Showing posts with label "Perla". Show all posts
Showing posts with label "Perla". Show all posts

Çmimi Kombëtar i Letërsisë "Penda e Argjendtë" 2012 për tregim (vëllimi "Perla")


  
Çmimi Kombëtar i Letërsisë "Penda e Argjendtë" 2012 për tregim - vëllimi "Perla"
(Premiul Naţional al Literaturii "Pana de Argint" 2012 pentru nuvelă - volumul "Perla" / The Albanian National Prize for Literature "Silver Pen", for short stories, 2012, for "Pearls" - selected prose, volume I)
Tirana, 9.12.2013

Lavdia dhe Orari i Trenave

Mes qindra Mjeshtrash, Ustallarësh, Bosësh, më ka ndodhur të njoh njërin që kishte një vegim tejet vetjak mbi lavdinë, ndonëse nuk donte t’ia dinte ç’domethënë shkrimtar, kritik, apo çmime letrare. Vëllimi i mbramë që pat lexuar nuk qe firmosur nga askush dhe mbante titullin çarmatosës Orari i Trenave për vitin 1969. Njëheresh me rënien e Perdes së Hekurt, disa shtëpi botuese dolën nga perdet prej kartoni dhe nuk dinin si të shpëtonin nga librat e dështuar. Në vend që t’i tretnin mijëra librat e paftuar, t’i kthenin në letër, ose edhe në drurë, - në mos për libra, të paktën për qivure, - ato u turrën të bënin shkrumb e hi, ose të mbushnin hapësirat e lira me libra, për fuqitë e çuditshme të të cilëve nuk dinin asgjë. Rreth 1001 kopje të Orarit të Trenave për vitin 1969 kishin sosur në dhomëzën e punës së Mjeshtrit. Para se t’u vinte flakën, ose t’i përdorte për gjëra më të rëndomta, Mjeshtri u pat bërë një fotografi. Se Mjeshtri ishte fotograf. Një fotograf mëse i panjohur, degdisur në muzeumin e një qyteze ku edhe kur derdhet gjak, mund të betohesh se ka rrjedhur djersë, ose përç. Mirpo bash në atë qytezë Mjeshtrit iu fal një vegim. Pat shfletuar Orarin e Trenave, shumë herë me radhë, duke ndjekur symbyllur drejtimin e shinave, renditjen e zhurmave të qëmotit, fshatrat, rrëpirat, urat apo qytetet ku qe ndalur me nga një dashnore, ose me bashkëvuajtësit e pijes, dhe dikush, ose diçka i pat pëshpëritur ta shesë. Dhe qe ngurosur Mjeshtri në vend, me orarin ndër shuplaka, tek vërente me sa mëni, mllef, babëzi e heshtje të pazbërthyeshme blinte njerëzia një vëllim të atillë.
Mbërrita rastësisht në dhomëzën e krijimtarisë së Mjeshtrit. Një mik i mërguar larg, - njëri nga ata që besojnë se Perëndia është lindur në Ballkan, - më qe lutur t’i gjeja fotografinë e një perëndeshe të lashtë. Nuk mund t’ia prishja qejfin. Falë një ujdie të numerologjisë me durimin prej të papuni, u enda nëpër biblioteka, arkiva, shtëpi të rrënuara, ose vila bukinistësh, në mansarda e bodrume ku koha është shndërruar kaherë në pluhur nga ai që ka mbuluar tashmë edhe varrin tënd (ose librat), - duke ndjekur si qen kufiri udhëzimet e mikut, - dhe zbulova se u gjendkej vetëm një fotografi e Perëndeshës, domethënë e shtatores së saj. Shatorja nuk dihej ku prehet, ose dihej e s’mund të thuhej. Fotografia më priste pikërisht në muzeun ku punonte Mjeshtri. E patën groposur për së gjalli aty qysh në vitet '60. Ishte i skamur sa më s’ka, nuk kishte as grua, as fëmijë, as ndonjë kafshëzë ngushëlluese, por jetonte mes një qetësie të jashtëzakonshme. Ndihej i lavdishëm në atë paqe. E do t’i kish dhënë të gjithë negativët e jetës së vet, ose do të qe mbrehur të hartonte një orar trenash, të çdo viti qoftë, vetëm që ajo lavdi të mos bëhej pluhur e hi. Ndoshta qe ajo lavdi, për të cilën i patën folur me zjarr e stërkala disa nga blerësit e Orarit të Trenave për vitin 1969. Pat qenë njëfarë mjekimi e shërimi bashkë.

