Panait Istrati dhe rrënjët e prozës ballkanike [Fragment nga një studim i zgjeruar]

Panait Istrati / fotograf
Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku

Panait Istrati, „Kira Kiralina, shqipëroi Kopi Kyçyku
Shtëpia Botuese PA, Prishtinë 2015,
me mbështetjen e rrjetit kulturor Traduki

Fragment

Hyrje

Pa e synuar, ose pa ia dalë mbanë, - për shkak të vdekjes, të cilën e priste qysh fëmijë, por e cila duket më e parakohëshme se në raste të tjerë, - gjeniu i letrave Panait Istrati duket se u la lexuesve të zgjedhur një kryevepër të dyfishtë. Në thelb, çdo kryevepër mbështetet mbi një rrjet gojëdhanash[1] dhe / ose pamjesh me rrënjë të pakapshme në kohë, mbi durimin dhe hirin krijues të disa breznive, dhe është një kulm, ose një rrjet kulmesh. I bindur se njeriu nuk duhet ta shndërrojë veten në një kryevepër, por në një mjet lumturie (për të tjerët), sa i përket rrafshit artistik, Monsinjori Vladimir Gjika[2] shprehej se përcaktimi më i saktë i një kryevepre do të ishte: ”Nuk i ka të gjitha, por asgjë nga ato që nevojiten nuk i mungon”. Nga këndvështrimi i atij që i rrëmben kryevepra të padukshmes përmes skalitjes së gurit, Constantin Brâncuși, besonte se kryevepra është “barazpesha absolute[3].

Kryeveprës së dyfishtë të Istratit, e papërfunduar prej tij, por që vijon në vetëdijen e çdo lexuesi të përkushtuar, nuk i mungojnë as barazpesha e as ajo diçka që shpesh ua zgjat, ose ua shkurton jetën librave. Pjesë të kësaj kryevepre gjenden sidomos në ditarin e copëzuar të Istratit, botuar në vëllimin ”Si u bëra shkrimtar[4], që mund të kishte pasur edhe titullin ”Si mbeta shkrimtar”. Ditari nuk është mbajtur aq për të zbutur vetminë dhe për të zhvilluar paraprakisht një rrëfim ndaj Zotit. Ai i ngjan më fort një letre të hapur, që mund të lexohet edhe gjatë jetës së autorit, edhe pas vdekjes së tij, edhe gjatë vdekjes së tij, edhe pas jetës që fton të shkruhet nga tjetërkush. Po u paraqis këtu, - shkruan Istrati, - atyre që ndjejnë nevojën, jo aq një vepër arti, se sa një njeri. Vepra vdes. Njeriu është i përjetshëm. Veprat janë gjithmonë bindëse. Njerëzit – vetëm heraherës. Që të mund t’ia arrijë qëllimit, epoka jonë, - pra ata që nuk flasim dhe prodhojnë pa përfituar, - ndjen më fort nevojën për njerëz, se sa për vepra. Ose, më saktë: për njerëz që janë pasqyra e veprave të veta.


1.
Kur një gjení[5] shfaqet në botën e letrave, pavarësisht nga gjuha që zgjedh për t’u shprehur, së pari ndodh shndërrimi (për mendësinë e kohës) i Hierarkisë së Padukshme. Nga thellësitë ku s’shkohet dot për turizëm dhe ku kritika zyrtare sheh vetëm padrejtësi në ndarjen e dhuntive, letërsisë përkatëse i tranden muret (sepse themeli urdhëron muret, jo e kundërta). Për fat, çdo trandje e tillë është një lloj frymëmarrjeje çliruese për lexuesin mendjehapur. Veçanërisht në vendet ish-komuniste, ku ende boja nuk e ka shlyer çmimin e gjakut, që t’i shpëtojë zgjedhës së realizmit socialist, - dhe ku shtypi ende sundohet prej autorësh që ia ngushtojnë hapësirën shoshoqit, se mos kësisoj do të bëhen sadopak më të mëdhenj se vetë hapësira, - një gjení si Panait Istrati magjeps e ngazëllen, por edhe mbjell frikë, dhe kësisoj rrezikon të trajtohet si një gjení vendas, bashkëkohor, dhe të ndëshkohet me heshtje.


Ndonëse shumëfish i afërt si rumun dhe si francez, ai vjen i përkthyer në një nga ato letërsi që emërtohen të ‚vogla’ dhe që, për mëse gjysmë shekulli, u është nënshtruar risive me urdhër nga lart. Në kohën kur suleshin të murosnin çdo të ardhme, me shpejtësinë e errësirës, jo të dritës, këto të ashtuquajtura risi „... ashpërsuan skizofreninë e disave, paranojën e të tjerëve, ndihmuan dinakërinë dhe gjunjëzuan në rutinë vetë vegimin...[6]. Fatkeqësisht, çmurosja ndonjëherë mund të zgjasë po aq sa edhe murosja. Rruga e Istratit drejt shqipes zgjati plot 80 vjet, qysh nga çasti ku autori ndërroi jetë.

