Unë e shkurtoj kohën time dhe jetën ndër dhembje, sherre e vogëlima, për një krodhe bukë, për një grimë Të Vërtete, për ndonjë kacidhe. Kurse ju, bijtë e mi të zgjedhur, – falë ju qofsha përjetë! – jeni gati të vdisni për mua, dhe përballni me aq mund e therrori të gjitha betejat për sqarimin e doktrinave, për ngadhnjimin e parimeve, për daljen në shesh të ndyrësive që bëhen në kurrizin tim etj, etj, etj.
Unë e çoj jetën në harrim e vetmi, por më dhemb vuajtja juaj. Nuk gjej kaherë një mjet, një mënyrë, një gjë a shpirt, me të cilin t’ju shpërblej e të mos u mbetem hua.
Shpesh më vjen t’u përgjërohem: “Po bëni edhe ju ndonjëherë si ne vdekatarët e paemër, se janë kohëra kur mashat kujtojnë dhe sillen si të jenë duar: grinduni edhe ju për pak bukë, për ndonjë kockë, për ndonjë kacidhe, dekoratë a lëvdatë. Vidhni ndonjë gjë, tradhtoni ndonjë mik a të afërm, shpifni ndonjë gjë, me shkrim a me gojë, ngulni ndonjë thikë pas shpine, shkelni ndonjë betim, hidhni ndonjë pikë helmi në vesh, në zemrën e ndokujt, ose në gotë, shituni nga pak, harroni ndonjë nder a dhunti, në mos për gjë tjetër, që të mos bini mësysh.
Kushedi si do kishin rrjedhur gjërat sikur të kishit qënë krejt gjallë...”
Nga "Perla" - prozë e zgjedhur, 2011