Nga qyteti prej letre

Foto: Afroviti Gusho

Lajmi se vëllimi “Perla” sapo ishte botuar në vendlindjen time, në Pogradec, më gjeti buzë Detit të Zi, që ka të zi, si për çmësyshje, vetëm emrin. Një lajm i tillë nuk mund të më gjente larg ujrave, të ëmbla, a të kripura qofshin. Ishte 15 qershor, një ditë e thellë për mua. Në një ditë të tillë, me numurin që sjell ndërmend hënën pesëmbëdhjetëshe, por edhe të përmallshmin pesmediç, në vitin 1889 ndërronte jetë në Bukuresht mishërimi i epërm i poetikës rumune dhe evropiane, Mihail Eminesku, por sidomos ndërronte jetë në Tiranë, plot 100 vjet më vonë, im gjysh, Llazi Kyçyku, mishërim i panjohur i të vuajturit, i të duruarit dhe i të rrëfyerit shqip. Një pjesë e shkrimeve që botohen në “Perla” janë hedhur në letër në Bukuresht, teksa shumicën e fijeve të rrëfimit i ndjej vazhdimisht të trashëguara prej tim gjyshi, i cili, siç më ka ardhur të shprehem diku, “nuk tregonte, por ndodhte”. Dhuntia e të rrëfyerit ishte aq e natyrshme tek im gjysh, saqë ngjarjet e tij më faniteshin ashtu siç thuhet se i faniten njeriut pak para se të ndërrojë jetë, mbështjellë me atë vello humori që u jep qënieve dhe sendeve një vlerë shumë afër thelbit. Prej tij mësova, veç të tjerash, atë që do ta gjeja të shkruar më vonë nga Shën Maksim Dëshmitari: “Përdorimi i gabuar i gjuhës çon në përdorimin e gabuar të gjërave”. Edhe e anasjellta mbetet gjithaq e vërtetë, dhe me “gjëra” mund të nënkuptojmë “njerëz”, “jetë”, “art” etj.
Më 15 qershor 2012, pra, u gjenda i rikthyer në Poradec, tashmë në trajtë letre, pas 43 vjetësh, me një vëllim që titullohet “Perla” jo për të magjepsur a trandur lexuesin, por thjesht si metaforë e njërës prej prozave ku perlë është Dashuria, dhe mort krejt pjesa tjetër e ngjarjeve, guacka, e cila, megjithë mungesën e jetës, ka një rol shpesh vendimtar në jetën e perlës. Parë nga brendësia e asaj perle, unë nuk jam larguar asnjëherë nga Poradeci dhe asnjëri nga paraardhësit, sidomos gjyshërit, nuk kanë vdekur e nuk mungojnë atje ku duhet të jenë. Gjatë çmalljes së vitit të kaluar, bie fjala, mbërrita në të ngrysur në varreza, ua kërkova varret dhe nuk ua gjeta, mbeta me lule e qirinj në duar, krejt sikur të isha personazh i ndonjë libri që synon të bindë lexuesin se disa qënie vërtet nuk ikin nga kjo botë. Përndryshe, në secilin prej librave të mi, në shqip e rumanisht, varret e tyre gjenden me lehtësi, por nuk ke pse i kërkon, ngaqë ata janë gjallë, më të gjallë se në realitet.
Poradeci i përhershëm (emërtuar Enkelana) mori në librat e mi përmasa të çuditshme dhe u zgjerua fillimisht në Bukureshtin e Emineskut, të Lasgushit, të Mitrushit dhe sidomos në Bukureshtin e tim eti, që, teksa unë mësoja rumanishten, pat kryer disa shqipërime të jashtëzakonshme nga Eminesku, duke ngjizur për mua një gjuhë të ndërmjetme, shqip-e-rumanisht, që mbase kish për kapërcyell iliro-trakishten e lashtë. Pa synuar që të bëj nga Poradeci një qendër të rruzullit e asisoj të tërheq vëmendjen e lexuesit ndaj shkrimeve të mia, por thjesht për të nxjerrë mallin (dhe / ose hidhërimin e mungesës trupore), në më pak se 15 vjet u gjenda i rrethuar nga një rruzull - Poradec dygjuhësh - dhe s’kish si të ndodhte ndryshe kur pikërisht në atë Poradec, në moshën rreth 4-vjeçare, mbi një tapitá (“qilim” muri) të familjes Misto e Afroviti Cici (njëra nga tetot e tim eti), pata shkruar së pari në shqip, me gishtin tregues. Pak para se të shkruaja, më 15 mars 1972 (ditëlindja e gjyshit tim rrëfimtar!), aq i dhembshuri dhe i shtrenjti Misto Cici, më ka bërë fotografinë që tani gjendet në ballinën e pasme të “Perla”-ve. Më vonë, mbi njërin prej syve ngjita syrin tim të “huazuar” prej një fotografie të bërë në Bukuresht në vitin 1997, mbase si dëshmi se ato që pata parë gjatë asaj periudhe nuk do të ndryshonin më, të paktën në librat e mi. Dhe pó në Poradec, në dimrin e shenjtëruar të 1985-ës, shkrova prozën time të parë, frymëzuar nga jeta e Lasgush Poradecit. Lasgushi, djali i Kostandina Kyçykut dhe daja i gjyshes sime nga ana e nënës, Marianthi Kocit, jetoi disa vjet në Bukuresht. Mitrush Kuteli, kushëri i parë me pó atë gjyshe timen, jetoi edhe ai në Bukuresht, ku, siç e dëshmon