E ngjashme ishte shfaqja e Panait Istratit edhe në letërsinë evropiane, nga Parisi i vitit 1923, - dhjetë vjet pasi autori dygjuhësh dhe Qyteti i Dritave ishin takuar së pari[7], - kur rrëfimi „Kira Kiralina”, tek pushtonte arenën e ideve dhe të stileve me një dendësi shpirtërore gati të harruar, apo qëllimisht të mënjanuar, ia davariti tymrat dhe i fali një tjetër lloj frymëmarrjeje botës letrare. Shkruar në frëngjisht nga një rrugëtar rumun i pashkollë, kryevepra e parë e Istratit nuk magjepste aq përmes bëmave të autorit, - hollivudjane i quajtën disa, - sesa përmes thelbit të vet: jetë e mirëfilltë, nga Ballkani i damkosur dhe i nëpërkëmbur, plot flakërima e vetmohime idealiste – njëheresh me rënie, tradhti të paskrupullta e etje gërditëse për pushtet, apo vëllavrasje; ide të freskëta, shpesh të çuditshme, por të denja për t’u shndërruar në programe apo lëvizje globale; art dhe fuqi marramendëse të rrëfyeri, por me ritëm të qetë, si në mëhallat e hershme të Lindjes, kur pleqtë tregonin legjenda rreth zjarrit dhe kur të gjithë besonin se hijeshia e rrëfimeve është e aftë të dëbojë shpirtrat e errët. Kjo mënyrë e përcjelljes së kumtit letrar dhe jetik vjen të shkundë një shoqëri, e cila, tek dihat pas mirëqënies dhe utopive, ka aq pak të ardhme, sa rrezikon të mbetet edhe pa të shkuar.

Me nuhatjen e epërme dhe me atë zemërgjerësi që ish përuruar qysh nga mbërritja në frëngjisht e Tosltoit dhe Dostojevskit, Parisi pasuronte sërish veten dhe krejt kulturën evropiane me një vepër të ngjashme për nga forca, por të ndryshme për nga kumtet. Prej së njëjtës bërthamë jetë-vepre, por në drejtime të tjera, do ta pasurojnë më pas letërsinë evropiane, pó falë frëngjishtes dhe jetës letrare pariziane, shkrimtarë rumunë të kalibrit botëror dhe krejt të pangjashëm mesveti, si Constantin Virgil Gheorghiu[8] (Ora 25), Eugen Ionescu[9] (me pjesët e Tatrit të Absurdit), apo Emil Cioran[10] (me vëllimet e tij filozofikë). Ndërkaq, në hapësirën nga ku qe mërguar Istrati, disa autorë shqiptarë, si Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi, do të shkruajnë kryevepra gati të të njëjtave përmasa, por duke mbetur edhe për shumë vite krejt të panjohur, kryesisht falë rrallësisë së shqipes.

Përmes këmbënguljes për të thithur në frëngjisht autorë dhe kryevepra lindore, Parisi dhe frëngjishtja do t’ia tërheqin vëmendjen Evropës ndaj një paradoksi që në kohën tonë po sundon të paktën shtypin: varfërimi i jetës shpirtërore ia nënshtron artin e të shkruarit provincializmit (mendor e estetik) dhe e çon drejt asgjësimit, gjer edhe kur gjuhët që përdoren janë të qarkullimit ndërkombëtar. Temat dhe pyetjet e sipërfaqshme dynden ta mbushin arenën letrare me autorë të rëndomtë dhe me libra që nuk vlejnë më shumë se sa lënda në të cilën shtypen. Në kohën kur botohej Panait Istrati, e gjitha dukej si copëzë e betejës së lashtë midis gjenisë dhe mediokres – dhe kështu u duk edhe për disa dhjetëvjetsha, gjatë të cilëve, thënë metaforikisht, pika e ujit, si mënyrë e shpëlarjes së truve, - u përzje aq thellë me vajin, sa është gjithnjë e më e vështirë ta shquash hierarkinë e padukshme nga e dukshmja.


2.
Ke dhuntinë e të shkruarit, s’ka rëndësi në ç’gjuhë”, i shprehej Istratit Romain Rolland-i[11], ai që vihet menjëherë në lëvizje dhe e merr në mbrojtje gjeniun nga Ballkani, pasi ky qe orvatur të vriste veten, duke prerë gurmazin me një biçak në Parkun „Albert” të Nisës, bash para shtatores së Albertit I, më 3 janar 1921, dhe duke pasur në xhep një letër drejtuar nobelistit francez[12]. Ai biçak e pret jetën e Panait Istratit më dysh. Për një grimë, ai zhgënjehet thellësisht, sepse vërtet e kthejnë në jetë, por e kthejnë „pó në jetën e vjetër”, jo në atë që shpresonte të gjente pas vetëvrasjes. Ngjarja ka një ngarkesë fshehtësie që i përshtatet stilit të tij të rrëfimit. „Për ata që nuk besojnë në fat, - shënon profesori Lucian Chișu, - duhet shtuar një hollësi shajnitëse: shpëtimi për vetëvrasësin vjen nga një fëmijë, më saktë nga një vajzë që pat dalë shëtitje me të gjyshin. Ajo e sheh trupin e përmbysur mbi një pellg gjaku dhe i tërheq vëmendjen të gjyshit. Vajza ishte me prejardhje rumune, kurse prindërit e saj, të tronditur nga gjesti i shkrimtarit, do t’i blinin këtij më vonë një aparat fotografik, me shpresën se, duke e përdorur, do të mund të siguronte jetesën e përditshme[13].
Para se ta ngrinin nga këmbët e shtatores dhe ta çonin në Spitalin ”Saint Roch”, koka e Istratit u var sëprapthi dhe ai erdhi në vete. Dëgjoi nga kufiri mes dy botëve se si mjekët thanë ‚Ka vdekur’. Vite më vonë do t’i rrëfejë me hollësi rrënqethëse stërmundimet e veta të atyre minutave për t’i bindur mjekët se nuk ka vdekur dhe që të mos e varrosin për së gjalli (se rrugës për në spital, shtrirë mbi tezgë, as nuk fliste e as nuk shkruante dot). Nga ajo ngjarje shpjegohet edhe fjalia e testamentit të tij: ‚Lus mjekët të binden se kam vdekur’. E kishte këtë ankth[14].

