Showing posts with label Sh. B. Buzuku. Show all posts
Showing posts with label Sh. B. Buzuku. Show all posts

"Ëngjëjt e tepërt" (Îngerii de prisos)


"E hëna dukej dita më e përshtatshme për të hedhur trutë në erë. E hëna pasonte atë panik njëfarësoj verbues, si fund të hidhur dehjeje, që mbështillte të dielën. Falë ca forcash të panjohura, mbase ëngjëj, e hëna mblidhte në vete tharmin e ditëve të tjera të javës, dhe, në rrjedhjen e vet kapitëse, shpesh pa pikë shijeje, t’i vegonte fshehtas, ose t’i fshihte mjeshtërisht ato që do të të ndodhnin deri në fund të javës. Prandaj ai e kish kaluar të dielën pa bërë asgjë, ashtu siç këshillonin shkrimet e shenjta, se, veç nevojës për të mos përjetuar drithmat e mbarimit të së dielës, nuk i dukej e ndershme e as fort e shëndetshme që ditën kur edhe vetë Zoti pushonte, ai, një i paemër që do të kthehej sërish në baltë e hi, të merrej me punë. Mirpo shpresat se ajo e hënë do ta ndihte, iu vakën me të shkelur në stacionin e trenit, kur ndeshi sytë e jargur të një lypësi që po vidhoste dy këmbët e drunjta me qetësinë me të cilën një vrasës i rregjur pastron koburen. U ngut të rijetonte kënaqësinë e hershme që i sillnin udhëtimet: shkitjen e trenit në mesnatë, mes qytezash të vogla, të panjohura, ndriçimet e dobëta të vagonit, copëra ngjyrash nga përgjumja e ndonjë femre të bukur, kruspullosja e tij në kujtimet më të nxehta, shija e kurmit të femrës me të cilën pat bërë dashuri para se të nisej, lumturia e qetë, mendimtare, se ia kish mbathur, qe arratisur nga qyteti milionësh. Iu kujtua njëri nga bashkëkombasit e vet, që pat therrur gjatë një grindjeje një kamarier të huaj, - një gjarpër mustaqespicë që bënte çmos t’u kujtonte se nuk ishin veçse ca këlyshë korbash të flakur udhëve, ca palo shqiptarë pa brekë në bythë. Pasi i kish ngulur pikërisht në bythë një thikë qebapi, aq sa kamarierit sikur i kishin kujisur gjer edhe qimet e mustaqeve, shqiptari qe kthyer në dhomën e vet, i kish lënë policisë një letër sqaruese, ku jepte besën se do të kthehej shumë shpejt, pastaj kish marrë hua ca të holla dhe ia kish hipur një treni pas mesnate. Kishte udhëtuar pa vënë gjumë në sy e bukë në gojë për gjashtë ditë me radhë. Të dielën në mëngjes ishte fanitur tek dera e shtëpisë ku banonte dhe u qe dorëzuar dy policëve që e prisnin. Tani mund të më bëni ç’të doni, u pat thënë, digjmëni edhe të gjallë, po ta shihni të arsyeshme. Pak vetë mund ta përfytyronin se sa kish udhëtuar në kohë e në qënie ai fatkeq; edhe më pak mund të përfytyronin se sa i qe burrëruar shpirti gjatë asaj jave udhëtimi të pagjumë.