hapur, dhembjet e mallit e shtynë të rikrijojë në letër hapësirën e bekuar, (ose “cepin e Ilirisë së Poshtme”, siç e quan Shekspiri), për të cilën gjeologu frëng Ami Boué, tek dilte në Qafë Thanë, pat thënë: “Ah, këtu Perëndia paska punuar me hatër!” (Shih librin e tij “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe”, botuar në Paris, më 1821). Edhe Lasgushi, edhe Mitrushi ishin adhurues të kulluar të Emineskut, shqipëruan nga vepra e tij dhe nuk u stepën para hamendjes se në rrembat e Emineskut rridhte gjak shqiptari, ose edhe gjak shqiptari, për më tepër që Eminesku, sipas kujtimeve të Titu Majoreskut, pat thënë se “Shqipja është gjuha më shprehëse e universit”.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit që shkoi, 15 vjet pasi pata mërguar nga Pogradeci në Tiranë, m’u desh të mërgoja nga Tirana në Bukuresht. Dhembja qe e tmerrshme, por isha sadopak i regjur nga mërgimi i parë, dhe zgjodha si vetiu mënyrën e hershme të mbijetesës: mbajtjen gjallë në Kujtesë të Poradecit (qytetit ku vdiset më bukur - kështu më erdhi ta quaja në një roman shkruar pjesërisht në Poradec gjatë verës së vitit 1992). Pastaj nisa ta “mërgoja” në letër. Ndonëse qysh atëhere arritjet dhe bash mrekullitë u lidhën si perlat në një gjerdan, unë nuk dola nga poradecari i dikurshëm. U ktheva rrallë në qytetin zyrtar, duke u kujdesur të mbetem sa më në hije, - se jo për gjithkënd hija është e ftohtë dhe verbane, - dhe vazhdova ta përsosja me aq sa mundja qytetin prej e letër. E si në çdo akt letrar të kryer me gjithë shpirt, - ndonëse plot anonimë, nga smira a nga padija, më pyesnin “pe nga je ti, mo?” dhe unë ua ktheja “pe atysh”, jo “pe këtush”, siç thuhet në të folmen poradecare, se Poradeci im nuk është “këtu”, por “aty”, pra tjetërkund, - nuk cënova as kohën, as hapësirën e ndokujt, a thua se isha lindur dhe gjalloja vetëm në qytetin prej letre.
Nuk kam ndërmend të dal që ATY!
Pas një numuri të caktuar librash, di se mjaft autorë nuk përjetojnë dot më gëzimin e parmë. Në kohën e sotme, kur nuk heqin dorë së botuari as ata që janë shterur qëmoti e as ata që s’kanë gjë për të thënë, librat u ngjajnë gjithnjë e më shumë ca konservave, të cilave u ka kaluar kaherë afati dhe që mund të përdoren vetëm atëhere kur, veç tyre, ushqim i vetëm mbetet helmi. Ngarendja çarmatosëse e teknologjisë, por sidomos mendësia ekonomike, që, për hir të fitimeve, u jep mundësi shkrimi e botimi gati të gjithëve, ka dyndur trutë e njerëzve me një sëmundje që mund të emërtohet “homo competentum”. Vesi i larmisë me çdo kusht e ka mbushur sheshin e ideve me klishé batërdisëse, duke sajuar një kulturë vërtet shumëngjyrëshe, ku, me një lexim të vëmendshëm, përtej shumicës së debateve, ditirambeve, shkumëzimeve të paranojës etj, zbulon lehtë smirëzinjtë, smirëgrinjtë, smirëbardhët, smirëkuqtë, smirëverdhët, smirëgjelbrit, smirëkaltrit e ashtu me radhë.
Është mirë që letërsia këqyret sot si mjet i fuqishëm mbijetese shpirtërore, por ajo nuk mund të jetë kurrsesi një mjet shpëtimtar për shpirtin e as çek, apo card, që të siguron pavdekësinë. Në kushte të tilla, gjesti i shtëpisë botuese DIJA - Poradeci më ka prekur thellë, se vështirësitë dhe andrrallat e një botuesi të përkushtuar i njoh nga përvoja në Librarium Haemus. Për shkak të një paradoksi që mprihet pas çdo arritjeje në fushën e botimeve, vazhdimisht ke përshtypjen se amullinë e sotme zor ta mposhtë ndonjë botues, mirpo Afroviti Gusho (nga Gushot e Poradecit), poete dhe themeluese e revistës «Nositi», tok me Ilirin, bashkëshortin, e bëjnë pa fjalë të tepërta, pa bujë, me flijime që nuk lypin lëvdata e dekorata, duke ndihmuar që një poradecar me banim në Poradecin prej letre të sjellë një copëzë nga ai Poradec edhe në qytetin e tanishëm. Se kaq i bukur, i bekuar dhe i vogël është Poradeci ynë, brenda e jashtë letrave, në këtë e në atë rruzull, saqë ka gjithmonë vend e kohë edhe për një si unë, por sidomos për nderimin ndaj aq njerëzish të hijshëm e të fisëm, që ishin e nuk janë më veçse në zemrat dhe në librat tanë.
Dhe gjërat janë ngjizur në mënyrë të atillë që shpesh libri më i dobët rron pak më gjatë edhe se njeriu më i fortë.
Poradeci prej letre,
qershor 2012