Pasi lexon letrën, - e cila është një kryevepër më vete, - Romain Rolland-i e nuhat i pari se, përtej rreshtave të saj, rri në pritë një vepër që, ende pa u shkruar, përçon një ndriçim të brendshëm, si shkollë e fshehtë për të verbërit – dhe evropianët e kohës, shumica të rrëmbyer nga ideologji e rryma artistike që duken shpëtimtare, sapo kanë hedhur hapat e parë brenda një epoke që mund të quhet e padijes barkngopur. Trandja është e pashmangshme, por jo e dëmshme; shpirti i thellë evropian ngrihet mbi çdo krenari të së përditshmes dhe ngutet të birësojë një qënie, e cila, siç do të dëshmohet shpejt, për nga mençuria, përvoja dhe aftësitë shprehëse, ka natyrë prindi. Në jetën e përditshme, për vite me radhë, sjellja, vëmendja dhe këshillat e Rolland-it ndaj Istratit do të jenë pó prindërore, ndonëse në çastet-kyçe ballkanasi që pat braktisur të ëmën në moshën 12-vjeçare për hir të lirisë pa kufij, do ta mbajë veshin të shurdhër dhe, rrjedhimisht, do të paguajë shtrenjtë, me hidhërime zemre. Ato hidhërime, besoi më vonë, iu shndërruan në sëmundje dhe ia vranë zemrën.

Në parathënien që shoqëronte „Kira Kiralinën”, titulluar „Një Gorki ballkanik”, mes të tjerash, Rolland-i shënon: „Është një rrëfimtar i lindur, një rrëfimtar nga Lindja, i cili gëzohet dhe preket nga rrëfimet e veta, dhe aq shumë e le veten të robërohet prej tyre, saqë, më të nisur rrëfimi, askush nuk e di nëse ai do të vazhdojë një orë, apo një mijë e një net [...] Kjo gjení e rrëfimit është kaq e papërballueshme, saqë, në letrën e shkruar pak para vetëvrasjes, ai (Istrati – sh. im) i ndërpret dy herë vajtimet e veta të dëshpëruara për të rrëfyer dy ngjarje zbavitëse nga jeta e vet e kaluar[15]. Nuk mund të thuhet nëse gjenia e të rrëfyerit ia shpëtoi jetën Istratit, por padyshim ia shtyu pak vdekjen, - aq, sa të rrëfente dy ngjarje zbavitëse nga e shkuara, - dhe afroi drejt tij në park vajzën rumune me të gjyshin.


3.
Lindur në magjepsësin qytet rumun Brăila, buzë Danubit, më 10/23 gusht 1884, djali i dytë jashtë martese i Gjerasim Valsamisit (tregtar grek duhani, që, i sëmurë nga tuberkulozi, një ditë shkoi të kurohej në Qefaloninë e lindjes dhe nuk u kthye më) dhe Zhoica Istrates (rumune shtëpiake), gjeniu i prozës më parë mëson të punojë, se sa të shkruajë. Bën ç’të mundë, punë nga më të rëndomtat, dhe njeh nga brenda disa përmasa të së ashtuquajturës ‚mëhallë’, duke kaluar nga një pronar tek tjetri, si pjatalarës, kamarier, pastrues, hamall, bojaxhi. Vetëm hajn dhe vrasës me pagesë nuk bëhet. Deri vonë, Istrati do të kujtonte, jo pa njëfarë përmallimi, shtangien plot frikë e përbuzje të njërit prej pronarëve (këta quheshin të gjithë Kir, nga zotni – gr.), që i pat gjetur në xhepa një poezi. Je poet, more?!, do ta pyeste Kir-i, mbase me bindjen se poetët janë bartës të një mallkimi shumëvjeçar. Ka mundësi të jetë pó ajo poezi, të cilën Istrati ia pat recituar një ditë edhe së ëmës, teksa kjo hekuroste dhe mbetej e mpirë, sepse djali, - të cilin mëhalla e shihte si të tepërt e pa kurrfarë të ardhmeje, - i lutej „Zotit që të mos më jepte pasuri, as ndere, të mos më bënte perandor a diçka të ngjashme, por vetëm të më falte krejt aftësinë për të shprehur ato që mendoj...”[16].

Brëila, - ku do të kalonte jetën edhe Naum Veqilharxhi dhe ku do të hartohej e para abetare shqipe, - ishte asokohe një „paçavure e bëshme që kundron dashnorin e vet, Danubin, me një vështrim sa të përflakur, aq edhe të shthurrur”. Ndërtuar „mbi një plan mbase unik në botë, Brëila i ngjan një erashke gati krejt të hapur. Nga bërthama që ka për qendër, tetë rrugë dhe dy bulevarde formojnë po aq krahë që i rrethojnë belin, duke ia paraqitur Danubit si një fli joshëse. Por që bukuroshja të mos ndihet ngushtë, katër udhë ua presin hovin dhjetë krahëve, duke i përshkuar pikërisht si në një erashkë. Të gjata, pa fund, duke shkuar nga Danubi në Danub, gjithnjë në kthesë, e duke pasur në çdo skaj nga gjashtëqind numura dyersh, secila nga udhët e ruan emrin, ndonëse pritet prej rrugicash. Gjithsesei, ngaqë miletit nuk i pëlqen monotonia, i ka pagëzuar sipas mënyrës së vet pjesët e ndara midis venave, gjë që u dha jetë lagjeve, të famshmeve mëhalla: çifute, greke, ruse, cigane etj[17].

