Plehërat
mblidheshin çdo të martë e të premte në orën 9 të mëngjesit. Prej 32 vjetësh, plehraxhiu Stan[1] pat ndalur së u habituri me ç’hidhte mileti i sotëm në plehëra. E prej po aq kohe nuk e bezdiste as era e plehërave,
as pamja e tyre.
Nga
mërzia a nga frymëzimi, drejtoi sytë drejt plehërave të sapombledhura dhe, mes
thasëve me grykë të nyjëtuara mirë, apo nga të cilët derdheshin gota kosi,
ushqime të prishura, pambuqe për ndukje lëkure me pudër, garza të përditshme
zakonesh, mbështjellëse plastike lodrash, kleçka për pastrim veshësh,
prezervativë të përdorur, letra të bëra shuk, cilindra kartoni nga të letrave
higjenike, shishe të zbrazëta, disa cifla pasqyre dhe diçka që dukej si çorape
e shpuar, shqoi një kuti të kuqe këpucësh, e cila u rrokullis disa herë derisa
u hap, i shkau kapaku dhe nxori jashtë, - me ritmin e shikimit të Stanit: një
filxhan të gjelbër, një flamingo prej pellushi, disa bileta treni, autobuzi,
teatri a filmi, një zarf, një mbështjellëse çokollate, nja pesë a gjashtë
fotografi të grisura në të njëjtën kohë dhe disa kapaçka verëmolle a birre.
