tmerrin njerëzor në përgjithësi.
Në fakt, ky është edhe thelbi: pavarësisht ku dhe kur je lindur, përmasa jote
në krahasim me shtrirjen e paskajshme të pushtetit,është e parëndësishme...
Kyçyku nuk na le (i është borxhli subjektit të vet!) që të lexojmë me një sy;
fjalitë e tij gërshetohen si një shermashek dhe mbërrijnë larg, përtej kufirit
prej letre të ngjarjeve. Duhet të ndeshemi me këto fjalë: ndoshta as që duhet
t’i kuptojmë, por vetëm t’i pranojmë, sikur të kishin qënë refugjatët e një
vendi të largët, i cili shpresojmë që (vetëm) në përfytyrimin e Kyçykut
ekziston. Járvás Péter
Në këtë prozë, (por edhe në prozat tjera të këtij vëllimi), lexuesi mund të
shijojë muzikën shpirtërore të një bote tjetër, ku diçka e lartë e zgjon
shpirtin që po fiket dhe ku njeriu është një kurm jo prej mishi, po prej
shpirti. S'do mend se shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku kësaj ia del me një
virtuozitet të çuditshëm, ku shkrihen në raporte harmonike dija e tij si
krijues, ndjeshmëria subtile e njeriut dhe mjeshtëria e rrëfimit të
kallzimtarit. Prandaj, lexuesi te këto proza mund ta gjejë edhe subjektin (apo
syzhenë) interesant, edhe mendimin filozofik, edhe lirizmin poetik, si lehtësi
e leximit dhe e përjetimit të tyre. Prandaj, mund të përfundojmë se, fraza plot
hire, mendimi i thellë dhe sugjestiv, lënda fluide e mbrujtur me një ndjeshmëri
dalldisëse, librin Nata pas vitit zero e shquan ndër veprat më të veçanta në
prozën tonë dhe autorin si mjeshtër të përkryer të saj. Ragip Sylaj
33 episode të një sage që paralajmëron një mitologji të re ballkanike, një
hartesë e dhunshme dhe senzuale, që shndërron logosin dhe i imponon hiperbolën
dhe oksimoronin në trajtë ligjesh të padiskutueshme; 33 shkallë drejt moshës së
shpëtimit dhe të pagimit të mëkateve në kryqin e adhuruar me një përkushtim që
nuk e përjashton polemikën; 33 stanca që e shndërrojnë historinë në poemë dhe
poemën në jetën e një poeti të marrosur nga marrëzia e botës – ç’mund të jetë
më e ëmbël se kjo e fshehtë që sikur shkruhet vetë? Ardian-Christian Kyçyku
është një nga vegimet e mëdhenj të prozës bashkëkohore. Dan-Silviu
Boerescu
... Një roman i vëllimshëm dhe i mahnitshëm, i titulluar "Një fis i
lavdishëm e që jep shpirt", shkruar me ambicje e zhdërvjelltësi të madhe,
që i ka vënë detyrë vetes, as më shumë e as më pak, por që ta rishpikë
Ballkanin në këndvështrim parabolik. Autori dëshmon një siguri të pazakontë në
të shkruar, aq sa nuk të vjen të besosh që gjuha e tij amtare nuk është
rumanishtja, por shqipja. Ky Kadare i ri, me strehë jo në Paris, por... në
Bukuresht, vjen të na kujtojë neve, shkrimtarëve dhe lexuesve rumunë, se
burimet e fantastikes janë të pashtershme..." Dan Stanca
Specifika ballkanike është vështirë t'u përshkruhet atyre që nuk kanë qënë
ndonjëherë në kontakt të drejtpërdrejtë me mizerien e kudondodhur e të
gjithëfuqishme të këtyre trevave... Atë që nuk (para)guxojnë ta bëjnë
prozatorët tanë të shquar autoktonë,ia ka dalë mbanë ta bëjë me këtë roman
një alien, një i huaj, një ... shqiptar". Alcor C.