Mëhalla do ta pasurojë Istratin me thesaret e veta, por duke u përpjekur parreshtur, ndoshta për forcë zakoni, edhe ta shkatërrojë, sidomos ngaqë Istrati „nuk kishte asnjërin nga veset e moshatarëve”, dhe ishte jo aq mish i huaj, se sa shpirt i huaj në atë bashkësi, ku, fatmirësisht, leximi i librave këqyrej si shenjë marrëzie. Me tekat e një Big Brother-i (ndoshta jo rastësisht, më vonë, Istrati do të shkruajë parathënien e librit të parë të George Orwell-it në frëngjisht), Mëhalla shpërblen e ndëshkon sipas ca ligjesh të pashkruar, që mbështeten në plotfuqinë e gojës së botës (quajtur edhe gojë të liga) dhe në ruajtjen e hierarkive (sipas shprehjes-kyçe „Shpulla e pronarit shëndosh bythën e shërbëtorit”).



Një shpërblim i paharrueshëm, nga ata që ndërrojnë fate, vjen pikërisht në mejhanen e Kir Nikollës, gjatë një dite plot tymra e zhurma. Dhurata vjen nga Danubi dhe përmes Danubit. Kapiteni i moshuar i vaporrëve, Mavromati, që ish çmeritur nga etja e Istratit as dymbëdhjetë vjeçar për lexim, i fal Fjalorin universal të gjuhës rumune (autor Lazăr Șăineanu), duke i thënë me të qeshur se libri ende bart avuj nga të vaporrit. Pak më tutje, në një cep të mëhallës, deri vonë ende qëndronin më këmbë muret ku lëçitësi që do të mahniste miliona lexues shkruante me copa qymyri rrëmbyer në kuzhinë fjalët që nuk i kuptonte[18].

Veç hapjes së syve ndaj një bote të mrekullueshme që fshihej përtej gërmave dhe avujve të letërsisë, mëhalla e mbyll si peng në librat dhe revistat franceze që mbërrijnë pó nga Danubi. Lumi i famshëm ka njëherazi edhe trajtën e një gjuhe vigane që ia mbush dhomëzën dhe jetën me stoli letrare, edhe këmbënguljen e çuditshme të një grepi që synon ta tërheqë jashtë kufijve.


4.
Pasi ia del mbanë të arratiset nga hijerënda mëhallë, - për të shpëtuar shpirtin, por edhe që të mund t’i përdorë mllefet dhe mallet në libra, - si punëtor me mëditje, i papunë, por edhe gazetar e fotograf[19], Panait Istrati do të udhëtojë nga Bukureshti e Kostandinopoja, në Aleksandri, Kajro, Napoli, Athinë, Selanik, Paris, Vjenë, Lozanë, Moskë, Kiev etj, me trena, me vaporrë, majë karrosh me kuaj, ose buaj[20], më këmbë. Dikur, shoqëruar nga miku i vet më besnik, i mistershmi refugjat rus Mihai Mihajlloviç Kazanski (që dukej sikur s’lahej kurrë, por i lexonte autorët francezë në origjinal dhe që, pas një pranie prej nëntë vjetësh, del në mënyrë të çuditshme nga kjo jetë, duke marrë vagëllimhti trajtën jolëndore të një qënieje midis engjëllit dhe rimishërimit të dikujt arratisur nga një kohë tjetër), jeton për ca kohë edhe në Malin e Shenjtë Athos, ku Kazanski donte të bëhej murg. Sipas dëshmive dhe hamendjeve, frëngjishten e mëson pikërisht gjatë endjeve nëpër botë, më saktë: në pezullinë nga ku s’mund të lëshojë rrënjë askund, duke lexuar me ndihmën e fjalorëve shkrimtarët Fenelon, Rousseau, Voltaire, Pascal, Montaigne. Në ditar shënon se ndihet viktimë e përjetshme e dehjes së leximit. Në Damask, gjatë një ndalese, gati del mendsh, sepse as njerëzit e thjeshtë e as të diturit nuk e kanë idenë se cili është autori i Hamletit[21].


5.
Qysh nga çasti kur vepra e Istratit u zbulon një tjetër pamje e peshë hierarkive letrare, në periudha të ndryshme, herë me mëri të fshehur e herë me fjalë në erë, herë për forcë zakoni e herë për krenari kombëtare, jo rrallë me përkushtim e qëllime të pastra, qarqe të caktuara të letërsive franceze dhe rumune u ‚ndeshën’ për vendin që ze Panait Istrati, por nuk mundën as t’ia ndryshonin fatin e as t’ia gjenin vendin. Kjo sot zgjon habi, sepse vepra e tij kish dëshmuar ndërkaq vlera të përbotshme, dhe të gjitha palët mund të krenoheshin.
‚Zënkat’ e ithtarëve nuk rreshtën, ndonëse e shkruara në dy gjuhë, - të afërta, apo krejt të ndryshme, - nuk është veçse aftësia e të njëjtit shpirt për t’u mishëruar (shkruar, tekstualizuar) radhazi, ose edhe njëheresh, në të paktën dy un-e, dhe për t’u shprehur në dy, ose më shumë gjuhë[22]. Lidhur me Istratin, një përcaktim i pranueshëm gati për të gjithë mbetet edhe sot ai i Monique Jutrin-Klener-it[23]: ”një gjemb i çrrënjosur, shkrimtar francez, rrëfimtar rumun[24].

