Dritat e venitura të sallës zmadhonin pastaj hijen time mbi rrugicën para shtypshkronjës dhe roja vejevinte brenda hijes si ndonjë skllav i mësuar me vdekje pa pikë shprese. Fjalë të zbrazëta më bymeheshin në kokë, falë varfërisë së xhepave, njëheresh me hijen, në shqip, dhe ndonjëherë i thoja me zë, se askush s’ma dinte gjuhën. Ashtu largoja sadopak trokamën e mbytur të tastjerave, që ngjasonte me një ushtri karkalecësh të padukshëm e të uritur. Po hynte një pranverë tjetër, me gjëmën e shndërruar në ngjyra e bindje fluturake se njerëzit në përgjithësi, ose në thelb të tyre, nuk janë aq të poshtër sa duken, ose sa hiqen. Si jeta, mendova pa zë. Si pas një nate të zjarrtë në shtrat, pasuar nga makthi se asaj s’po i vijnë, po i vonohen, nuk do t’i vijnë për nja nëntë muaj e ca zakonet, - ashtu m’u duk vetë jeta, mirpo ajo jetë as nuk mbetej shtatzanë, e as nuk lindte gjë për të qenë. Jo rrallë pata dyshuar se mes shtypjes së shkrimeve, kalimit të bojës përmes plumbit, vulosjes në letër dhe jetës sonë kishte një lidhje të errët, që na shkretonte duke na bindur se po mbushemi me shkëlqim. Tundimi për të vrarë veten më sulmonte veçanërisht në këto ditë, në atë orë, kur roja binte në hijen time si në një çarg, si në një rrjetë peshqsh, a si në një qese për kapje fluturash, dhe ndihej disa herë më mirë sesa unë që isha, në mos vetë hija, të paktën ati i hijes.
