Showing posts with label Tirana. Show all posts
Showing posts with label Tirana. Show all posts

Shtijëza


I vari veshjet e shtrenjta mbi gardh, pranë luleve të diellit, dhe bëri një dush me fuçi, që të kthjellonte trutë. Menjëherë pas gardhit, pas veshjeve të tij dhe flokëve të ngrirë të luleve të diellit, hapej qielli. Pa asnjë majë çatie, pa asnjë oxhak, pa asnjë fjollë tymi. Qielli i lartë, i kulluar, me yje që cijatnin mençurisht mbi rëndomtësinë tonë të sëmurur, të ngrefosur e sidomos shurdhe. Piu një cigare ulur mbi shkallë, pastaj ra në shtrat pa u fshirë me peshqir, pa u veshur. Dritaret i hapi kanat më kanat, asgjë e mbrapshtë s’mund t’i ndodhte. Tha me vete se në kaq bukuri, në një vend kaq të thjeshtë, përtej ritmeve të rreme, do t’i mjaftonte qoftë edhe një orë e vetme gjumi. U krodh në qiell me lehtësinë me të cilën një shpirt i përkorë zhytet në shpirtin binjak, pa ndjerë mungesën e ndonjë ëndrre apo të ndonjë kurmi femëror. Pak para se vështrimi i tij të mjegullohej, të shpërthente butë, si ndonjë farë sinapi, për t’u bërë ajër, ngjyra, vështrimi u tkurr në një pikë sa një farë sinapi. Ndjeu se pika qënkej maja, ose thjesht njëra nga prerjet e një shtijëze që binte nga lart poshtë e anasjelltas, një shtijëzë e ndritshme, ndofta rreze hëne. Njësuar në shtijëzën e ndritshme, zgjatej, me të njëjtën heshtje, me të njëjtën pafundësi, binjakja e saj e errët, e zezë. Nuk dihej nga buronin, çfarë shponin, ku shtereshin.

Nizamë


"Asnjё tjetёr nuk synonte ta shtinte nё zemёr, si unё, prandaj tё gjithё donin e madje mund ta shtinin nё dorё, sepse unё e kisha stёrvitur qё tё (mё binte) nё zemёr. Tri ditё me radhё, qysh nё sabah, vajta bёra gozhdё tek stacioni i trenit, me mendjen t’ia mbath drejt Durrёsit, por mbajta patkonjtё, se ajo mund tё kish vajtur nё Vlorё, nё Dhёrmi, nё Sarandё, nё Pogradec etj. Bezen e tryezёs sime tё ballkonit e pat mbuluar njё hartё e madhe e atdheut dhe unё rrija pёrkulur mbi tё dhe goja mё lёshonte lёng, mё vinte ta haja pjesё-pjesё, pastaj platitesha, se mjaft na e kishin ngrёnё tё huajt. Ato ditë u shfaq në jetën time një qënie e dhembshur e plot përkushtim të heshtur, qënie që rrëmbeu, si të thuash, lëvizjet e mia të tepërta, dufin e të qënit ende burgosur në trup, dhe ma preu vrrullin që më shtynte a më tërhiqte drejt këmishës së forcës. Ishte kalë, i bardhë, me nga një trëndafil të kuq tek tëmthi, i pastër si drita. U hasëm tek punishtja a ndërmarrja e materialeve të ndërtimit, afër Ambulancës, pak pasi kisha vizatuar me urinë një hartë çlirimi nga ankthet. Këmbora e tij tingëlloi si përshëndetje. Ndoshta dija pa ditur gjuhën e kafshëve, e atyre që vuanin në heshtje, larg vëmendjes së vdekatarëve, si puna ime. I zoti quhej Toni (ndonëse qe më fort i askujt se sa toni), ishte një jevg i çelët e i paqmë, që pranoi ta shoqëroja dhe të kujdesesha për kalin saherë ndaleshim gjëkundi e ai duhej të shkarkonte mallin. Malli ishte një kalá me tulla të bardha, me thasë çimentoje, me qeresté, qeska, litarë, listela, gozhdë etj. Sipas meje kjo botë kish marrë tatëpjetën dhe çmeritesha që ca njerëz ende merreshin me ndërtime.

- Nizam e ka emrin! - i thashë Tonit.

Genius without a cause

(Disa dëshmi rreth romanit “Lumenjtë e Saharasë”)


Glob.al

“Lumenjtë e Saharasë” është romani im i parë krejt i lirë. Edhe nga ana historike, edhe gjeografike, edhe letrare, edhe estetike. Ndohti që më ishte krijuar asokohe nga e ndaj klisheve të realizmit-socialist, por jo vetëm të tij, më ndihmuan të ecja në fije të perit. Nuk ishte qëllim në vetvete, aq më pak reagim hakmarrës, përndryshe nuk do të qe shkruar. Me një lehtësi të pasynuar e të pakontrollueshme, romani u ndërron vendet pyetjeve e përgjigjeve, duke i shtruar të parat si përgjigje dhe të dytat si pyetje. Kjo gjendje nuk ka ndryshuar as pas mbi tridhjetë vjetësh: herë më duket sikur nuk jam larguar asnjëherë nga ajo kohë e hapësirë; herë të tjera – sikur nuk kam jetuar kurrë atje dhe atëhere.

Gozhda e katërt


“Lumenjtë e Saharasë” ishte gati për shtyp në dimrin e vitit 1988, shoqëruar nga shtatë proza, me titullin “Rrëshqitazi mbi rrathë”. Pak muaj më parë pata dorëzuar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” vëllimin “Bravat e vjetra” (4 romane: “Demi i zi”, “Mortët”, “Triumfi i Proteut” dhe “Ditët prej qelqi”). Gjatë pritjeve rraskapitëse për të marrë vesh nëse do të botohej, në oborrin gati prej burgu, një mëngjesi nga ata që sikur këmbëngulin të ta zëvendësojë palcën, ose edhe gjakun, me brymë, dëgjova zërin e zvargur të një muratori a zdrukthtari të padukshëm që i tha dikujt po aq të padukshëm:
- Ngulja mirë gozhdët; edhe unë do t’ia ngul mirë...