Për veprën dhe jetën e Panait Istratit shkruajnë, në kohë, vende e gjuhë të ndryshme, emrat më me peshë, revistat më të njohura, gazetat më të përhapura. Pak shkrimtarë kanë pasur një prani e ndikim të tillë në shtyp – dhe vlera e tyre është e dyfishtë, sepse bëhet fjalë për një vepër e cila s’ka asgjë të ngjashme me ‚të fabrikuarat’ e epokës pasmoderne. Që nga nobelistët Romain Rolland, Roger Martin du Gard, François Mauriac, Angre Gide e Ernest Hemingway-i, e deri tek autorë si Blasco Ibáñez, apo akademikë nga e gjithë bota shprehen për veprën e ‚gjembit të çrrënjosur’.
Po rijap për lexuesin pesë këndvështrime, të cilët pasurojnë aparatin kritik që u përdor në përftimin e veprës së Istratit.
Nga ajo thellësi tipike skandinave dhe gjithnjë befasuese, - ndoshta ngaqë është prore ftesë drejt një të menduari alternativ, - akademiku Anders Österling[25], një nga njohësit më të mirë të letërsisë botërore, shënon: „Istrati do të kish mundur [...] me aventurat e tij ‚shumëngjyrëshe’ të ujdiste një jetë pa vështirësi, si ajo e një tufe romancierësh evropianë. Po a mund ta trajtonte si shkrimtar këtë lëndë artistike marramendëse? Dëshmoi në mënyrë të pakundërshtueshme se është në gjendje, ndonëse për këtë përdori një gjuhë të huaj, të cilën e mësoi vetë. [...] Ajo që duhet admiruar në të gjitha pikëpamjet është talenti i tij i shkëlqyer i të rrëfyerit. Pa rregulla dhe i zjarrmitur nga ajo që rrëfen, ai dyndet fuqishëm, me epërsinë e një lumi shkundullues. Ajo që di Istrati për njerëzit nuk është qëmtuar nga librat, por prerë drejtpërdrejt nga përvoja e përditshme – nga rrugë të pluhurosura fshatrash, nëpër tregje përvëlues dhe plot rrëmujë njerëzish, ku takohen shumë raca. [...] Në vorbullën dhe pengesat e jetës së vet, Istrati, i huaji rrugëtar nga Brëila, e ka ruajtur në vend të sigurt trastën. Falë asaj traste ai jeton sot si rrëfimtar. Thesaret e asaj traste: malli për aventura, forcë jetike e pashembshme dhe dashuri për ngjyrat, edhe nëse jeta është e mbytur në dëshpërim e mjerim[26].
Si ish-banor i Parisit dhe mik me veprimtarë të së majtës evropiane, Ernest Hemingway ka mjaft të dhëna rreth Istratit dhe veprës së tij. Me syrin përtejoqeanik shprehet se Istrati: „Është një poet i lindur, i dashuruar me gjithë shpirt pas gjërave më të thjeshta – aventura, miqësia, revolta, mishi, gjaku – i paaftë për ndonjë arsyetim teorik dhe, rrjedhimisht, i paaftë të bjerë në kurthin e ndojë sofizmi sado mirë të ndërtuar[27].
Anëtari i Akademisë Goncourt, André Stil, shënon: „Asgjë tjetër nuk është shkruar më bukur për mjerimin njerëzor, për të vërtetën e njerëzve të varfër, për dinjtetin dhe shkathtësinë e tyre. Kjo luftë për jetën kundër vetë jetës mund të jetë edhe lufta e njeriut kundër njeriut për hir të njeriut[28].
Me një krenari që mund të cilësohet edhe ballkanike, Viktor Eftimiu, lindur në Boboshticë dhe shkrimtar në një gjuhë të huaj, të cilën e ka mësuar pas moshës 9-vjeçare, shkruan: „Të gjithë mendjendriturit e botës e kanë lexuar, të gjithë të pakënaqurit, të gjithë ata që ëndërronin diçka më të mirë, më njerëzore. E kanë lexuar edhe estetët e revistave të metropoleve dhe snobët e salloneve, dhe të gjithë janë magjepsur nga dhuntia e rrëfimtarit. Asnjë sajesë letrare, por vetëm gjëra të para me sytë e vet, vetëm jetë e jetuar. Thjeshtësi. Forcë për të rikujtuar njerëz dhe bëma të zhytura në dritë. Një gamë shkëlqimtare. Një magji fjale, të cilën shumë pak, gjer edhe ndër më të mëdhenjtë, e kanë[29].
Një kulm njohjeje dhe përshkrimi bën Nikos Kazanzaki[30], shpirt-binjak i autorit të „Kira Kiralinës”: „Istrati nuk është as rrëfimtar, as romancier, por më shumë se këto të gjitha bashkë. Është një lindor, një primitiv i lidhur fort me forcat e thjeshta të tokës, me shpirtin. Si puna e lindorëve, Istrati shtrihet me krejt trupin në tokë, siç bëjnë gurgdhendësit, dhe tregon. Nuk di të kem hasur ndokënd tjetër që të tregojë me kaq forcë dhe brishtësi njëheresh. Tek e dëgjon, ke ndjesinë se toka bëhet më e madhe. Sulltani i famshëm i Spanjës, Abd-ar-Rahmani, i thoshte poetit të vet të çmuar: „Isa, kur të dëgjoj, ndjej se kufijtë e mbretërisë sime zgjerohen”. Po kështu edhe ne, kur dëgjojmë Istratin, ndjejmë se si na zgjerohet zemra!”[31]

(...)