Crisan
... shkrimtari duket se konfirmon që vendet e vogla dhe gjuhët e tyre me
qarkullim të kufizuar mund të ofrojnë autorë të rëndësishëm dhe libra të
jashtëzakonshëm si i vetmi shans për të hyrë në cirkuitin evropian, duke iu
imponuar vetëdijes evropiane... "Një fis i lavdishëm e që jep
shpirt..." është një vepër fondamentale e Shqipërisë, e shkruar në gjuhën
rumune sikur rumanishtja të qenkej shndërruar brenda natës në një nga gjuhët
zyrtare të OKB-së. Opcioni i autorit është një bast i fituar me gjuhën rumune,
aq sa rumanishtfolësve që janë të interesuar për të mësuar gjithçka për
Shqipërinë dhe sidomos për historinë e shpirtit shqiptar përmes mishërimeve të
tij mitopoetikë, nuk u mbetet veçse të lexojnë "Një fis i lavdishëm e që
jep shpirt". Geo Vasile
Ardian-Christian Kyçyku ka dy atdhe letrarë, të cilëve u thurr lavde në ato
që shkruan. Ndaj Shqipërisë ndjen përgjegjësinë që ndjen genetikisht ndaj
vendlindjes dhe ndaj fjalëve të para. Rumania është një zgjedhje shpirtërore,
të cilën s'do ta kish ndërruar me asgjë. I ardhur nga një trevë e pasqyruar në
Ohrin mitik dhe nga një trysni e egër dhe shformuese ideologjike, historia e
prozës së tij është, në fakt, triumfi i një talenti vigan. Në moshën
tridhjetetre vjeçare, që do ta mbushë së shpejti, ai është i bindur se Zoti
mban anën e atyre që shkojnë gjer në fund. Iolanda Malamen
Përtej realizmit magjik që duket sikur karakterizon substancën epike (dhe
vizionin ontologjik) të prozave të tij (një përzjerje e papërsëritshme e
realizmit,ndonjëherë i dhunshëm, pa iluzione, çoranian, me përfytyrimin
„përrallëzues”, folklorik, mitik, onirik të një „kohe të mbetur pezull”
eliadeske, që mbidimensionon dhe forcon realitetin), befason te Kyçyku
shprehësia e pazakontë e rumanishtes që shkruan, njëlloj sikur të kish
përcjellë heshtas në gjuhën e adoptuar gjithë drithmën okulte të shqipes. Stefan
Ioanid
Ardian-Christian Kyçyku: të mos na shpëtojë karakteri prej evenimenti i
pranisë së tij tani dhe këtu dhe në letërsinë rumune. Ai nuk është një shqiptar
që shkruan në rumanisht… por një shkrimtar shqiptar në gjithë kuptimin e
fjalës, që shkruan edhe në rumanisht, duke njohur, në njëfarë mënyre, përvojën
e Panait Istratit. Kyçyku është një Panait Istrati i letërsisë shqipe, që ka
zgjedhur rumanishten në vend të frëngjishtes”. Mircea Martin
Jo vetëm që vlera nuk pret numurin e viteve, siç thotë klasiku, por disa
autorë në Rumani kanë një numur befasues titujsh të botuar në rini, numur që
nuk ua zbeh cilësinë e veprës. Është rasti i Ardian-Christian Kyçykut, një rast
i veçantë në letërsinë tonë... Kyçyku është një njeri dhe një autor me dy
atdhe, të cilët duket se i do njëlloj. Lindur e rritur në Shqipëri, ai debutoi
atje dhe bëri karrierë letrare dhe universitare në Rumani. Pa harruar
prejardhjen, madje duke e përdorur që të fuqizojë veprën – e cila është e
fuqishme qysh në start – Ardian Kyçyku është një autor përsosmërisht dygjuhësh,
që iu dëshmon rumunëve se si mund të jetë dikush shqiptar. Dhe
anasjelltas. Horia Garbea
Kisha lexuar më parë romanin «Sy» dhe lexova edhe romanin «Home» -
udhëtimin e dhimbshëm të pluhurit teksa ngjizet për t’u ribërë njeri, shtëpi,
komb, një tekst i fortë, që do dy palë dhëmbë për t’u bluar imët, në shpirt dhe
në mendje. Përmes krijimtarisë së gjerë, Ardian-Christian Kyçyku na ka bindur
tanimë se është një qendër rëndese, larg, por jo jashtë letërsisë sonë. Arian
Leka
Të gjitha këto pyetje ngacmohen nga mrekullia e romanit në fjalë dhe që e bën