Fundi i bojës

A.-Ch.Kyçyku, Pogradec 2011
Vetmitari i madh i letrave, murgu i paepur, luftëtari sypatrembur për të drejtat e të vobegtëve me mend shumë e fat pak. Tretej në mërgim e shkruante. Poezi, prozë, kujtime, letra, shumë letra, nganjëherë dukej sikur u shkruante edhe atyre që nuk qenë ngjizur ende në bark të nënave.
Qe detyruar të shkulej nga atdheu, duke mbështjellë rreth fytit të plasaritur nga dhembja, rrënjët plot gjak të fëminisë e të rinisë. Pat ikur, se e kishin kërcënuar me vdekje. Me vdekje nga ajo që të merr, jo nga ajo që shkruhet e lexohet. Vdekje e jotja, jo e tjetrit. Nuk kthehej më, se ata që e patën kërcënuar ishin ende gjallë. Ishin gjallë, të kamur e të fuqishëm. E shtrëngonin pushtetin gjer edhe me dhëmbët e atyre që patën vrarë pas shpine, edhe të atyre që patën blerë me kokë. Nuk kthehej, se kokës së tij ende i kanosej morti, por edhe shitja. E kur kokës i vërtiteshin si korba të uritur morti dhe shitja, nuk e kishin jetën të sigurtë as letrat e shkruara e të bardha, as boja, as letërkëmbimi, as familja.
Ashtu, bir, mos u kthe, mos ua bëj qejfin kriminelëve. Ka plot të rinj e fëmijë, që të vdesin në vend tënd. Ti vetëm mos u ndal së shkruari e së botuari. Ti mos i ler mënjanë ata që s’janë pjellë akoma. Se lotët e nënave thahen, lotët e grave e të motrave e të fëmijëve e të gjyshërve harrohen; eshtrat bëhen dhé e dheu pleh, ose poçe balti, ose qelqe për dritare, ushqim për drurët nga ku do të dalë letër për gjeninë tënde, kurse vepra jote do të rrojë në shekuj.
Djali i vrarë në kufi, mbetur si gaforre prej mishi të përgjakur, me koracën shqyer, mbi telat me gjemba, djali që do të shkruante kryevepra në poezi, në prozë, në letërkëmbim, e që do t’u mjekonte sado shkarazi, në fshehtësi, plagët e thëna e sidomos të pathënat, aq të vobegtëve me fat shumë e mend pak. Ashtu, bir, mos u tut, nuk të lemë të thahesh mbi telat me gjemba, ke një gropë falas këtu, do të t’i bëjmë të gjitha nderimet, mos u shqetëso, do të të bëjmë një qivur të vogël, do të pandehë njerëzia se është libër, që të kursesh sa më shumë letër, se ti as me vdekjen tënde nuk harxhon shumë letër, prehu i qetë, as mos e hap fjalën, mirë është të mos merret vesh që ke vdekur, zëre se nuk je lindur kurrë, nuk të lemë ne aty, ndonëse gjaku i mpiksur po merr ngjyrën e bojës, nuk je i vetëm, nuk je i vetmi, mos e lësho veten, o yll, mos ua bëj qejfin shkrimtarëve.

A.-Ch. Kyçyku, Perla - prozë e zgjedhur I, 2012

Vox Dei


Unë e shkurtoj kohën time dhe jetën ndër dhembje, sherre e vogëlima, për një krodhe bukë, për një grimë Të Vërtete, për ndonjë kacidhe. Kurse ju, bijtë e mi të zgjedhur, – falë ju qofsha përjetë! – jeni gati të vdisni për mua, dhe përballni me aq mund e therrori të gjitha betejat për sqarimin e doktrinave, për ngadhnjimin e parimeve, për daljen në shesh të ndyrësive që bëhen në kurrizin tim etj, etj, etj.
Unë e çoj jetën në harrim e vetmi, por më dhemb vuajtja juaj. Nuk gjej kaherë një mjet, një mënyrë, një gjë a shpirt, me të cilin t’ju shpërblej e të mos u mbetem hua.
Shpesh më vjen t’u përgjërohem: “Po bëni edhe ju ndonjëherë si ne vdekatarët e paemër, se janë kohëra kur mashat kujtojnë dhe sillen si të jenë duar: grinduni edhe ju për pak bukë, për ndonjë kockë, për ndonjë kacidhe, dekoratë a lëvdatë. Vidhni ndonjë gjë, tradhtoni ndonjë mik a të afërm, shpifni ndonjë gjë, me shkrim a me gojë, ngulni ndonjë thikë pas shpine, shkelni ndonjë betim, hidhni ndonjë pikë helmi në vesh, në zemrën e ndokujt, ose në gotë, shituni nga pak, harroni ndonjë nder a dhunti, në mos për gjë tjetër, që të mos bini mësysh.
Kushedi si do kishin rrjedhur gjërat sikur të kishit qënë krejt gjallë...”