Bukuresht, mars-tetor 2015


Bibliografi e përzgjedhur

  1. Andru, Vasile, Amintiri din hristologie, Editura Antet, Bukurești, 2014.
  2. Arkivi i Revistës Haemus Nr. 1 - 51, Bukuresht, 1989-2014.
  3. Eftimiu, Victor, Amintiri și polemici, Cultura Românească S.A.R., Bukurești, 1942.
  4. Ghica, I. Vladimir, Gânduri pentru zilele ce vin, Ed. Dacia, Cluj-Napoka, 1995.
  5. Istrati, Panait, Chira Chiralina, Literatura diasporei, Firan, Firea, Popa, Constantin M., Editura Macedonski, Craiova, 1996.
  6. Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, (Cum am devenit scriitor), Editura Minerva, Bukuresht, 1985.
  7. Istrati, Panait, Spovedania unui învins, Ed. Semne, Bukurești, 2012.
  8. Kuciuk, Ardian-Christian, Malamen, Iolanda, Koha e zëvendësve (Vremea locțiitorilor), Sh. B. Humanitas, Bukuresht, 2003.
  9. Popa, Marian, Historia e letërsisë rumune nga sot për nesër (Istoria literaturii române de azi pe mâine), Editura Semne, Bukurești 2003.
  10. www.nobelprize.org
  11. www.vladimirghika.ro