atë unikat, megjithatë pak më ndryshe se te grekët e vjetër, pak më ndryshe se
te Toni Morrison, pak më ndryshe se te García Márquez. Krejt si në artin e
mrekullueshëm të Ardian-Christian Kyçykut! Riat Ajazaj
Ndaj duhet ta njohim Home personazhin. Se ai është një pesonazh i atij xhinsi
siç është personazh Don Kishoti i Servantesit, siç është pesonazhi Jozef K. i
Kafkës. Madje Home Çkena është edhe më i çuditshëm se i ngjet herë Don
Kishotit, e herë Jozef K-së. Madje Home Çkena është heroi postmodern i kohëve
moderne. I ndarë mes dy botëve, asaj shqiptare e metropolit europian, ky
përgjasim mes të dy personazheve është i përligjur; kur Home jeton me
Shqipërinë në zemër, ngjan si Don Kishot, më shpesh si Don Kishot, kur jeton
mes mistereve të Europës ngjan si Jozef K, më i përndritur se Jozef K. Ngjan si
Don Kishot, e më kokëfortë se një Donkishot kur merr me vete martinën,
trashëgimi muzeale të të parëve të tij, kur ngre një kullë-muze me arkitekturë
shqiptare në zemër të Europës. Ndaj duhet lexuar Home personazhi, se është kaq
i çuditshëm e i stilizuar, këtë herë me një talent absolut e frymëzim spontan
të autorit. Home është një personazh dashurie, që në ngjizjen e tij ai të habit
edhe për faktin se si një shqiptar i Jugut e dashuron aq tepër dhe e ndjen aq
thellë një shqiptar të Veriut, saqë e ngre në piedestalin e veprave të tij
letrare. (...) Metafizika përshkrimore këtu sjell një stil dhe figuracion të
përsosur letrar, një vibrim nëntekstual që ta bën dhimbjen edhe më të trishtë
për vdekjen e heroit Home Çkena, personazhit Home Çkena që mbart gjithë barrën
e mërgimit. Home personazhi, ky Don Kishot i arratisur dhe ky Jozef K. i
trishtë i Ballkanit tashmë do të jetë i gdhendur në qiejt universalë të
letërsisë. Dhurata Hamzai
Nuk është e lehtë të flasësh për krijimtarinë e Ardian-Christian Kyçykut,
pavarësisht “linjave” që mund të përpiqesh të ndërtosh për këtë. Fjalët ose të
duken të paplota, ose të tërthorta e jo të gjithpërqafueshme, ose do të
ndjehesh se ke lënë e je lënë në cep të ndjesive që rikrijohen përmes mendimit
të thellë në lexime të ripërsëritura.
Mendim i rrënjosur e metafora të ngopura në thellësi në një rrëfim
jotradicional, të paktën jo të hasur shpesh në letrat shqipe, vijnë në një
mënyrë që e shenojnë veprën e tij me vulën e vetvetes.
Si një orkestër e gjithëfunksionueshme, që mund të shihet e tëra, porse si
jetë paralele mund të ndjesohet edhe duke lexuar secilën vepër më vete. Vepra e
Kyçykut është një minierë së cilës është vështirë t’i gjesh fundin e mund t’i
mbiveshësh e rikrijosh mijëra udhëtime.
Si çdo gjë që nuk është e thjeshtë, që nuk ka një rrëfim “konkret” të ngjarjeve
“vulgare”, porse është po aq e thjeshtë në “minimizimin” e historive,
fillimisht mbase mund të të largojë, të të stepë në “përkthim”. Porse rikthimi
nën “studim” është rizbulues, madje i një lloji e përjetimi të veçantë, pasi
vepra që ai ofron vjen në formën e një poezie shpirtërore pavarësisht se
serviret në prozë.
Të kuptosh atë, duhet të nisesh nga shumë shtresëzime. Të kërkosh paralele
nën përvoja, të drithërohesh e mbulohesh për të dalë përsëri si nën jorganë të
krijimeve.
Shija që të lë leximi i veprës së tij mund të “deshifrohet” si një proces ku
intuita, duke vallëzuar me imagjinatën, ofron një realitet të përhershëm
(pavarësisht lëvizjes së emocioneve dhe çkohësimit). Duke qenë vetë një “i
ikur”, ai e njeh tepër mirë “dridhjen”, rrëshqitjen e “dyshemeve”, apo
rrotullimet e qiejve. Blerina Goce