Nga "Perla" - prozë e zgjedhur, 2011

Jo më larg se eshtrat


Një poet ballkanas, - emri i të cilit nuk është lakuar as aq sa të zgjojë smirën e ndonjë të gjalli e as sa t’u shtjerë ndohtin të vdekurve, - po ndiqte i magjepsur rrëmujën e ca të mbyturve që dyndnin një breg deti. Ikanakë të përndjekur nga skamja, vëllamë vdekjeje, veshur me ca zhele që vështirë të shquheshin nga lëkurët, kërlesheshin mes dallgësh e pirgjesh rëre, jo sikur ta kishin dhënë tashmë frymën e mbrame, por sikur vetëm njërit syresh, po të fitonte garën, do t’i falej fryma e parë.
- Lëviz vendit, - e shtyu e shoqja.
- Nuk do të udhëtoj me ujë, - ia preu ai. As me ajër.

Anthropos/tum

Ai rri shtrirë, pa asnjë lëvizje, koka nën duar, shuplakat mbi ballë, symbyllur, në natë; hija e grilave shpaloset mureve nga dritat e mekura të rrugës; qelqet belbëzojnë nga era dimërore, nuk e përkthejnë dot. Mendimet i ka të turbullt, tym, hap sytë, rënkon i topitur, vetëm për vete, pastaj vështron mes territ numurat fosforikë dhe shtizat e akrepave të sahatit.
Pranë shtratit ka vendosur një karrike, mbi karrike ka vendosur radion e vjetër “Sonra”, kordonin e radios e ka futur në prizë, dhe tani pret. Një pluhurosje hëne, verdhane, ia huan fytyrën tek të shumtët, Ai e di këtë, po prapë pret, nuk tutet, nuk lëviz. Zvargia e shtizave të sahatit ia mat pa mëshirë durimin, pra, mat atë vetë, sepse Ai tashmë nuk ndryshon fort nga durimi i vet, edhe një minutë, edhe pesë sekonda…

Një dashuri e tillë

“Një tjetër shpirt më ka veshur

tek arratisej

nga plehërat…”



Uji. I pafund dhe i kristaltë, me fshehtësinë dehëse të bimëve nënujore, me pleksjen e ngjyrave, me muzikën shpirtërore të një tjetër bote. Uji i pafund dhe unë, që kam humbur një tokë dhe që kam humbur edhe një jetë.

Uji dhe dashuritë e mia të vrara, të shkulura nga palca ime, duke më hapur nga një tjetër petal në lotusin e dritës.

Uji dhe dehja e një virgjërie të mbytur çdo ditë e nga pak, çdo çast e nga pak, në pakte verbues e dalldisës, dhe dehja ime jotokësore, dhe çmeritja ime ndaj kaq shumë pastërtie, ndaj kaq dashurie që më rrënon e më ngre në këmbë të fëmijëruar,

që nuk m’i shter lëngjet e së gjelbrës në deje.

Uji dhe unë, shtrirë në një varkë të vjetër, lakuriq e me fytyrën symbyllur ndaj qiellit ku ngjyrat dihatin për t’u fikur në natë. Dhe shuplakat e mia të hapura, dhe muzika e pianos që pikon mbi mua, dhe pikat që janë herë gjak i perëndishëm, herë lot i perëndishëm, herë lutje të miat të shndërruara në gjak e lotë të perëndishëm.

Shuplakat e mia, dhe kalimi mes tyre i ajrit, mbrëmjes, jetës sime.

Uji, dhe kaq pak vetmi prej njeriu, dhe kaq shumë muzikë prej shenjti. Dhe prapë uji, i mbështjellë me mjegullën e një malli të pathënshëm, që më vegohet vetëtimthi mbi muranën e ngrirë e pa gdhendje të ditës, dhe unë që them: “Shpirt…”

Ars Canina



Një qen rrugaç, nga ata që parrullat dhe njerëzia patën nisur t’i quanin „të përbashkët”, i çartur urie, ose i egërsuar nga mërzia, brofi mbrëmë nga hiçi, në muzg, e m’u hodh si ndonjë mallkim pas shpine. Pandeha se qe kthetra e vdekjes, mirpo dola shpejt nga metaforat kur njëri nga dhëmbët më gërvishti diku në shpatull dhe shkau poshtë. Fat që në xhep kisha tufën sa një grusht të çelësave: të pallatit, të katit, të shtëpisë, të zyrës, të kutisë postale, të dyerve të jashtme e të brendshme. Më mungonin vetëm çelësat e ca zemrave, e ca truve, e ca metaforave, që mbase nuk kishin brava kaherë.