[1] Teksa në shqip gojëdhana përfshin edhe të dhënat, edhe dhuntinë, dhantinë, dhuratën, në rumanisht togfjalëshi prin viu grai ka kuptimin: shprehur me të folme / gjuhë të gjallë.
[2] Autor i të paktën një kryevepre të mendimit dhe besimit në gjuhën frënge, mistik dhe martir (Kostandinopojë, 25 dhjetor 1974-burgu i Zhilavës / Jilava, Rumani, maj 1954). Shih Princi Vladimir I. Gjika - Mendime për ditët që vijnë / Prințul Vladimir I. Ghika - Gânduri pentru zilele ce vin, Revista Haemus Nr. 1, nëntor 1998, dhe Lulja dhe dora që e këput botuar në disa revista shkencore dhe organe shtypi në shqip, rumanisht e anglisht.
[3] Lexohet Konstantin Brënkúsh / Constantin Brâncuși (1885, Hobița, Rumani-1976, Paris) cilësuar si njëri nga etërit e skulpturës moderne. Shih Skulptor gjer edhe për të verbërit / Sculptor chiar şi pentru orbi, Revista Haemus, Nr. 9-10 / 2001; Brâncuşi şi treptele „orbirii”, sau universalizarea sculpturii populare balcanice (Brënkushi dhe shkallët e ‘verbimit’, ose përbotësimi i skulpturës popullore ballkanike), rumanisht, 2005 dhe 2010, mbajtur si kumtesë në 100-vjetorin e krijimit të Zogut Madhështor.
[4] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, (Cum am devenit scriitor), vëllim i hartuar sipas shembullit francez ,,par lui-même“, Editura Minerva, Bukuresht, 1985, hartuar nën kujdesin e Alexandru Talex (pseudonim i Atanase Alexandrescu-t, 7 dhjetor 1909, Bukuresht-17 nëntor 1998, Bukuresht, gazetar, përkthyes dhe historian i letërsisë, botues edhe i letërkëmbimit të Panait Istratit me shkrimtarë të huaj, veçmas me Romain Rolland-in, si dhe i librit Le pèlerin du coeur, Gallimard, în 1984).
[5] Sipas fjalorëve shkencorë, aq e shpërdoruara fjalë “gjení”, me theksin tek i-ja, nënkupton shkallën më të lartë të dhutive shpirtërore të njeriut, e shprehur përmes një veprimtarie krijuese, rezultatet e së cilës kanë një rëndësi të madhe; person që ka një dhunti të tillë(a); qënie, natyrë, karakter specifik; trupa ushtarake të specializuara në ndërtimin e fortesave, rrugëve, urave etj. Fjala e ka prejardhjen nga latinishtja (genius, fr. génie) dhe, siç ndodh jo rrallë në gjuhë, bart edhe kuptime metaforike: dhunti e epërme, fortesa, rrugë, ura etj. Në shqip, kur theksi zhvendoset tek e-ja (gjéni), fjala përshfaq kurreshtjen rreth një të fshehte.
[6] Popa, Marian, Historia e letërsisë rumune nga sot për nesër (Istoria literaturii române de azi pe mâine), Editura Semne, Bukuresht 2003.
[7]Erdha edhe unë, për herë të parë, në vitin 1913. Jonesku, këpucari, më mori shpejt e më çoi në Luvrër, për të më treguar lypësin e vogël të Murillos tek vret morrat. Qëndrova tre muaj që ta shoh krejt Parisin historik e artistik, dhe ika i dehur nga lumturia dhe gati lypës, duke u betuar të kthehem, t’ia mësoj gjuhën, të jetoj, të jetoj në këtë vend të mendimit zemërgjerë”. Istrati, Panait, Rrëfimi i një të munduri (Spovedania unui învins), Editura Semne, Bukuresht 2012, f. 16.
[8] Lexohet Konstantin Virgjíl Gjorgjíu / Romancier, gazetar dhe prift ortodoks, lindur më 15 shtator 1916 në Războeni, rrethi Neamț i Rumanisë, autor i romanit e famshëm Ora 25. Ka shkruar mbi dyzet vëllime me prozë, ese, kujtime. Përkthyer në frëngjisht nga Monique Saint-Come, Ora 25 doli nga shtypi në vitin 1949 në Paris dhe njohu një sukses të rrallë. Thelbi i titullit të romanit është: pasi mbyllet koha e natyrshme, shënjuar nga njëzetekatër orët e ditënatës, dyndet Ora 25, ora apokaliptike, barbare, e „qytetërimit të ri evropian”, ku njeriu ka vlerën e një sendi të thjeshtë. Sipas shkrimtarit dhe shkencëtarit të njohur Mircea Eliade, „Romani ‚Ora 25’ është vepra e parë letrare ku pasqyrohet terrori i historisë bashkëkohore, histori e cila për shumicën dërrmuese të banorëve të globit nënkupton ose vdekjen, ose shndërrimin e njeriut në makinë, shpërbërjen e personalitetit, çnjerëzimin e tij”. [Revista Haemus Nr. 36-40, Bukuresht, 2009]. Ora 25 u ekranizua nga Hollivudi në vitin 1967, duke pasur në rolet kryesore aktorët Anthony Queen dhe Julie Cristie.
[9] Lexohet Euxhén Jonésku / Eugen Ionescu (26 nëntor 1909, Slatina-28 mars 1994, Paris), dramaturg, eseist, poet dhe mendimtar që ka shkruar në frëngjisht e rumanisht, protagonist i teatrit të absurdit, anëtar i Akademisë Franceze (Kolltuku Nr. 6). Debutoi në rumanisht me vëllimin poetik Elegii pentru ființe mici (Elegji për qënie të vogla). Në rumaniasht krijimet e tij më të arritura janë esetë kritike të përmbledhura në vëllimin Nu! (Jo!).
[10] Lexohet Emíl Çorán / Emil Cioran (8 prill 1911, Rășinari - 20 qershor 1995, Paris), filozof dhe eseist rumun që u shpërngul në Francë dhe në frëngjisht, pasi botoi disa libra e shkrime në gjuhën rumune dhe zgjoi debate te furishme (Në kulmet e dëshpërimit, 1934; Shpërfytyrimi i Rumanisë, 1935; Lotë dhe shenjtorë, 1937). Mbaron studimet e filozofisë në Universitetin e Bukureshtit dhe shkon në Francë me një bursë nga Instituti Francez i Bukureshtit. Librin e parë në frëngjisht, Précis de decomposition, ia boton Gallimard-i, në vitin 1949. Jetoi në një mansardë në Cartier Latin, pa punuar askund, pa kërkuar shtetësinë franceze, duke iu shmangur shtypit dhe bujës.
[11] Prozator dhe eseist francez (Clamecy, Francë, 29 janar 1866 - Vézelay, France, 30 dhjetor 1944) autor i të famshmit roman Zhan Kristof, në 17 vëllime (1904-1917), dhe, mes të tjerash, i një monografie kushtuar Tolstoit. Laureat i Çmimit Nobel për Letërsi (1915) "si nderim ndaj idealizmit madhor të krijimeve të tij letrare dhe ndaj simpatisë dhe dashurisë me të cilat ka përshkruar lloje të ndryshme të qënieve njerëzore”. Shih Nobel Foundation Archive, në www.nobelprize.org
