“Ati
ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje”. Kjo fjali më
ndalonte të bëja ndryshime në roman gjatë këtyre 14 vjetëve. Librin kam
vazhduar ta shkruaj qysh nga shkurti i 2003-shit, por vetëm në kokë. Mbeti një
libër që shkruhej pa duar, në kujtesën time dhe në mosnjohjen e lexuesit.
Gjatë çdo ‘ndërhyrjeje’ në roman, më vegohej se sa pak
ishte shkruar për flijimet dhe pamundësitë e prindërve, dhe sa shumë për
gabimet apo mangësitë e tyre. Kulmi është se, kur gjykojmë paraardhësit,
asnjëherë nuk mbajmë parasysh kushtet shpirtërore, por vetëm ato historike.
E folmja e personazheve është qëllimisht ‘e
shkartisur’, me përngjitje disi shqetësuese nga të dy dialektet dhe nga të
gjitha të folmet, edhe si shprehi e përçarjes së pashpallur që sundon shoqërinë
e sotme, e një shqipeje përherë në kapërcyell, por edhe si pasqyrë e
paragjykimeve të vetë lexuesit.
Shumica e ngjarjeve dhe hollësive rrjedhin
nga kjo histori, ku diktatura e një ideologjie mori trajtat e një
diktature mbi vetë fatin njerëzor dhe e fatit mbi vetë njeriun. Kur ideologjitë
çojnë vetëm në utopi, - duke u shndërruar rëndom në masakra të shumëfishta, -
aq sa njeriu të kënaqet me sa më pak dhe të mos ngopet me asgjë, dhe kur për
pjesën tjetër të jetës shkruhet një letërsi mashtruese, “Ati” më ndihmoi të
shoh gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas. Se shpesh aty ku jeta duket
e padurueshme, dendësia e përjetimeve, e pyetjeve pa përgjigje, është një lloj
mrekullie.
“Ati” rimerr nga një këndvështrim tjetër temën e gjak-
/ hakmarrjes. Çdo marrëdhënie mes brezave ka brenda të paktën një etje për
hakmarrje. Përtej çdo loje fjalësh, mund të flitet për një gjakdhënie që
zgjon hakmarrjen dhe për një hakdhënie që, çuditërisht,
ndjell, ose sjell gjakrrjedhje. Secili brez e ndjen veten të përligjur të
hakmerret ndaj brezit paraardhës, gjoja në emër të brezit pasardhës, dhe
kësisoj dëmton tre breza. Kjo edhe ngaqë ende jetojmë brenda një historie, ku
të ashtuquajturat “ide shpëtimtare” helmojnë gati çdo lidhje gjaku, por edhe
anasjelltas: kriteri biologjik i përzgjedhjes, sidomos në fushën e dhuntive, u
ndryshon kahun ideve të mira.
Është shkruar shumë pak edhe për: vetëmohimin e
babait, heshtjen e papërkthyeshme të nënës, vetminë e secilit prind më vete dhe
sëbashku, për mënyrat si shpërblehen vuajtjet e tyre gjer edhe kur çdo
shpërblim duket si vuajtje e shtuar.