Nënat varrosen para kohe


Para se të jepte shpirt, nëna lëngoi tre vjet. Dy vjet të rëndomtë dhe një i brishtë. Pra: nëna jetoi një ditë më shumë. Nuk dha shpirt mes dhimbjesh të pazakonta, sepse dhimbjet ia kishin marrë shpirtin ditë për ditë e natë për natë, atje në dhomën ku e vendosën që të kishte sa më shumë paqe e ku zukamat helmuese të kësaj bote mezi mbërrinin. Për tre vjet me radhë, pat vuajtur aq sa e bija dhe i biri po betoheshin që shpirti nuk qënkej veçse njëfarë bombe ku strukeshin qysh në lindje thërrmijat e dhimbjes. Thërrmijat e mbrame u bënë pluhur të dielën në drekë. Nëna ndërroi jetë, ulëriu e bija. Nëna nuk mund të vdiste. Ajo vetëm kish ndërruar jetë. Erdhi me shpejtësi doktori i lagjes, erdhi prifti dhe arritën të dy në përfundimin se e ndjera ishte tashmë e ndjerë. U fanitën ca kushërira të largëta të nënës, ca ish shoqe pune, ca fqinje gjysmë të verbëra e të kërrusura, me sapunë e peshqirë në duar, dhe e lanë dhe e fshinë murgën nënë që ishte dobësuar e ngjante me një foshnjë.

Buzëqeshja që s’do kalojë

 
Jemi shkulur nga një tokë; toka
është shkulur nga ne.
Në vend tonë dhe në vend të tokës
mbetën plagë, dhe plagët rrjedhin gjak, dhe gjakun nuk e pa askush, e qanë pak, e qeshën shumë
Kemi duruar.
Me plagë e pa tokë jemi endur udhëve të botës për të gjetur
një vendth sa më pak të huaj, a sa më shumë të ngjashëm me plagët që patëm lënë në tokën nga ku u shkulëm. Jemi endur pa bukë, pa ujë, pa shpresa, po kujt i shkon mendja për shpresa, ujë e bukë kur plaga ua kalon të gjithave?! Jemi endur me ankthe, makthe e lotë. Jemi endur pa tokë e me mall. Kemi duruar kur ç’kishim e ç’nuk kishim, kur ç’ishim e ç’nuk ishim u bënë pluhur.
Jemi endur në pluhur sa na vinte ta merrnim pluhurin për dritë, bukë e shpresë. Kemi duruar kur pluhuri bëhej pluhur e kur, nga aq pluhur, më nuk dinim ç’po ndodhte.
Ç’po ndodhte, o Zot?!

Ata që rrinë si drapri



Mbase njerëzit do të ngjallen së vdekuri, duke shkelur me mangësitë e tyre mbi Vdekje, ose do të kalben për së gjalli, - duke shkelur mbi mençuri me marrëzitë e tyre të pafundme e njëfarësoj të shpjegueshme, - por magjia e qytetit të dikurshëm, ajo aromë e pangatërrueshme e varfërisë që luan me bukurinë e me vdekjen nuk do të endet më mbi ato treva. 
As që ka përse. 
S'ka as për kë. 
Ai qytet, i mrekullueshëm gjatë beharit, falë liqenit, dhe i perëndishëm gjatë dimrave, falë dëborërave që sikur shkundnin fëmini ende të pajetuara mbi çatitë e vjetra, veç varfërisë, thashethemeve helmatisëse, bukurisë falas dhe çmendurisë, me të cilën është i pajisur secili qytet i kësaj dynjaje, kish edhe një poet të marrë. Qyteti ishte tepër i vocërr dhe mjaft i harruar bote, që të mund t'i lejonte vetes dy, apo më shumë poetë të marrë.