[12] Në fakt, jo kjo letër, por një tjetër, të cilën policët ia dhanë gazetarit Fernand Despres  L'Humanite-së ia arrin qëllimit. Pas ngjarjes, Despres-i i shkruan Rolland-it disa rreshta me të cilët shoqëron letrën e Istratit dhe përmend shprehjen “Gorki i Ballkanit”. Kjo shprehje do të vihet në qarkullim nga Rolland-i në parathënien e Kira Kiralinës, në Europe (15 gusht 1923) jo aq për të gjetur ngjashmëri mes veprës së Istratit dhe asaj të Gorkit (kur ky ende ishte më tepër Aleksei Peshkov) se sa për ta ndihmuar kritikën të orientohet. Shih Chișu, Lucian, Posteritatea istratiană, Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin Ndërkombëtar Rumanitet dhe Latinitet në Bashkimin Evropian, Craiova, 9-11 maj 2009, botuar në revistën Caiete Critice.
[13] Chișu, Lucian, art. cit.
[14] Panait Istrati më ndihmoi të mbetem njeri mes ujqsh, Alexandru Talex, intervistë dhënë Mugur Popoviçit, botuar në Rumania letrare (România literară) Nr. 48, Bukuresht 2009.
[15] Rolland, Romain, Një Gorki ballkanik, parathënie, nënshkruar në Villeneuve, gusht 1923, nga Letërsia e diasporës (Literatura diasporei), Firan, Firea, Popa, Constantin M., Editura Macedonski, Craiova, 1996, f. 44.
[16] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, v. cit. f. 123.
[17] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, v. cit. f. 109.
[18] Chișu, Lucian, Posteritatea istratiană... art. cit.
[19] Kritiku Eugen Lovinescu numuron plot 14 zanate, asnjëri me natyrë intelektuale.
[20] Me karrocë tërhequr nga buajt, sipas dëshirës së shprehur në testament, udhëtoi edhe drejt varrit. Shih Alexandru Talex, intervistë, Rumania letrare (România literară) Nr. 48, art. cit.
[21] Chișu, Lucian, Posteritatea istratiană... art. cit.
[22] Shih edhe Koha e zëvendësve (Vremea locțiitorilor), Kuciuk, Ardian-Christian, Malamen, Iolanda, Sh. B. Humanitas, Bukuresht, 2003; bindje nga një përvojë e jetuar qysh nga viti 1996, kur nisa të shkruaj së pari edhe në rumanisht. Mendimi i mësipërm nuk përgjithëson dhe nuk flet në emër të autorëve të tjerë dygjuhësh.
[23] Panaït Istrati: un chardon déraciné, Ecrivain français, conteur roumain, F. Maspero, 1970 - 305 pages / Essai (relié), Paru en 11/2014 / Les Haïdoucs dans l'oeuvre de Panaït Istrati - de Monique Jutrin-Klener, Hélène Lenz, Martha Popovici et Catherine Rossi (2003)
[24] Panaït Istrati: un chardon déraciné, Ecrivain français, conteur roumain, F. Maspero, 1970 - 305 pages / Essai (relié), Paru en 11/2014 / Les Haïdoucs dans l'oeuvre de Panaït Istrati - de Monique Jutrin-Klener, Hélène Lenz, Martha Popovici et Catherine Rossi (2003). Shumica e shkrimeve kushtuar Istratit mbajnë tituj të tipit Kush / Cili ishte Panait Istrati…. Përgjigjet janë të ndryshme, për shembull: Panait Istrati, un dissident avant l’heure (Sanda Stolojan, 1980); Edouard Raydon: „vagabond de genie” (Edouard Raydon, 1986); „un chevallier errant” (Alexandru Oprea, 1973), por të gjitha arrijnë në përfundimin se Panait Istrati ishte një njeri i shpirtit, i idealeve, që nuk i përkiti kurrë askujt. Një pllakë përkujtimore e vendosur nga Bashkia e Parisit, mbi murin e jashtëm të banesës që ndodhet në 24 Rue du Colisée, - shënon: “Mes viteve 1922-1930, në këtë shtëpi, shkrimtari rumun PANAIT ISTRATI (1884-1935) shkroi veprat e veta të mëdha, të njohura botërisht: Kira Kiralina, Kodini, Mihaili, Xha Angjeli, Komitët, Nerancula”.
[25] Shkrimtar dhe eseist suedez (13 prill 1884-13 dhjetor 1981), anëtar i Akademisë Suedeze (Svenska Akademien), më i riu i zgjedhur deri në atë kohë dhe më jetëgjati në (62 vjet).
[26] Parathënia e botimit suedisht të Kira Kiralinës, Sh. B. Albert Bonniers, Stokholm, 1926.
[27] Shih România literară, 8 maj 1980.
[28] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, v. cit. f. 14. / André Stil (1 prill 1921-3 shtator 2004), novelist, tregimtar dhe gazetar, nga viti 1977 – njëri prej dhjetë anëtarëve të Akademisë Goncurt.
[29] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, v. cit. f. 445.
[30] Lexohet Nikos Kazancákjis / Nikos Kazantzakis / greqisht Νίκος Καζαντζάκης / (18 shkurt 1883, Heraklion-26 tetor 1957, Freiburg) u bë i njohur në vitin 1964, menjëherë pas daljes së filmit Zorba greku. Vazhdimisht në kundërshtim me qarqet zyrtare greke, për shkak të bindjeve dhe shkrimeve të veta, - ndonëse kreu përkohësisht edhe detyra me rëndësi (gjatë Luftrave Ballkanike u shkrua vullnetar në ushtri dhe shërbeu në zyrën e posaçme të kryeministrit Elefterios Venizellos), - u çmua më tepër jashtë vendit. Mes viteve 1916 dhe 1917, sëbashku me Gheorghios Zorbas-in (1870-1941, me prejardhje nga Gadishulli Halkidhiki, njeri i thjeshtë, por idealist i flaktë), të cilin e pat njohur në Malin e Shenjtë Athos, Kazanzaki do përpiqet të hapë një minierë lihniti në jug të Peloponezit. Nga kjo përvojë do të ngjizet pas tre vjetësh romani Jeta dhe peripecitë e Aleks Zorbës. Kazanzaki shkroi edhe romane të tjerë të njohur, si Krishti i kryqëzuar për së dyti, Raport El Grekos, Tundimi i mbramë i Krishtit, Vëllavrasësit, si dhe poemën epike me 33.333 vargje Odisea, të cilën e mbante si kryeveprën e jetës së vet.
[31] Gazeta Proia, Athinë, e shtunë, 31 dhjetor 1928 / More Panaitaki!, Sava, Maria, Revista Athenaeum, Revista de Cultură a Românilor din Canada, 4 gusht 2013.