Na t'birt e Metaforës


Ishin pirë plot njëmbëdhjetë kana me verë të kuqe. Njëri nga dy poetet e shquar që merrnin pjesë në tubim, i rregjur me gjakun e hardhisë, i tha poetit tjetër me zë të lartë:
- Kam vënë re, mik i dashur, se këtu, mes malesh, kur të gjithë të tjerëve u vjen të shkruajnë poezi, neve na vjen të vdesim.
- Mua nuk më vjen të vdes, - ia preu tjetri.
- Epo atëhere rro, kolega. Rro kot, si të gjithë.
Po binte mbrëmja në qytetin malor me emër të shenjtë. Mosha mesatare e të ftuarve mezi i kalonte të shtatëdhjetat. Plakat qenë përkulur mbi pjata dhe rrufisnin supë me kërpudha. Qyteti dukej vërtet i ëndërrt. Ishte nga të paktat skuta të Ballkanit, ku çeliku e betoni ende s’kishin hedhur rrënjë.
- Duhet të ketë një shpirt-roje ky qytet, - tha poeti i parë. Një shpirt vigan. Përndryshe, ku e linin të bënte gëk halabakët e kamur të këtyre kohërave?!
- Më mirë qetësohu, - i tha poeti tjetër.
- Jo, ti qetësohu! Qetësohu kot, si të gjithë.
Poeti që s’donte të qetësohej ishte një burrë i gjatë, eshtak, me mjekër gjysmë të thinjur. Pinte cigare pa filtër. Pëshpëritej se pat vendosur t’i jepte fund jetës ngadalë, me pije. I jepte fund jetës qysh para dhjetë vjetësh, kur e shoqja pat dhënë shpirt nga kanceri në gji, dhe ai qe turrur i dëshpëruar udhëve të kryeqytetit, qe ndaluar para të gjithë telefonave të rrugës, u pat telefonuar të gjitha dashnoreve të deriatëhershme dhe ua kish shprehuar qartë mendimin e vet, pavarësisht nëse i qenë përgjigjur ato, apo gra të tjera, se vdekjen e gruas e patën shkaktuar sëbashku, po, po, gjatë çasteve të nxehtë kur ai u thithte gjinjtë në shtrat. Falë thitheve të tyre ia pat thithur jetën nga venat së shoqes. Tani rrinte mbështetur në karrike, në qendër të restorantit me katër yje dhe pinte nga kana e dymbëdhjetë me verë të kuqe.
- A bëjmë më mirë një shëtitje? - i tha poeti tjetër.
- Ma more nga goja. Do të rrosh më shumë, rrofsh! Dua të të shpje lart, tek Pallati i Mbretit, jo për të parë ndonjë mrekulli, se me mrekulli jemi gjer në fyt, po për të thithur një aromë.

Ti

Rreshti i anijeve perandorake po përshkonte Mesdheun. Velat u ngjanin ca reve te qullura. Ishte një ditë e paqme dhe plot dritë, e as kuja e thërrmuar e zogjve grabitqarë nuk parathoshte vdekjen e ndokujt, aq më pak të Perandorit. Ende nuk qe shpikur tejqyra. Mirpo dëgjimi ishte po aq i gjatë sa edhe vështimi me tejqyrë, dhe banorët e bregut qenë shajnitur nga grahmat e mbytura e të mistershme të dallgëve që sillnin kërcënime velash nga e Padukshmja.
Anijet perandorake ktheheshin nga ditëlindja e një mbreti të huaj. Perandori i pat çuar dhuratë një robinjë me tri sisë dhe një togë kuajsh të zgjedhur. Mbreti i huaj nuk pat rënë më poshtë. Gjatë dafrungës njëjavore qenë therrur, pjekur e shndërruar në fekale mbi një mijë buaj, dy mijë pula të majme, dhe qenë tharë mbi njëzet mijë shakuj me verë të kuqe si gjaku. Perandori dhe mbreti i huaj qenë gajasur së qeshuri, duke e marrë verën për gjak armiqsh. S’kishe të ngopur me gjak të atillë.
Rënia e muzgut zbuoi në qiell një hënë të paparë. Ndriçimi i saj ishte aq i butë dhe përshkues, sa mund të betoheshe se të ka hyrë edhe nëpër fyejt e eshtrave. Po vozisnin pranë një grope nënujore vigane, ku, siç tha këshilltari historik i Perandorit, para njëqind e ca vjetësh, qe fundosur një qytet i famshëm.
- U mbyt këtu, - tha Perandori, - dhe u ngrit në papiruset e Historisë.
Perandori ishte i mençëm, ndonëse, po të gjykoje nga mosha, prireshe ta shihje vetëm me shpatë e kupë në në dorë dhe me gra të kolme në shtrat.
- Dijetarët besojnë se i mbyti dashuria për veten, - tha këshilltari. Gjynah… Kishin aq kamje e mbrothtësi, sa gjer edhe skllevërit pandehnin se jetojnë në një qytet qiellor. Dhe u gdhinë mish për peshq.
- Ata u hëngrën prej peshqve, peshqit u hëngrën prej nesh… Kështu e ka kjo botë, - tha Perandori.
Heshti pak, pastaj tundi kokën me njëfarë nënqeshjeje.
- Mos u plak për të kaluarën e atyre që kanë qenë të lumtur qoftë edhe për disa minuta, - shtoi. Mbi tokë faniten e bjerren qënie që treten në hiç pa shijuar pikë lumturie. E ç’mund të jetë fundosja, dhëmbët e peshqve dhe terri i frikshëm i ujrave për atë që ka shijuar lumturinë e epërme?!
- Tani do të mund të shihen ngrehinat e dikurshme të qytetit, - tha këshilltari. Edhe hëna është në anën Tuaj.
Vozitësit skllevër morën urdhër të ndaleshin. Perandori u kthye të shquante skajin e pasëm të karvanit, por nuk arriti. Mundi të shihte vetëm një trumbë velash të mufatura, që i jepnin karvanit pamjen e një gjarpëri të stërmadh me flatra.
Këshilltari u përkul i pari mbi ujrat e kulluara, si për ta ruajtur Perandorin nga ndonjë mallkim, apo magji e zezë, që mund ta dëmtonte thjesht pas takimit të syve me pasqyrën e pafundme të Mesdheut.
- Ja një pasqyrë, që nuk fsheh ç’ka brenda, - buzëqeshi Perandori.
Të zgjedhurit hodhën sytë poshtë dhe nisën të shëtisnin vështrimet mes mureve dhe kolonave prej mermeri, mes rruginave me kalldrëm, në sheshet ku dikur mbaheshin fjalime të paharruara e këmbeheshin mallra me monedha ari, në kthinat e varjeve, të prerjes së kokave, apo të djegies në turrën e druve.
- Thonë se gratë e këtij qyteti kanë qenë të bukura si yjet, - tha njëri nga këshilltarët.
- Atëhere, fundosja s’ka pse na habit, - qeshi Perandori. Ajo që shoh atje thellë, mos është gjë një kurorë?
Atyre që ishin miopë u erdhi keq, se nuk mund t’i jepnin Perandorit asnjë të dhënë të saktë. Kur këshilltari historik po përgatitej ta sqaronte se ishte vërtet fjala për një kurorë, - kurorë dafinash, çuditërisht e pakalbur, mbase e thurrur nga duart e ndonjë vajze të dashuruar, apo të ndonjë fëmije që s’kish pandehur se vetëtimthi do të mbytej, - Perandori u zgjat mbi parmak dhe pohoi me krye. Kurora me dyzetekatër gurë të çmuar, që kushtonin dy mijë robinja copa, u fundos në qendër të pasqyrës, zhubrosi sipërfaqen, pastaj sy të panumurt u çakërritën duke ndjekur drithërueshëm se si kurora përhumbej gjithnjë e më poshtë mes gërmadhave të floritura nga hëna.
- Hej, ti! - bërtiti Perandori. Hidhu në ujë e më sill kurorën!
Disa prej oficerëve u qe ngjethur zemra. Secili do të kish dashur të hidhej për të sjellë kurorën, mirpo gishti i Perandorit qe drejtuar nga skllevërit. Ata quheshin të gjithë “Ti” dhe vetëm Hyjtë mund të kuptonin si dhe pse u krodh në ujë filan “Ti” e jo të tjerët.
Ti sapo kish mbushur të shtatëmbëdhjetat. Nuk kishte asgjë të pazakontë në pamje. Shtat mesatar, flokë të grunjtë, sy pak të vëngër, gjymtyrë të rëndomta. Hapi njëfarë tuneli ngjyrë hëne mes rrënojave nënujore, notoi për poshtë derisa dy currila gjaku i shpërthyen nga veshët, nga goja, por mbase edhe nga sytë, e kapi kurorën që vlente sa një qytet i pafundosur, dhe nisi të ngjitej drejt sipërfaqes. Me qëllim që t’ia priste shqetësimin Perandorit, e ngriti kurorën me duar ende pa nxjerrë kokën jashtë. Poeti i shpurës perandorake tha se vetë Mesdheu, i frikësuar, po ia kthente Madhërisë së Tij kurorën që pat synuar t’ia vidhte.
Perandori nënqeshi.
Skllavi Ti nxori kokën e përgjakur nga uji, u shty për më lart me shputat e lodhura dhe, që të mund të notonte drejt anijes, e vuri kurorën në kokë. Ra një heshtje më e thellë se heshtja e qytetit të fundosur. Mes syve të egërsuar e plot maja thikash të oficerëve, skllavi Ti dalloi sytë e mahnitur e disi të butë të Perandorit. Vështrimet u takuan sa hap e mbyll sytë, pastaj skllavi Ti mbylli sytë dhe funditi bashkë me kurorën që kushtonte sa lavdia e një qyteti të fundosur dhe hymbi sysh, ndonëse ndriçimi i hënës qe dyfishuar dhe askush nuk pat menduar të ndizeshin pishtarët dhe flakadanët perandorakë.
- Hej, hej! - ulëriu dikush.
Perandori nuk bëzante.
Kurora u fanit disa herë me radhë, gjithnjë e më larg anijes, funditi, doli sërish, dhe të gjithë ishin ngurosur, sepse Perandori nuk po jepte urdhër të qëllohej me ushta, me shigjeta, me hobé, apo që ndonjë varkë t’i turrej pas për ta kapur e vrarë atë Ti të pafytyrë.
- Të gjithë gurët duken njëlloj, - tha Perandori.
Vërtet: ndriçimi i hënës bënte që gurët e çmuar të kurorës të mos dalloheshin mesveti. Ose patën qenë gurë hëne, që, deri në ato çaste, ishin hequr si rubinë, diamante, ametistë, jaspis etj.
Po të kthehem tani, mendonte skllavi Ti, ata do të më shqyejnë. E kishte fjalën për vëllezërit skllevër. Po sa mund të më llahtarisë vdekja, mbytja, uria e peshqve dhe kjo errësirë e pafundme nënujore, apo edhe mllefi i tyre, kur kam në krye një kurorë të tillë?!
Bukuresht, janar 2005